3.2 C
Prizren
E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

MKRS-ja merr përsipër restaurimin e Kinemasë Lumbardhi, të anuluar nga Zyra e BE-së

Projekti për rivitalizimin e Kinemasë Lumbardhi në Prizren do të realizohet me mjetet nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pasi mbështetja e Bashkimit Evropian është anuluar për shkak të masave të Brukselit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Fondacioni Lumbardhi ka bërë të ditur se njoftimi nga Zyra e BE-së për anulimin e këtij projekti është kumtuar muajin e kaluar.

“Pas shumë vitesh përgatitje, restaurimi i kinemasë ishte paraparë të realizohej në kuadër të programit IPA të Bashkimit Evropian. Pas dy procedurave të pasuksesshme të prokurimit nga ana e Zyrës së Bashkimit Evropian, në fillim të tetorit kemi marrë njoftimin zhgënjyes që projekti në fjalë është anuluar “për shkak të masave të BE-së ndaj Qeverisë së Kosovës””, thuhet në njoftimin e Lumbardhit.

Megjithëkëtë aty është theksuar se kinemaja Lumbardhi pret restaurimin në vitin 2025.

“Dhjetë vite pas Iniciativës për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit dhe një procesi të gjatë dhe kompleks të projektimit dhe prokurimit, jemi të lumtur të ju njoftojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur procesin e mbledhjes së ofertave për realizimin e punëve restauruese”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë është nënvizuar se ky investim krahasim sigurimit të jetëgjatësisë së ndërtesës, mundëson edhe zbatimin e aktiviteteve të ndryshme.

“Me realizimin e këtyre punimeve, hapësira e kinemasë pritet të funksionojë me kapacitet të plotë gjatë gjithë vitit dhe të ofrojë program dhe mundësi hapësinore për aktivitete interdisiplinare”, ka njoftuar Lumbardhi.

Ky fondacion ka shprehur mirënjohje për reagimin e shpejtë të MKRS-së, sikurse edhe për ekipin, komunitetin e partnerëve, mbështetësve dhe miqve të Lumbardhit për durimin dhe përkrahjen gjatë këtyre viteve.

MKRS-ja përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se pas hartimit dhe miratimit të projekteve zbatuese, janë shpallur procedurat e prokurimit për punime rinovimi në ndërtesën e Galerisë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë me vlerë 1.7 milionë euro dhe Kinemasë së qytetit “Lumbardhi” në Prizren me vlerë 1 milion euro, raporton Telegrafi.

Bashkimi Evropian përmes fondeve të IPA 2020 pati ndarë dy milionë euro për projektet e rivitalizimit të kinemasë “Lumbardhi” në Prizren dhe të rrugës “Marin Barleti” në qendrën historike të qytetit.

Ndërkohë institucionet vendore patën marrë përsipër obligime të caktuara për funksionalizimin më të mirë të këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore të qytetit të vjetër. /Telegrafi/

Marketing

Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

Më Shumë

Lajmet e Fundit