Gjykata Speciale në Hagë sot pritet ta shpallë vendimin në rastin ndaj ish-krerëve të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Pas një procesi 1 vjeçar të gjykimit, dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë e mbrojtjes, Dhomat e Specializuara në Hagë do ta japin verdiktin e parë që nga themelimi.
Aktakuza fillestare kundër dy të akuzuarve u konfirmua më 11 dhjetor 2020 dhe u bë publike më 14 dhjetor 2020. Më 23 qershor 2021, paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht apelet e parashtruara nga Gucati dhe Haradinaj mbi mangësitë e pretenduara në formën e aktakuzës dhe urdhëroi që ZPS-ja të dorëzojë një version të korrigjuar të aktakuzës. Aktakuza e korrigjuar u dorëzua më 5 korrik 2021 ndërsa aktakuza me më pak redaktime u dorëzua më 4 tetor 2021.
Sipas aktakuzës, së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm).
Gucati dhe Haradinaj sipas Speciales gjithashtu bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.