Në Angli, tri drama të shkruara në vitet 1730 kishin kryetemë Skënderbeun që po shpëtonte një grua të re nga osmanët. Rrëfimi ndjell interesim romantik për audiencën, teksa gruaja në fjalë simbolizonte vendin për të cilin po luftonte Skënderbeu. Elementi i njëjtë i fabulës shfaqet edhe një shekull më vonë, në një novelë romantike historike më 1833 të kryeministrit të ardhshëm britanik, Benjamin Disraeli (1804-81), me titullin “The Rise of Iskander” (“Ngritja e Skënderbeut”)
Kur Perandoria Osmane po zgjerohej në Evropë në shekujt pesëmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë, dallimet fetare ndërmjet osmanëve islamikë dhe evropianëve të krishterë, si dhe ndërrimi i aleancave politike, në Ballkan ishin kohë turbullirash. Fuqitë evropiane u shkonte për qejfi shembulli i heroit shqiptar, Skënderbeu, i cili me sukses u kishte rezistuar forcave osmane për një çerekshekulli. Trimëria e jashtëzakonshme ushtarake e Skënderbeut është lartësuar në poezi e prozë qe gjashtë shekuj me radhë.
Gjergj Kastrioti, i njohur më vonë si Skënderbeu, u lind më 1405, në një familje fisnike në Krujë, rreth dyzet kilometra në veri të Tiranës, në Shqipëri. Kur Gjergji ishte tetëmbëdhjetë vjeç, babai i tij, Gjon Kastrioti, ishte i detyruar të dërgonte Gjergjin si peng që të trajnohej dhe t’i shërbente ushtrisë osmane. Gjergji ishte i shkëlqyer në çështjet ushtarake dhe qëndroi me forcat osmane për njëzet vjet me radhë, duke u bërë sundimtar rajonal ose bej. Shkathtësitë luftarake të Gjergjit krahasoheshin me të Aleksandrit të Madh (Iskander), rrjedhimisht ai do të quhej Iskander Bey ose Skënderbe.
Nga viti 1443, pa kaluar shumë kohë pas vdekjes së babait, Skënderbeu ia ktheu shpinën ushtrisë osmane dhe rimori tokën e babait. Hoqi dorë edhe prej islamit dhe iu rikthye krishterimit. Gjatë pjesës më të madhe të 25 vjetëve të ardhshëm, deri në vdekjen e tij prej sëmundjes më 1468, ai luftoi triumfalisht, kryesisht në luftë kryengritëse nëpër rajonet malore afër Krujës, kundër forcave superiore osmane, dhe çmohej me të madhe prej Vatikanit, sikurse edhe prej aleatëve të tjerë të krishterë në Evropë, për frenimin e avancimeve osmane nëpër Shqipëri drejt pjesës tjetër të Evropës.
Meqë historia e Skënderbeut rezonoi fuqishëm te evropianët antiosmanë, nisën të shfaqeshin libra për të rreth dyzet vjet pas vdekjes së tij. Libri i parë për të ishte botuar në Romë kah vitet 1508-10, shkruar latinisht prej shqiptarit Marin Barleti, prift riosh i katolicizmit roman nga qyteti i Shkodrës. Sipas peshkopit dhe burrështetasit Fan Noli (1882-1965), Barleti, i cili ishte riosh kur vdiq Skënderbeu, i njihte personalisht shumë prej bashkëluftëtarëve të Skënderbeut. Sidoqoftë, libri i Barletit, “Historia de vita et festis Scanderbegi” (“Historia e Skënderbeut”), si shumë biografi të shkruara atëherë, ngarkohej me lavde kundrejt temës, duke krijuar një legjendë. Libri ngërthen ekzagjerime, gabime kronologjike, veprime, fjalime dhe letra të sajuara. Megjithatë, biografia e Barletit është themel për shumë përkthime dhe vepra të tjera për Skënderbeun deri në ditët e sotme.
Biblioteka e Kongresit ka dy versione të hershme të Barletit, me njërën që mbase është e vitit 1520, //lccn.loc.gov/49032050?loclr=blogint, dhe një tjetër të vitit 1537, //lccn.loc.gov/45027439?loclr=blogint. Biblioteka ka edhe një vëllim të vitit 1541 të botuar prej shtypshkronjës së njohur të Venedikut, “Aldine” //lccn.loc.gov/45044727?loclr=blogint, me informacione për Skënderbeun prej punës së dy dijetarëve italianë të historisë turke, Paulo (Paolo) Giovio dhe Andre Gambini.
Gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë, librat për Skënderbeun, sidomos përkthimet e Barletit, shkruheshin në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, greqisht, polonisht, portugalisht, spanjisht dhe në gjuhë të tjera, me emrin e Skënderbeut që po bëhej pikë kthese për Evropën kundër pushtimeve osmane.
Në Francë, Barleti ishte përkthyer prej Jacques de Lavardinit (aktiv gjatë viteve 1575-85), i cili kishte shtuar edhe materiale të tjera (nganjëherë me mëdyshje), si dhe një sonet për Skënderbeun prej poetit të njohur, Pierre de Rousard (1524-85). Ky version francez, shtypur më 1576, u shfaq në përkthim anglisht 20 vjet më vonë. Në vend të sonetit frëngjisht të Rousardit, versioni anglisht përfshinte një sonet të poetit anglez, Edmund Spenser (1522-99). Ky vëllim përfshin edhe një shprehje të rëndomtë në Anglinë e shekullit të shtatëmbëdhjetë, “Shpata e Skënderbeut duhet ta ketë krahun e Skënderbeut”. Besohej rrejshëm se Skënderbeu i kishte dërguar Sulltan Mehmetit të Dytë një shpatë që askush në oborrin mbretëror të sulltanit nuk mund ta mbante. Kur Skënderbeu ishte akuzuar për besim të rrejshëm, ai ua kthente se edhe shpatës i duhej dora dhe krahu i duhur për ta vringëlluar. Shumë shfaqje dhe opera u realizuan për Skënderbeun në gjysmën e parë të shekullit të tetëmbëdhjetë. Në Angli, tri drama të shkruara në vitet 1730 kishin kryetemë Skënderbeun që po shpëtonte një grua të re nga osmanët. Rrëfimi ndillte interesim romantik për audiencën, teksa gruaja simbolizonte vendin për të cilin po luftonte Skënderbeu. Elementi i njëjtë i fabulës shfaqet edhe një shekull më vonë, në një novelë romantike historike më 1833 të kryeministrit të ardhshëm britanik, Benjamin Disraeli (1804-81), me titullin “The Rise of Iskander” (“Ngritja e Skënderbeut”).
Opera e kompozitorit italian Antonoi Vivaldi (1678-1741), “Skënderbeu”, ishte e para që do të performohej në Firence më 1718. Në Francë, një operë me muzikë të dy kompozitorëve të njohur, Françoise Francouer (1698-1787) dhe François Rebel (1701-75), u dha premierë më 1735.
Mahnitshëm rrëfimi i Skënderbeut do të mbërrinte në fund deri në Islandë. Ia doli nëpërmjet Danimarkës, ku ishte shfaqur për herë të parë në danishte më 1709, pasuar prej një përshkrimi thelbësor më 1739 prej dramaturgut dhe historianit danez, Ludvig Holberg (1684-1754), në veprën e tij, “Adskillige store Heltes og berømmelige Mænds, sær Orientalske og Indianske, sammenlignende Historier og Bedrifter efter Plutarchi Maade” (“Historitë dhe arritjet krahasuese të shumë heronjve dhe burrave të mëdhenj, sidomos oriental dhe indianë, sipas Plutarkut”), //lccn.loc.gov/30020431?loclr=blogint
Teksti danez i Holbergut ishte përkthyer në islandishte dhe i ishin dhënë elemente tradicionale të një sage. Trembëdhjetë dorëshkrime të shekullit nëntëmbëdhjetë krijuan “Sagan af Skanderbeg” islandeze, (“Saga e Skënderbeut”).
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Clement C. Moore (1779-1863), i njohur më fort për veprën e njohur, “That was the Night Before Christmas”, botoi më 1850 një libër me titull: “George Castriot, Surnamed Scanderbeg, King of Albania”, //lccn.loc.gov/14000096?loclr=blogint . Më 1873, Henry Wadsworth Longfellow (1807-82) botoi poemën e titulluar “Scanderbeg” në “The Atlantic Monthly”. Ishte pjesë e veprës më të madhe të Longfellowit për t’i ndërthurur historitë nën titullin “Tales of a Wayside Inn”, botuar në tri vëllime më 1960-73, //lccn.loc.gov/06046546?loclr=blogint. Aty, ai përmend shqiponjën dykrenore në stemën e Skënderbeut. Kjo emblemë është sot në flamurin e Shqipërisë.
Shumë edicione të novelës, “The Captain of the Janizaries”, //lccn.loc.gov/07014741?loclr=blogint, të klerikut presbiterian, James Meeker Ludlow (1841-193), dolën në fund të viteve 1800. Fabula ka në thelb dy vëllezërit njomakë, njëri që rritet duke luftuar me Skënderbeun, derisa tjetri kapet në moshë të re prej osmanëve dhe bëhet lider i talentuar i Sulltan Mehmetit të Dytë.
Më 1930, poeti irlandez, Padraic Colum (1881-1972) botoi një poemë të titulluar “Scanderbeg” të pritur fort mirë nga kritika. Colum ishte ftuar në Bibliotekën e Kongresit më 1959 dhe e lexoi poemën e tij para një audience të gjerë. Ngjarjen e ka shtruar në Irlandën e tij, ku një riosh imagjinon kohën e Skënderbeut, duke e ndërthurur me kohët e konfliktit të armatosur në Irlandë, kur anglezët këpusin Lumin Shannon për t’ua marrë anën irlandezëve afër fshatit Aughrim, //lccn.loc.gov/93843042?loclr=blogint.
Një numër veprash dijetarësh do të vazhdojnë të botohen për Skënderbeun, me orvatje për ta ndarë faktin nga fiksioni. Peshkopi Fan Noli u bë pararojë me veprën e vitit 1947 për heroin e tij të jashtëzakonshëm, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-1468)”, //lccn.loc.gov/a48009989?loclr=blogint. Tituj për Skënderbeun mund të gjenden në katalogun e Bibliotekës së Kongresit //catalog.loc.gov?loclr=blogint.
(Shkrimi është botuar prej Grant G. Harrisit, shef i Divizionit Evropian, dhe Taru Spiegelit, specialiste referuese e Divizionit Evropian në Bibliotekën e Kongresit Amerikan. Shkrimi, publikuar më 11 prill 2019, është bazuar në dokumentet e ofruara nga Harris më 2018).
Leg1: Portreti i Skënderbeut në librin e Marin Barletit “Historia e jetës dhe veprës së Skënderbeut”
Leg2: Faqja e parë e librit të Barletit, botuar gjatë viteve 1508-10
Leg3: Ilustrim nga libri: “Historia e Gjergj Kastriotit, me mbiemër Skënderbe, Mbret i Shqipërisë”
Leg4: Ballina e librit “The Captain of the Janizaries”, të klerikut presbiterian, James Meeker Ludlow