16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Shkrimtari që i dha pavdekësinë artit skenik

Ma do mendja se Uilliam Shekspiri (William Shakespeare), ka qenë, është dhe do të jetë përherë shkrimtari më i njohur në botë. Për të thuhet se do të mjaftonin vetëm sonatat që shkroi (thuhet se janë 154 të tilla), që ai të mbulohej me atë lavdinë që gëzon, por unë do të shtoja se edhe Anglisë do t`i mjaftonte kjo lavdi për t`u ndierë në çdo kohë krenare për birin e saj që lindi në 23 prill të vitit 1564 në Stratford afër Londrës. Koha kur ai jetoi dhe krijoi, ka qenë e ngërthyer, si zakonisht në atë vend, me ngjarje mjaft të rëndësishme historike, me luftëra të paprera, por edhe nga ato për pushtet.

Kur ai doli në dritë, kishin kaluar plot 100 vjet që vendi i tij i kishte dorëzuar Francës tokat që i kishte bërë të sajat qysh nga shekulli XII dhe, si pasojë e konfliktit mes fisnikëve të Lankasterit me ata të Jorkut, sundonte qysh nga viti 1485 dinastia e Tudorëve. Vajza e Henrikut VIII dhe Ana Bolenës, Elizabeta e Parë që mbretëroi deri në vitin 1603, jo vetëm vuri baza të forta në rritjen e flotës luftarake detare dhe mposhti flotën spanjolle (Armadën) të urdhëruar nga Filipi II, por edhe përkrahu zhvillimin e kulturës, arteve, dhe sidomos letërsisë. Por, edhe kur ajo vdiq, dhe fronin e zuri Xhejmsi, përsëri kujdesi për artet e letërsinë vazhdoi me të njëjtën vëmendje.

Prindërit e Shekspirit quheshin Xhon dhe Meri Arden. Babai trashëgoi nga gjyshërit profesionin e bujkut, kurse e ëma prejardhjen e kishte nga një familje fisnikësh. Shekspirit të ri iu desh t`i ndërpriste shpejt studimet, pasi familja ra nga vakti – ndonëse i kujton me nostalgji vitet e fëmijërisë. Ishte fare i ri kur i dhanë për grua Ana Hathauejin, një vajzë shumë më e madhe se ai, dhe me të cilën pati tre fëmijë: e para qe vajzë dhe nga lindja e dytë – binjakë. Ndofta, se të vërtetën nuk kemi sesi ta dimë, nga martesa pak a shumë e detyruar, si e si për të rregulluar disi ekonominë, ai largohet nga shtëpia dhe shkon në Londër. Mesa duket, mjegulla karakteristike e këtij qyteti, por edhe rrëmuja që shkaktoi kolera e viteve 1592-1594, nuk na lejon ta shohim qartë biografinë tij.

Gjithsesi, dihet se ai, i shtyrë së brendshmi nga dashuria për teatrin, iu bashkua grupit të aktorëve shëtitës, me të cilët dha edhe disa shfaqje. Edhe punë të çfarëdoshme bëri Shekspiri në këtë periudhë, gjersa i dhanë role figurantësh në pjesët që viheshin në skenë nga “Globusi”. Por, ai nuk kënaqej me kaq, pra, duke luajtur hijen e babait të Hamletit. Prandaj, nis e shkruan kronikën “Henriku VI”. Por, siç e kanë zakon veset njerëzore, fill pas saj nisin sulmet e kryetarit të shoqatës së aktorëve, njëfarë Roberti, i cili përpiqej ta tallte atë me mundësinë që i jepte mbiemri: Shake-speare që në atë gjuhë nënkuptonte “tundës ushte”. Madje, ai shkonte edhe më tej; duke thënë për të se s`ishte tjetër veçse një “sorrë e stolisur me puplat tona”.

Megjithatë, Shekspiri, duke shfrytëzuar pushimin e imponuar nga epidemia e tmerrshme, shkroi “Rikardin”, “Zbutësi i kryeneçes”, “Androniku” etj. Një ditë njihet me lordin Handson që drejtonte një trupë teatrore dhe bashkohet me ta. Ishte viti 1594 dhe pikërisht tani nis suksesi i tij. Për aq sa kishte bërë gjer atëherë, me të drejtë për tragjeditë dhe komeditë e tij e krahasonin me Senekën dhe latinin nga Sarsina, Plautin (Maccius Plautus), i njohur te ne nga veprat e tij “Menehmet” dhe “Ushtari mburracak”. Pasi shkroi tragjedinë e famshme “Romeo dhe Zhulieta” , kushtuar dashurisë së zjarrtë që ndeshet me ndarjet politike, në vitin 1599, Shekspiri, tani i njohur anekënd vendit, bëhet bashkëpronar i teatrit “Globus”, mbi hyrjen e së cilit ishte shkruar dukshëm: “E gjithë bota është teatër”. Po këtë vit shkruan “Jul Çesarin” etj. dhe një vit më pas tragjedinë “Hamleti”. Në këtë periudhë ai ka arritur pjekurinë e plotë artistike dhe vijon të trondisë botën, si për inat të atij Robert Grinit që donte ta vinte në lojë duke e quajtur me ironi “tronditës të skenës”, duke shkruar vit pas viti “Otellon”, “Mbretin Lir”, “Makbethin”, për të vazhduar me të tjera si “Antoni e Kleopatra”, “Koriolani”, “Timoni nga Athina”, “Stuhia” etj. Pra, gjithsej 37 të tilla.

Kishte arritur apogjeun e suksesit; emri i tij përmendej ngado me nderim dhe të gjithë u çuditën kur mësuan se ai në vitin 1613 u kthye përsëri në vendlindje. Mendohet se shkak u bë gjendja e tij e rënduar shëndetësore. Për bela, në Angli kishte edhe robertë të tjerë të cilët (dhe kjo është për t`u habitur), në shekullin XIX, të shtyrë nga zilia, smira, ligësia e dëshira për t`u dukur, hodhën hije dyshimi mbi vërtetësinë e autorësisë së Shekspirit në gjithë ato vepra të bujshme. Çfarë nuk u polli mendja këtyre thashethemexhinjve. Një i pashkollë, provincial dhe i padalë si ai, thoshin, nuk mund të krijojë kryevepra të tilla. Dhe, nisën supozimet, duke e thënë hapur se autori ishte ky apo ai njeri i zgjuar dhe i ditur, si poeti Marlo, kontë të ndryshëm me emrat Debri, Retlend e Oksford etj. Kjo dalldi arriti kulmin, duke thënë se autore mund të ketë qenë vetë mbretëresha, ose, ose, çka ishte edhe më e besueshme, filozofi Frensis Bekon i cili ishte i njohur jo vetëm si erudit, por edhe si krijuesi i prozës angleze.

Duhet pranuar se dorëshkrime nuk janë gjetur, pasi në vitin 1613 teatri “Globus” u dogj nga zjarri që ra dhe që mund t`i ketë shkrumbuar edhe ato letra. Po t`i shohësh me vëmendje tragjeditë, por ndofta edhe komeditë e Shekspirit, kanë diçka nga ajo që kanë shkruar shumë para tij tragjikët e lashtësisë. Po ja, e tillë ka qenë dhe e tillë mbetet jeta njerëzore, me dashuri deri në sakrifikim, me urrejtje, me gëzime, me hidhërime, me besnikëri e me intriga, me vetëmohim, por edhe me vrasje prapa shpine, nisur nga etja për lavdi, fitime dhe pushtet. Por, në gjithçka Shekspiri shkroi, bije në sy dashuria për njerëzit, vënia në plan të parë e virtytit, demaskimi i të keqes, e mbi të gjitha nevoja për liri. Ai di si askush të ndërtojë karaktere personazhesh që nuk harrohen kurrë, në gojën e të cilëve vë fjalë hyjnore dhe nga të cilët gjithkush ka se ç`të mësojë. Kam qenë ende fëmijë kur kam parë te kinemaja me atë romantikën e njohur “17 nëntori”, filmin “Hamleti” xhiruar në vitin 1948, dhe, edhe sot e kësaj dite më ndjekin pas ato skenat bardhezi, ku ndriçonte si askund tjetër loja e mrekullueshme e Lorenc Oliverit (Laurence Olivier) që ndofta vetëm shqiptari Aleksandër Moisiu mundet ta ketë realizuar më parë në teatrot e Evropës. Dhe, kudo del si lajtmotiv domosdoshmëria e vendosjes në vend të drejtësisë, si e vetmja mundësi për ta shpënë botën përpara. Se në analizë të fundit, qysh në kohët e hershme është ndierë nevoja e shpagimit, pasi kush nga shpata ka dalë, prej shpatës edhe do të bjerë.

Ja pse Janis Benekos thotë se “Larja e krimit ishte një ligj i patundur për grekët e lashtë”. Se, nuk ka rëndësi, në ishte zemërbutë Hamleti, princi i Danimarkës. Rëndësi ka fakti se ai pa u ngutur, kërkonte ta vinte drejtësinë në vend. Ka dy momente që nuk mund të rri pa i përmendur; i kanë kënduar shumë poetë e shkrimtarë dashurisë, por edhe ata që nuk e kanë lexuar i dinë përmendesh vargjet lapidare kushtuar Ofelisë: “Thuaj yjet s`janë zjarr / Thuaj dielli u shua / Thuaj jeta është varr / Po mos thuaj që s`të dua”. Po ashtu, përherë e nga kushdo mund të dëgjosh fjalët e monologut të Hamletit: “Të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja”. Madje, dhe në gjuhën e origjinës. Ditë më ditë, ndodhi që gjiganti Shekspir të vdesë, në po atë datë që lindi, në moshën 52-vjeçare. Po të kishte rrojtur më shumë, patjetër që të tjera xhevahire do t`i shtonte kurorës së tij të lavdisë. Por, edhe me kaq sa bëri, ai mbetet shkrimtari më i nderuar i botës mbarë, pa veprën e të cilit arti skenik nuk do të mund të kishte magjinë dhe shkëlqimin që ka. Dhe, mbi të gjitha, s`duhet harruar se e gjithë ajo që ai na la, troket kumbueshëm si në ndërgjegjen e njerëzve të thjeshtë, ashtu edhe në atë të atyre që kanë në dorë fatet e njerëzimit mbarë.

Më Shumë

Rifat Jashari kërkon që të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar

Në Gllogjan të Deçanit u mbajt manifestimi qendror i “Epopesë së Dukagjinit”. Sot më 24 mars u bënë 26 vjet nga rezistenca e UÇK-së me...

Vdes në vendin e punës mërgimtari nga Malisheva

Nazmi Morina nga Lubizhda e Malishevës, ndërroi jetë një ditë më parë në vendin e tij të punës në Itali. Lajmi u bë i ditur...

Lajmet e Fundit