Autor: Mr.Sc. Shaban Osmanollaj
Kontributi i Shtjefën Gjeçovit (1874–1929) në mbledhjen, sistemimin dhe botimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, është një ndër monumentet më të rëndësishme të së drejtës zakonore shqiptare. Kanuni, i cili për shekuj të tërë ka rregulluar jetën shoqërore dhe juridike të shqiptarëve, është parë si pasqyrë e identitetit kombëtar. Përmes analizës së literaturës dhe burimeve historike te botuara si Gjeçovi, 1933 dhe Ndue Ndreca, 2005, shënimi paraqet rolin e Gjeçovit si ndërmjetësues mes traditës gojore dhe kulturës së shkruar, duke e cilësuar veprën e tij si një kontribut të pazëvendësueshëm në historinë juridike dhe kulturore shqiptare.
Shtjefën Gjeçovi është ndër figurat më të shquara të kulturës shqiptare. Kontributi i tij kryesor është mbledhja dhe botimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili përbën një kod të së drejtës zakonore shqiptare, të trashëguar brez pas brezi në formë gojore. Botimi i tij pas vdekjes në vitin 1933 (Gjeçovi, 1933) shënoi një kthesë të rëndësishme, duke i dhënë kulturës shqiptare një dokument të çmuar të së drejtës juridike dhe antropologjisë shoqërore.
Kanuni si sistem juridik zakonor ishte një kushtetutë gojore, e cila për shekuj të tërë funksionoi si sistem normash juridike për shqiptarët, sidomos në zonat e Malësisë. Ai përfshinte rregulla mbi familjen, trashëgiminë, pronësinë, nderin, besën dhe mikpritjen sipas autorit Ndreca, Gjithashtu sipas Shuteriqit, Kanuni dëshmonte një organizim shoqëror të zhvilluar, që garantonte rend e stabilitet në mungesë të institucioneve shtetërore. Ndërkohë, studiues të huaj si Robert Elsie e kanë parë atë si një ndër dokumentet më të spikatura të folklorit juridik në Ballkan.
Merita e Gjeçovit është se e mblodhi dhe sistemoi Kanunin në një kohë kur ai rrezikonte të humbiste, për shkak të modernizimit dhe ndryshimeve shoqërore. Ai e botoi pjesërisht në “Hylli i Dritës” më 1913, ndërsa vepra e plotë u përfundua dhe doli pas vdekjes së tij në Shkodër, më 1933 (Gjeçovi, 1933).
Sipas autorit Kole Kastrati, puna e Gjeçovit ishte e jashtëzakonshme, pasi ai jo vetëm që mblodhi rregullat e Kanunit, por i shoqëroi me shpjegime dhe krahasime, duke i dhënë veprës dimension shkencor.
Kanuni është si nje pasaportë e identitetit kombëtar pasi elementet themelore të Kanunit, të nxjerrë në pah nga Gjeçovi, ishin: Besa, si garanci ligjore dhe morale (Elsie, 2001); Mikpritja, si normë shoqërore dhe ligjore (Ndreca, 2005); Nderi, si themel i jetës shoqërore; dhe Prona, e mbrojtur nga rregulla të rrepta. Këto vlera tregojnë se shqiptarët kishin zhvilluar një kulturë të së drejtës të krahasueshme me popuj të tjerë të Evropës.
Kanuni i mbledhur nga Gjeçovi nuk ishte vetëm një kod juridik, por edhe një dokument etnologjik e kulturor.
Ai u cilësua nga studiuesit si “monument i kulturës juridike shqiptare”. Edhe pse shpesh i kritikuar për ashpërsinë, sidomos për gjakmarrjen, Kanuni mbetet një dëshmi e rëndësishme e mënyrës së të menduarit dhe të jetuarit të shqiptarëve ndër shekuj. Kontributi i Gjeçovit është se ai e kaloi këtë trashëgimi nga goja e popullit në librin e shkruar, duke e bërë të përjetshme.
Si përfundim, Shtjefën Gjeçovi mbetet figura qendrore që e shpëtoi Kanunin nga zhdukja. Me punën e tij ai siguroi ruajtjen e një kodi juridik dhe kulturor, i cili sot është pasuri kombëtare. Vepra e tij është dëshmi se shqiptarët kishin një sistem të zhvilluar të së drejtës zakonore, të bazuar mbi besën, nderin dhe lirinë. Pa Gjeçovin, Kanuni do të kishte mbetur një kujtesë e shpërndarë në male, me të, ai u bë një trashëgimi e shkruar dhe e përjetshme.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren