11.1 C
Prizren
E hënë, 7 Tetor, 2024

Vramendje vere për fatin e letërsisë …

Nga: Josif Papagjoni

Para do kohësh po ndiqja një histori njerëzore te e “Diela Shqiptare” e TV Klan-it, njohjen e nënës me bijën e humbur, e cila kishte ndërtuar një tjetër jetë, lumturia e takimit etj. Emisione të tilla, ku histori njerëzore prekëse, mbushur me mall, aventura të habitshme e gati të pabesueshme, njerëz të vuajtur a çudanë, me çartje, aventura jete, sfilitje, sakrifica, përkushtim, fate të habitshme, dashuri apo urrejtje etj. – televizionet tona tanimë transmetojnë rëndom duke u falur njerëzve emocione të bukura. Por, teksa e ndiqja këtë histori, më kaploi tundimi për të cekur një ide që shpesh hidhet e trajtohet gjerazi në mendimin lidhur me të ardhmen e letërsisë, si mund të jetë ajo dhe a mund të jetë, apo do të shuhet, do të ndryshojë trajtë, do të rimodelohet etj?!

Jo pak arte kanë lulëzuar dikur dhe kanë vdekur më pas. A i kërcënohet letërsisë, të themi, një plakje, shuarje, një largim të vëmendjes dhe zëvendësim me diçka tjetër?

Teoritë estetike, sidomos qasjet eseistike, sjellin pandehma fatale; teknologjia e lartë, që do të sofistikohet më tutje me inteligjencën artificiale, do ta kthejë çdokënd në një shkrimtar … Sot letërsinë gati e ka përgjunjur televizioni, filmi, serialet, imazhi, të cilat sjellin histori tronditëse. Pra, “narrativën”, elementin bazik të letërsisë, po ia rrëmbejnë të tjerët. A do të humbasë ajo pak nga pak impaktin me lexuesin e gjerë dhe a do tkurret e zvogëlohet sa një “gogël” përballë një lexuesi të ngeshëm, disi sqimatar, le ta quajmë edhe aristokrat, intelektual, në daçi edhe snob? A do ta përballojë sulmin e tmerrshëm të televizionit dhe imazhit, në përgjithësi, me historitë e gjalla e subjektet tërheqëse plot interes që ato transmetojnë orë e ditë, apo do të katandiset në një bisht, në relikte a fosile?! … Ose pak më shkurt: letërsia do rrëfejë histori ngjarjesh e njerëzish apo do kridhet në krijimin e një tjetër bote, ku burim do të jetë gjithnjë e më shumë trillimi, sendërgjia, realitetet virtuale, të tejjetshme, ku do të luhet fort me përjetimin, shpirtin, ëndrrat, shkrepjet e imagjinatës dhe sajesat e fantazisë? A do ta braktisë letërsia lëndën e jetës së njëmendtë, a do të preferojë akoma të jetë ajo një letërsi realiste, ku shëmbëllimi i kësaj jetë do të mbetet kushti ekzistencial?

Dhe, këtu mbërrijmë te elementi parak i letërsisë: rrëfimi, narrativa. Shkurt, të të shkruarit e një historie, shpeshherë e gjitha kjo e njohur apo e quajtur si subjekt. Ani pse letërsia i moderon format dhe mjetet e veta shprehëse, gjithsesi mënyra e të rrëfyerit dhe vetë rrëfimi i një historie, krijimi i një subjekti, ka qenë e mbetet në një shumicë rastesh e veprash të mëdha, çështje e palcës së letërsisë, e faktit përse ajo ekziston dhe funksionon. Kam lexuar qindra e qindra libra, por edhe kur letërsia i largohet jo pak formës klasike të rrëfimit e subjektit, kur i vështirëson enkas ato, unë e dua letërsinë që të jetë aktive në raport me mua si lexues, të jetë e ëmbël dhe e mirëseardhur, ndryshe, sado e lakuar si moderne e postmoderne, kjo letërsi nuk më ngroh. Ajo ma humb kureshtjen, ma fashit ndjesinë e ndjekjes me ankth e tension të historisë deri në faqen e fundit. Madje, edhe shkrimtarë të mëdhenj si Xhoisi dhe Prusti më kanë lodhur me romanet e tyre, paçka se lëvdohen si shpikës të një mënyre të re rrëfimi të ashtuquajtur “përroi i ndërgjegjes”. Madje, “Uliksin” e Xhojsit e lexova dy herë, herën e dytë si me inat për të vërtetuar se shijet e mia, pas 20 e kusur vjetësh, kur romani u botua së pari në shqip, diçka ishin përpunuar. Por, jo, më lodhi po njësoj … Jam unë vallë pa shije e formim letrar apo ky lloj i letërsisë moderniste, eksperimentale, ka një tjetër kod komunikimi, ecën në të tjera shina që nuk janë ato të letërsisë, le ta quajmë klasike?! Mirëpo, kjo letërsi edhe sot, paçka se kanë kaluar dekada, mund të shijohet nga fare pak njerëz, ndërsa të tjerët janë jashtë banketit të tyre?

Çfarë dua të them te kjo ese?

Letërsia e nesërme a mund të bëjë pa rrëfimin, pa tregimin e një historie interesante, befasuese, origjinale, të mëvetësishme? Apo, ajo do të pëlqejë udhë të tjera, përtej narratives, duke i mëshuar krijimit te situatave emocionale nën trysni, ose anktheve, zhbirilimeve, traumave ku qenia ndodhet si në një bosh, mugëtirë, medium të parrokshëm, as ashtu as kështu, duke sjellë “apokalipsin” e një vetëdijeje të çoroditur, gati ne trans?! A është i tejkaluar “rrëfimi” si element substancial i letërsisë (romani) apo kjo priret te të tjera modelime, me përdorime simbolikash e qasjesh metaforike që mbërrijnë në krijime realitetesh tërësisht virtuale, po njësoj edhe me sendërgjime e krijime marrëdhëniesh njerëzore që merren thjesht si pretekste, për të ofruar më pas situata alogjizmi, apo ato të absurdit, të kotësisë, të sajimeve mitologjike, të realiteteve paradoksale, të kllapive, situata psikotike sipas pirjes a injektimit të drogave etj.?!

Unë them se një letërsi e tillë nuk do të jetë asnjëherë zotëruese, asnjëherë e pëlqyer nga një lexues masiv dhe “normal”, që nuk ka për mision ta lodh kokën me gjësende që e vështirësojnë kuptimin dhe perceptimin, por që kërkon të kënaqet estetikisht.

Nëse letërsisë i dobësohen dy ashtet e saj, rrëfimi dhe joshja (kënaqësia), ajo i ikën funksionit të vet zgjedhor dhe e tradhton specifikën estetike. Lexuesi kërkon të identifikohet me personazhet dhe peripecitë e tregimit, romanit. Po ia dobësove a ia hoqe këtë lidhje, letërsia e humbet fuqinë empatike të saj, nuk bëhet dot një dytës dhe bashkëshoqërues i yti si lexues i saj. Magjia humbet.

Por, nga ana tjetër, këto të dyja, sidomos e para, pra sjellja e historive njerëzore interesante, prekëse, të veçanta, atakohet dhe konkurrohet jo pak aktualisht nga televizionet dhe historitë tejet interesante që ato i japin publikut masiv shqiptar si një “gjellë” kazani, pra njerëzve të thjeshtë, “ushtrisë”, pa shumë pretendime dhe sofistikime ndaj artit. Duhet thënë se jo pak histori njerëzore në televizione, janë tejet të pëlqyeshme, ndikuese dhe me impakt të fortë në popull. Letërsia përpara tyre shqyen sytë! Pandehma të frikshme thonë se letërsia dhe artet, në kushtet e teknologjive të larta të komunikimit, imazhit, përpunimit figural etj., do të konkurrohen aq fort prej këtyre sa ose do të vdesin (të cilën s’e besoj), ose do të ndryshojnë me themel formën dhe thelbin e tyre zgjedhor estetik. Dhe, këtu edhe unë besoj se letërsia që po vjen do të modifikojë në mënyrë të ndjeshme formën e shprehjes artistike për të rekrutuar lexuesit e saj, gamën e mjeteve se si ta bëjë sa me shumë tërheqëse vetveten për lexuesin e gjerë, duke u dhëne atyre njëherazi ndjeshmëri, mistike, përsiatje, kënaqësi dhe dëshirë për çaste filozofimi, arrati nga jeta e rëndomtë, meditim.

Një grimë herë dua të kujtoj eposin homerik, “Iliadën” dhe “Odiseun”. Vallë i lexon kush ato sot? Shumë, shumë pak njerëz, ndofta ca studentë, pedagogë dhe njohës të letërsisë i lexojnë. Më bukur ato i sheh në filma. Po “Luftën dhe Paqen” të Tolstoit, e lexon kush vallë nga të rinjtë e sotëm? Druaj, se jo! Poezia epike pati kohën e vet, iku, u shua. Edhe romanet shumëvëllimëshe, si epose popujsh e ngjarjesh të mëdha historike, nuk pëlqehen më. Njerëzit s’kanë më durim. Shpejtojnë. Ritmi është tejet i lartë. S’ka më nge. Vendin e këtyre eposeve me mijëra faqe e zunë të tjera forma, që edhe pse janë epike, janë shumë dinamike. A lexohet valle “Lahuta e Malcis’” e Fishtës sot, dikur tejet e pëlqyer, e mbajtur përmendësh dhe e recituar gjithkund? Ku është teatri antik grek? Mënyra si bëhej teatri asaj kohe, sidomos kërkesa dhe impakti psikosocial me publikun qenë tejet aktive, përfshirë edhe religjionin me ndjeshmëritë e thukëta ku shfaqja shndërrohej në akt civil, politik dhe fetar. Ajo lloj formë e teatrit vdiq. Po kështu Comedia dell’ Arte etj.

Po. Arti në vetvete nuk vdesë, njeriu do të ketë nevojë për krijimin. Mirëpo, format e tij ndryshojnë, paçka se teori të ndryshme futuriste vërtetojnë se ai, arti, do të “vdesë” dhe do të zëvendesohet me forma të tjera kënaqësie dhe komunikimi. Që mos të përhumbem në hamendjesime, po zbres në tokë me pyetjet: A rrezikohet, p.sh., poezia, sidomos ajo epike? Po romani i stërgjatë ku të duhet të gëlltitësh tonelata me “ujë”, përshkrime imtësish jo fuçia atje, jo jaka e palosur këtu, jo fijet e flokut ashtu etj.

Kam një ndjenjë frike dhe stepjeje për letërsinë shqipe sot, për shkrimtarët e panumërt që botojnë gjithkund e gjithherë, dhe të gjithë fitojnë çmime ndërkombëtare nga qytezat dhe fshatrat e shumtë. A lexohen vallë? A janë interesante romanet e tyre? Deri ku dhe deri sa lexuesi priret drejt kësaj letërsie të pashoshur, drejt këtij apo atij shkrimtari. Sa është tirazhi i një romani? A ia vlen të botosh 30 a 50 kopje me paret e tua dhe t’ua japësh ca miqve e bibliotekave falas, pa para? A janë vallë më interesante këto histori njerëzore, që vijnë nga ekranet televizive, sesa historitë e përpunuara artistike të romaneve të sotme? A i njeh kush këto romane? Pse s’lexohet sot? Vallë fajin e ka vetë letërsia me mediokritetin e saj dhe lumnajën e shkrimtarëve dhe librave të tyre pa sens, pa vlerë e pa kriter, apo e ka fajin mungesa e lexuesit, thënë më qartë niveli i ulët i këtij lexuesi, mungesa e dëshirës së të lexuarit duke e ngopur veten me lexime në celular, kafe, birra, kotësi, gromësima. Pra, vetë shoqëria me ca mjete e mënyra të tjera se si po e ofron leximin, vetë letërsinë. Mos ndofta shoqëria vetë, edhe ajo shqiptare, po e zëvendëson pak nga pak letërsinë me forma të tjera rrëfyese, pamore, edhe më aktive se germa, edhe më të thjeshta dhe pa e lodhur syrin, mendjen? Do të jetë nesër letërsia pjesë e vlugut, e një konsumi masiv për të mbushur stomakët e kënaqësive të thjeshta në ditë plazhesh apo do vetëmbyllet te një pakicë lexuesish të ngeshëm, me shije?

Besoj jemi të një mendjeje se sot lexohet shumë pak letërsi. Njerëzit nuk kanë qejf të lodhen me gravitetin e ideve, mendimeve, figurave dhe gjithë atyre finiturave e sofistikimeve që ajo, letërsia si art, i ka dhe i përdor me qejf?! Kam frikë se edhe letërsia do të marrë plagë të rënda nga topuzët e kohës së re. Janë topuzë të një perandorie skllevërish të rinj, që përtojnë të lexojnë, gërryer nga ankthet, ritmi i lartë, pamundësitë. Dhe, të kthyer në shtëpitë e veta, sfilitur nga puna dhe stresi, vetëmjaftohen me fuqinë e formave moderne te komunikimit dhe perceptimit nëpër ekrane celulari dhe Ipad-esh, teksa subjektet interesante i vijnë si salcra të gatshme nga ekranet televizive. E ç’i duhet më shumë?!

A do të vdesë, pra, letërsia apo do të mbijetojë?! A do ta gëlltisin atë format e reja, teknologjitë e larta të imazhit dhe të zërit, llojet e reja të perceptimit artistik, ato vizive dhe ato auditive? Kush të rrojë, ka kohë. Me një kafe a birrë para, këtu në Sarandë bri plazhit ku unë kaloj paraditen, ju ftoj dhe ju njerëz të letrave të meditoni cazë, për qejfin tuaj …

Më Shumë

77 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

77 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë. Nga këto 77 aksidente, 24 kanë përfunduar me të lënduar, ndërkaq 53...

Islamic Relief Kosova nga Kanada përkrah financiarisht fermerët e Suharekës

Komuna e Suharekës ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me përfaqësuesit e Islamic Relief Kosova nga Kanada, për të ndihmuar financiarisht fermerët e kësaj...

Lajmet e Fundit