-3.2 C
Prizren
E hënë, 6 Shkurt, 2023

Vullneti i PDK-së për transferim pushteti nuk është i thjeshtë

Krenar GashiAnalisti Krenar Gashi, konsideron se ecuria e zhvillimeve politike në vend, varet nga vullneti i PDK-së për ta transferuar pushtetin tek koalicioni paszgjedhor LDK-AAK- Nisma. Por, një transfer i tillë, sipas tij nuk është aq i thjeshtë. Gashi, në një intervistë për Tribunën, shpreh qëndrimin rreth çështjes së mandatarit, Gjykatës Kushtetuese, si dhe për çështjen e kryeparlamnetarit.

Tribuna: Si i shihni zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare që u vlerësuan si më të mirat gjer më tash?
Gashi: Zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit ishin një kthim i frymës demokratike në procesin e shtetndërtimit në Kosovë. Pasi që ishim dëshmitarë të një vjedhjeje industriale të votave në vitin 2010, ka qenë e domosdoshme që t’i tregojmë pikë së pari vetes, e më pas edhe bashkësisë ndërkombëtare si bartëse e projektit të shtetndërtimit në Kosovë, se ne e dimë çka është demokracia, si formësohet dhe si ruhet ajo, dhe se sa e shenjtë është fuqia individuale e votës. Megjithatë, menjëherë pas tejkalimit të këtij testi të vogël të demokracisë, Kosova u fut menjëherë në një test tjetër, edhe më të madh, që ndërlidhet me interpretimet e Kushtetutës së Republikës sa i përket procesit të formimit të qeverisë.

Në njërën anë e kemi PDK-në si fituese relative e zgjedhjeve, të cilës për shkak të praktikës institucionale të krijuar me precedent duhet ofruar mundësia për të formuar qeverinë. Në anën tjetër, e kemi një koalicion të shumicës në Kuvend, ekzistenca e të cilit ia pamundëson PDK-së ta bëjë një gjë të tillë. Meqë demokracia jonë është shumë e re dhe nuk kemi pasur raste të tilla në të kaluarën, debati për interpretimet e dispozitave kushtetuese, qofshin ato edhe më joprofesionale, është i dobishëm për shoqërinë.

Nëse për hir të argumentit situatën e krijuar e thjeshtësojmë deri në palcë, atëherë të gjitha zhvillimet mund t’i shohim përmes prezencës ose mungesës së vullnetit të PDK-së, për t’ia transferuar pushtetin koalicionit LDK-AAK-Nisma, të mbështetur nga VV, koalicion ky që e ka shumicën e ulëseve në Kuvend. Kjo, meqë sipas të gjitha gjasave, PDK-ja nuk do të mund të ndryshojë grupimin e forcave politike në Kuvend për të krijuar një shumicë tjetër që do t’i mundësonte asaj mbajtjen e pushtetit.

Vullneti i PDK-së për të transferuar pushtetin, megjithatë, nuk është aq i thjeshtë. Pas luftës, të gjithë kanë pritur se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet dhe kjo nuk ndodhi. Kësisoj, bashkësia ndërkombëtare pati imponuar një qeveri teknike në krye me Bajram Rexhepin, për shkak se si përfaqësuese e krahut të luftës, PDK-ja është parë si forcë destabilizuese për të gjitha proceset në rast se do mbetej në opozitë. Tre vjet më vonë, kur PDK-ja i humbi zgjedhjet për herë të dytë dhe mbeti në opozitë. Tash e kemi një PDK që është fituese relative e zgjedhjeve dhe e cila pas shtatë viteve në pushtet e ka zaptuar shtetin në shumë sfera. Mjafton të shihet se kënd i kemi sot shërbyes civilë, drejtorë, guvernator të Bankës Qendrore, ambasadorë e udhëheqës të agjencive që do duhej të ishin të pavarura dhe shihet qartë se sa thellë shkon ky partiakizim. Kësisoj, përbrenda PDK-së është krijuar një përshtypje se partia është shteti dhe se shteti është partia. Kur kjo kombinohet me faktin që kjo parti doli e para në zgjedhje, e që ky partiakizim i shtetit ka ndikuar në mënyrë indirekte edhe në këtë sukses, sfida më e madhe për Kosovën mbetet pikërisht lëshimi i pushtetit nga ana e PDK-së, parti kjo e cila ende mund të shihet si forcë destabilizuese nga dikush nëse mbetet në opozitë.

Si rrjedhojë, tani ka disa zëra, mbase edhe brenda vetë PDK-së, që vënë në pah mundësinë e koalicionit të gjerë dhe qeverisë teknike. Unë nuk e shoh një gjë të tillë si të nevojshme, meqë besoj që PDK-ja, megjithatë, do ta ketë pjekurinë e duhur politike për ta dorëzuar eventualisht pushtetin.
Tribuna: Cilat mendoni se do të jenë pasojat krizës në të cilën kemi hyrë?
Gashi: Nuk do të thoja që jemi në krizë. Jemi vetëm para një sfide të madhe të demokracisë, mbase më të madhen që e kemi pasur ndonjëherë. Pasojat e kësaj sfide mund të jenë zero, nëse gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë dhe e pakontestuar nga partitë politike, ose shumë të mëdha, nëse përmes situatës së krijuar dështojmë të gjejmë çfarëdo zgjidhje të pranueshme. Në politikë gjithmonë është e rëndësishme që çfarëdo zgjidhje të jetë e pranueshme nga të gjithë, e nëse jo nga të gjithë, atëherë të paktën nga shumica.
Merreni për shembull zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Evropian, proces ky i cili deri sivjet asnjëherë nuk është votuar meqë vendet anëtare të BE-së kanë arritur të gjejnë zgjidhje konsensuale. Megjithatë, sivjet, Britania dhe Hungaria ishin kundër propozimit të vendeve tjera, por, përkundër këtij kundërshtimi, Jean Claude Junker fitoi shumicën e trefishtë të votave që i nevojiten. Natyrisht se mungesa e konsensusit, pra e pranimit të një zgjidhjeje nga të gjithë, do të shkaktojë irritime, edhe në Evropë, e sidomos në një demokraci të re si Kosova. Megjithatë, demokracia është dhe mbetet sundimi i shumicës me respektim të pakicës. Kjo duhet të jetë zgjidhja edhe tek ne. Shumica duhet të sundojë.
Tribuna: A mendoni se Gjykata Kushtetuese do të zgjidh ngërçin institucional?
Gashi: Pikë së pari, një çështje e tillë që ndërlidhet me praktikat institucionale, është dashur të zgjidhet përmes vendimeve politike të cilat krijojnë precedentë. Njësoj siç bëri Jakup Krasniqi, si ushtrues i detyrës së Presidentit në viti 2010, kur e mandatoi PDK-në për të formuar qeverinë, veç pse kishte dalë e para në zgjedhje, dhe ende pa e arritur një shumicë në Kuvend siç kërkohet me Kushtetutë, duke e krijuar precedentin se është fituesi relativ i zgjedhjeve ai që duhet të mandatohet i pari, edhe presidentja Jahjaga ka mundur të vendosë vet për këtë çështje pa e dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese. Një vendim i tillë ka mundur t’i ketë disa modalitete e forma. Fundja, për këtë arsye kemi shef të shtetit dhe nuk mund ta zëvendësojmë këtë pozitë me gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, duke e ditur fuqinë politike të presidentes, e cila është virtualisht inekzistente, mbase nuk duhet kritikuar shumë për këtë mungesë të veprimit politik.

Meqë është kërkuar një sqarim i dispozitave kushtetuese nga gjykata, atëherë çfarëdo që të jetë interpretimi i gjykatës duhet respektuar nga të gjithë. Këtu rrezikojmë si shtet dhe si shoqëri të favorizojmë atë që njihet si aktivizëm gjyqësor, kur një gjykate i lihet në diskrecion të vendosë norma të tilla që në fakt i takojnë shkencës politike dhe jo asaj juridike, pra rrjedhimisht politikanëve e jo gjykatësve.
Rreziku i interpretimit puro juridik të çështjeve të tilla politike qëndron te fakti që shkenca politike e merr për bazë gjithë funksionimin e demokracisë, ndërsa drejtësia është e verbër sa i përket pasojave anësore. Kësisoj, gjykata mund të sjellë një interpretim i cili i lë zgjedhjet e jashtëzakonshme si të vetmen zgjidhje nga situata e krijuar, duke e lidhur përfundimisht dhe domosdoshmërisht partinë fituese të zgjedhjeve, pra fituesin relativ, me qeverinë e pas zgjedhjeve. Paramendojeni nëse në të ardhmen fituesi relativ të ketë vetëm një votë më shumë sesa partia e dytë në zgjedhje. A do duhej që ky fitues relativ domosdoshmërisht të jetë në qeveri dhe e vetmja rrugëdalje të jenë zgjedhjet e reja? Natyrisht se jo.
Tribuna: A rrezikojmë zgjedhje të jashtëzakonshme?
Gashi: Rreziku për zgjedhje të jashtëzakonshme ndërlidhet ngushtë me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kahjen e formësimit të mëtejmë të demokracisë sonë të njomë.
Në shkencën politike, kur vjen puna të formimi i qeverisë, ekzistojnë dy lloje të parlamentarizmit. I pari është parlamentarizmi pozitiv, në të cilat demokraci parlamentare qeveria zgjidhet përmes votimit në Kuvend. Kjo zgjedhje mund të bëhet më shumicë relative, pra me më së shumti vota, ose përmes shumicës absolute, ku kërkohet shumica e të gjithë deputetëve, siç është rasti i Kosovës. I dyti është parlamentarizmi negativ, ku qeveria nuk ka nevojë të votohet në Kuvend. Në këtë lloj të parlamentarizmit, si p.sh. në vendet skandinave por edhe në Britani, nuk kërkohet votim i qeverisë në Kuvend dhe rrjedhimisht fituesi relativ i zgjedhjeve e formon qeverinë. Ky klasifikim i demokracive parlamentare është qenësor dhe nuk ka kombinime të dy modeleve, meqë një kombinim i tillë e rrezikon funksionimin e demokracisë.
Arsyet pse unë besoj që bashkësia ndërkombëtare ka zgjedhur një model pozitiv për Kosovën, që është modeli gjerman ose ‘kanzleramt qeverisja’, janë pikërisht ndasitë e mëdha në aspektin politik e etnik. Ky model garanton gjithëpërfshierje në qeverisje dhe domosdoshmërisht kryeministra e qeveri të forta të cilat e kanë shumicën absolute në Kuvend dhe e shtyjnë fare lehtë agjendën e tyre legjislative. Në rast se Gjykata Kushtetuese insiston që fituesi relativ i zgjedhjeve duhet medoemos të jetë në qeveri, pra që këtij fituesi relativ t’i ofrohet mandati edhe për herën e dytë, atëherë do ta bëjë pikërisht këtë kombinim të modeleve të demokracisë, përmes aktivizmit gjyqësor. Pra, në njërën anë e vendosë parimin e parlamentarizmit negativ, që fituesi gjithsesi duhet të jetë në qeveri, ndërsa ne anën tjetër kërkohet qartë që kjo qeveri të votohet nga shumica absolute e deputetëve në Kuvend, që është tipar i parlamentarizmit pozitiv. Kësisoj, jo që rrezikojmë të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme sivjet, por rrezikojmë një cikël të përsëritshëm të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të ishte absurd në vete.
Tribuna: Si mendoni se do të zgjidhet çështja e kryeparlamentarit, kush do të ketë të drejtë ta propozojë?
Gashi: Çështja e Kryetarit të Kuvendit është çështja më e qartë në gjithë këtë rrëmujë interpretimesh dhe nuk do shumë mend për t’u zgjidhur. Pas zgjedhjeve, deputetët janë vetëm përfaqësues të popullit dhe ata mund të bashkohen në grupe të ndryshme parlamentare sipas dëshirës së tyre. Meqë grupi më i madh parlamentar e propozon Kryetarin e Kuvendit, përderisa LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosja arrijnë ta formojnë një grup të përbashkët parlamentar, kjo e drejtë do t’u takojë atyre. Ekziston, megjithatë, një rrezik i vogël që Gjykata Kushtetuese të përzihet edhe në këtë punë, duke e përfshirë çështjen e kryeparlamentarit në margjina të përgjigjes ndaj pyetjeve që i ka parashtruar presidentja. Unë nuk besoj që kjo do të ndodhë, meqë gjykata ka refuzuar të merret të paktën me një rast që ka të bëjë me procedurat parlamentare, kur e pati refuzur kërkesën e AAK-së për të marrë pozitën e nënkryetarit të Kuvendit. Duhet theksuar se kjo kërkesë është refuzuar në pranueshmëri, pra gjykata asnjëherë nuk e ka shqyrtuar si lëndë meqë nuk e ka konsideruar se është e pranueshme për shqyrtim. Nëse megjithatë në përgjigjet e saj gjykata merret edhe me çështjen e kryeparlamentarit, kjo do të përbënte një tejkalim i kërkesës dhe pyetjeve të presidentes si dhe një aktivizëm i panevojshëm gjyqësor, që patjetër se do ta dëmtonte reputacionin e gjykatës si gardian i pavarur dhe i paanshëm i Kushtetutës së Republikës.
Tribuna: A mendoni se ka nevojë për reformë kushtetuese, marrë parasysh dykuptimësitë?
Gashi: Kjo çështje pak a shumë do të varet nga fjala e fundit e gjykatës. Unë, megjithatë, nuk shoh nevojë për ndryshime kushtetuese sa i përket kësaj çështjeje, meqë për ne që studiojmë shkencën politike gjithçka është e qartë. Në fakt, edhe nëse insistohet që fituesi relativ i zgjedhjeve duhet ta marrë dy herë radhazi mandatin për të formuar qeverinë, koalicioni që e ka shumicën në Kuvend mund të vendosë ta votojë një qeveri të tillë. Përderisa ky koalicion e ka shumicën, këtë qeveri mund ta rrëzojë, përmes mocionit të mosbesimit, sa herë dhe kurdo që të dëshirojë. Kësisoj, parimin bazë të demokracisë se është shumica ajo që duhet të sundojë, kushtetuta jonë e ruan shumë mirë, përkundër interpretimeve të skajshme të këtyre ditëve që po e krijojnë përshtypjen e dykuptimësisë. E njëjta shumicë, pas mocionit të mosbesimit, mund të formojë qeverinë. Tek e fundit, ky koncepti i fituesit të zgjedhjeve vlen vetëm për qeverinë që formohet menjëherë pas zgjedhjeve. Nëse kjo qeveri rrëzohet pas disa ditëve, atëherë nuk ka provizion kushtetues e ligjor që e ndërlidhë fituesin e zgjedhjeve me qeverinë e re që mund ta zëvendësojë atë. Ani pse ndryshimet kushtetuese mund të ndodhin, unë nuk i shoh si të domosdoshme, të paktën jo për këtë punë. E sidomos kur merret parasysh fakti që çfarëdo që të jetë rrugëdalja nga kjo situatë, irritimi i dikujt në spektrin politik do të jetë aq i madh sa që vështirë se do të arrihet një konsensus i shpejtë për ndryshime kushtetuese.

Më Shumë

Bëhen 24 vjet nga Konferenca e Rambujesë

Para 24 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit...

Mot i vranët e me intervale të shkurtra me diell

Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët, por nuk do të mungojnë edhe intervalet e shkurta me diell. Sipas Institutit Hidrometeorologjik...

Lajmet e Fundit