Për tri ditë, më 6, 7 dhe 8 shtator, qytetarë nga Kosova, bashkëkombës nga trevat shqiptare dhe nga vende të ndryshme të botës, morën pjesë në aktivitetet e begatshme dhe në koncertet e festivalit “Hardh Fest 2024”.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se festa e vjeljes së rrushit “Hardh Fest 2024” ishte një atmosferë e përsosur, ku pati një publik të jashtëzakonshëm dhe kaloi pa asnjë incident.
Ai ka thënë se festa e rrushit, që dikur festohej thjesht nga vreshtarët e Rahovecit, tani është një festival madhështor që tërheq vizitorë nga e gjithë bota. “Një kombinim i përkryer mes argëtimit, traditave dhe përvojave unike, ku të gjithë patën mundësinë të përjetojnë mikpritjen e ngrohtë dhe bujarinë tonë, të shijojnë verën dhe rakinë rahovecase, të njohin trashëgiminë tonë kulturore dhe natyrore, si dhe potencialet turistike.
“Një falënderim i veçantë shkon për institucionet, për delegacionet e shumta, për ambasadat dhe për të gjithë partnerët që morën pjesë, duke e bërë këtë festival edhe më të rëndësishëm! Publiku ka treguar një nivel të lartë kulture dhe ka krijuar një atmosferë të përkryer gjatë gjithë festivalit. “Falënderojmë këshillin organizues, në krye me drejtorin ekzekutiv, Agron Sokolin, për përkushtimin e jashtëzakonshëm! Po ashtu, një falënderim për Policinë e Kosovës dhe për ekipet e tjera të sigurisë, për ekipet e pastrimit dhe mirëmbajtjes, për QKMF-në dhe për zjarrfikësit që kontribuuan për sigurinë në festival!”, ka thënë Latifi.
Marketing