Si pasojë e reshjeve të mëdha gjatë orëve të fundit, në disa rrugë në territorin e Komunës së Malishevës është vështirësuar qarkullimi i automjeteve, ndërsa situata e përgjithshme vlerësohet si e menaxhueshme.
“Në disa akse rrugore në Malishevë, komunikacioni është i vështirësuar. Si pasojë e reshjeve të mëdha gjatë orëve të fundit, në disa rrugë në territorin e Komunës së Malishevës ka vështirësi në qarkullim, mirëpo situata e përgjithshme mbetet e menaxhueshme”, njofton Komuna e Malishevës, raporton PrizrenPress.

Sipas njoftimit, ekipet e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Policia e Kosovës si dhe ekipet komunale janë në gatishmëri të plotë dhe në shërbim të qytetarëve.
“Në disa pjesë, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave”, thuhet në njoftim, duke bërë të ditur se si pasojë e prezencës së ujit në rrugë, me vështirësi të kalueshme janë rruga ‘Hamdi Berisha’ në Malishevë, transiti afër lagjes Hoti, rruga Malishevë–Banjë, rruga Mirushë–Gurbardh, rruga Lubizhdë–Turjakë, ura në Lubizhdë, një urë në një lagje të fshatit Damanek, si dhe rruga për në fshatin Panorc, ku në dy segmente ka prezencë të ujit.

Komuna njofton gjithashtu se furnizimi me energji elektrike po realizohet me reduktime në disa pjesë të qytetit, ndërsa furnizimi me ujë është i rregullt, por uji nuk është i përdorshëm për momentin, për shkak të ndotjes nga vërshimet e ditëve të kaluara. Sipas autoriteteve lokale, ekipet përkatëse janë në terren dhe po punojnë për sanimin e vështirësive.
Në fund, Komuna e Malishevës u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë rrugët alternative për lëvizje, të mos tentojnë të përdorin rrugët e lartcekura dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur nga Policia e Kosovës për ndalim të qarkullimit./PrizrenPress.com/
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
https://prizrenpress.com/hapesira-me-qira-ne-objektet-e-reja-te-renelual-tahiri-ne-prizren/