7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Vrasja për 20 euro në Suharekë/ Bishti i sëpatës ishte gjetur pranë kufomës

Dëshmitari Agron Aliu ka deklaruar se pas vrasjes së tani të ndjerit Shaip Krasniqi, pranë kufomës kishte qenë një bisht druri i sëpatës.

Këtë deklarim Aliu e bëri në seancën e mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Syljeman Ahmeti po akuzohet për vrasjen e Krasniqit vitin e kaluar, për shkak të një borxhi prej 20 euro që vëllai i të ndjerit ia kishte Ahmetit.

Dëshmitari Aliu tha se në natën kritike ishte duke punuar në lokalin e tij, ku edhe i kishte shërbyer mysafirët prezent. Ai bëri të ditur se në atë kohe ishte duke punuar në banak, me qëllim që t’i ndihmonte babait të tij.

Dëshmitari deklaroi se babai i tij ka qenë i ulur në tavolinë me Shaip Krasniqin dhe Nderim Aliun, ku më pas kishte shkuar edhe Sylejman Ahmeti në lokal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka ardhur në tavolinën ku kanë qenë ulur babai im me Shaipin dhe Nderimin dhe i ka përshëndetur, mirëpo Shaipi nuk ia ka zgjatur dorën duke i thënë se e keni sharë personin e gabuar”, deklaroi dëshmitari Aliu.

Pas kësaj, ai tha se e kishte shërbyer me birrë Sylejman Ahmetin dhe pastaj ishte kthyer për të punuar në banak, konkretisht duke u marrë me fatura dhe duke shënuar pijet, për çka dhe nuk e ka parë se çfarë ka ndodhur pastaj.

Tutje, ai tha se sa ishte në banak nuk kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje në lokal dhe se në kohën kur ka ndodhur ngjarja, pas disa çastesh kishte dalë jashtë dhe kishte parë kufomën e shtrirë në asfalt.

I njëjti shtoi se pranë kufomës kishte qenë një bisht druri i sëpatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari deklaroi se nuk ka aspak njohuri se çfarë kishte ndodhur jashtë dhe se për shkak të shtënave ishte penguar nga të tjerët që të dal jashtë.

Pas dëgjimit të tij seanca vazhdoi me propozimet e palëve, ku në fund, kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha aprovoi propozimet që në seancën e ardhshme të dëgjohen dëshmitarët Gëzim Gashi, Fatjon Aliu, Leutrim Aliu dhe Nijazi Ahmeti

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan për 12, 15 dhe 16 nëntor 2021, prej orës 09:00.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon Sylejman Ahmetin se privoi nga jeta tani të ndjerin Shaip Krasniqi, më 26 janar 2020 në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Shaip Krasniqi vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi Limani e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VË”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, Agron Krasniqit dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Shaip, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë”.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Vepra penale “vrasja e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. Ndërsa, vepra penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

“Gjekovë” huqja drejtshkrimore në tabelë te hyrja e Prizrenit

Në hyrje të Prizrenit kanë gabuar në drejtshkrim në tabelë ku shkruan Gjekovë në vend të Gjakovës Ndërsa ajo në gjuhën serbe është shkruar si...

Shtyhen ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka vendosur për shtyrjen e ndeshjeve gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Ky vendim vije pasi Presidentja e vendit tonë...

Lajmet e Fundit