Për shkak të mungesë së ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ka dështuar gjykimi ndaj tij dhe dy vëllezërve të tij, Faton dhe Arif Lushtaku.
Tre vëllezërit Lushtaku po akuzohen se e kanë sulmuar dy zyrtarët policorë, pasi që ia kishin shqiptuare një gjobë Arbër Lushtakut, djalit të Nuredin Lushtaku.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Nuredin Lushtaku, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka bërë të ditur se përmes një parashtresë nga kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri, nga Gjykata Themelore e Prishtinës ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet, pasi që Nuredin Lushtaku paraprakisht e kishte të caktuar një seancë në rastin “Veteranët”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kujtojmë, se edhe seanca e sotme në rastin “Veteranët” është shtyrë në mungesë të të akuzuarit Nuredin Lushtaku, ku sipas mbrojtësit të tij, avokatit Tahir Rrecaj, i njëjti ka munguar për arsye shëndetësore.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, e ngritur më 19 gusht 2022, të akuzuarit Faton Lushtaku, Arif Lushtaku dhe Nuredin Lushtaku, akuzohen për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Sipas aktit akuzues, ata po ngarkohen se më 2 korrik 2022 në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, të pandehurit, së bashku kanë sulmuar personat zyrtarë, policët Enver Berisha dhe Mërgim Geci, të cilët gjatë kryerjes se detyrës se tyre zyrtare, duke zbatuar kontrollin rutinë, kishin ndalë në komunikacion dëshmitarin Arbër Lushtaku, i cili ishte duke e drejtuar automjetin e tipit “Golf VII” dhe i kanë shqiptuar një tiketë për shkak të mosrespektimit të rregullave të komunikacionit- mosvënies së rripit të sigurisë.
Në aktakuzë thuhet se dëshmitari Arbër Lushtaku kishte thirr në telefon prindin e tij Nuredin Lushtaku, i cili menjëherë vjen me automjetin e tij së bashku me dy vëllezërit e tij Faton e Arif Lushtaku, ku i pandehuri Nuredin kishte filluar të fjaloset me zyrtarin policor Enver Berisha dhe se pas konflikti verbal Nuredini, Fatoni dhe Arifi iu kishin vërsulur të dëmtuarit Enver dhe me dorëz të armëve të shkurta të cilat i mbanin në duar, e kishin goditur të dëmtuarin Enver në kokë, i cili nga goditjet ishte përkulur për tokë, dhe të pandehurit i janë hedhur sipër mbi trup, duke e goditur me grushta dhe duke tentuar t’ia heqin armën nga dora, ku në atë moment ishte dëgjuar një e shtënë e armës, nga e cila ishte goditur i dëmtuari- polici Mërgim Geci në këmbën e djathtë tek nyja e gishtit të madh.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Enver Berisha kishte pësuar, gërvishtje lëkurore të gishtit të tretë të shuplakës së dorës së majtë, gjakderdhje nënlëkurore në regjionin muror të anës së djathtë të kokës, plagë qarëse, shqyrëse, ndërsa te i dëmtuari Mërgim Geci ishin shkaktuar lëndime trupore në regjionin e gishtit të madhe të shputës se këmbës se djathtë, me thyerje të shumëfishtë te kockës se shputës së gishtit të parë të shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës se hedhur nga arma e zjarrit, e që bëjnë pjesë në dëmtime të rënda trupore.
Për këto veprime, të akuzuarit Lushtaku po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par.6 lidhur me par.2 e 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Gjithashtu, të akuzuarit Lushtaku po ngarkohen se kanë mbajtur në pronësi armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm mbi armët – Ligjin 05/L-22 të Republikës së Kosovës, e për këtë ata po ngarkohen se kanë ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal, në bashkim real me veprën penale në pikë I të dispozitivit.
Aktakuza e Prokurorisë, ta akuzuarit Lushtaku i ngarkon edhe me veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, për shkak së të njëjtit më 2 korrik 2022, në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, kanë përdorur armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm mbi armët, ashtu që me kondak të armës e kanë goditur në kokë të dëmtuarin Enver Berisha, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”