5 C
Prizren
E mërkurë, 24 Dhjetor, 2025

Bedrush Çollaku, simbol i sakrificës dhe i idealit kombëtar

U lind më 1940 në Zym të Hasit, në një familje të njohur për bujari e tradita atdhetare. Në muajin e tretë të jetës së tij, familja i shpërngulet në Prizren, ku rritet dhe shkollohet. Pas mbarimit të shkollës fillore dhe Normales, në Pejë mbaron Shkollën e Lartë Komerciale. Në Universitetin e Prishtinës e ka studiuar edhe Fakultetin Juridik.

Gjatë viteve 1970-1975, punoi në shkollën fillore të Hades së Obiliqit. Më pas kthehet në Prizren dhe në cilësinë e kontabilistit punësohet në Silosin e Xërxës të Rahovecit. Pas 2-3 vjetësh, vazhdon punën në Bankën e atëhershme Popullore -në Shërbimin e Kontabilitetit Shoqëror (SHKSH) në Prizren.

Fillet e veprimtarisë atdhetare të Bedrush Çollakut datojnë që kur i vijonte mësimet në Normalen e Prizrenit. Në korrikun e vitit 1961, ilegalisht e kaloi kufirin dhe ishte lidhur me Shërbimin Informativ të Sigurimit të Shqipërisë dhe me nofkën e tij “Flamuri”, ishte betuar se do të punonte për atë Shërbim. Pas kontakteve të shumta me organet e atjeshme të Sigurimit dhe marrjen e obligimeve të duhura, prapë nga Kukësi, ilegalisht ishte kthyer në Prizren. Bedrush Çollaku, derisa ishte burgosur (më 27. III. 1964), vazhdimisht kishte kontaktuar dhe kishte marrë instruksione nga ai Shërbim – Shërbimi Informativ i Sigurimit të Shqipërisë.

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Në pranverën e vitit 1962, sipas instruksioneve të nevojshme, me emrin “Lirija”, kryesisht me nxënësit e Normales, formon grupin ilegal. Në favor të Sigurimit të Shqipërisë, fillon detyrën e mbledhjes së shënimeve sekrete me karakter ushtarak e ekonomik me theks të veçantë për armatimin e njësive ushtarake dhe strukturën e tyre komanduese, si dhe për gjendjen numerike të punëtorëve të inkuadruar në punë, për llojet e shkollave, për kuadrin arsimor, numrin e nxënësve e të studentëve dhe disponimin e tyre ndaj Shqipërisë etj. Angazhohet në shpërndarjen e parullave dhe shpalosjen e flamurit kombëtar (për Ditën e Rinisë – 25 maj si dhe gjatë inaugurimit të hekurudhës Prizren – Klinë, 9 qershor 1963).
Nëpër grupet e kësaj organizate ilegale ishin anëtarësuar shumë të rinj, të cilët për shkak të moshës së tyre të re, iu kishin ikur dënimeve me burg mirëpo, një pjesë e tyre edhe kishte dëshmuar para Gjykatës së Qarkut të Prizrenit, derisa mbahej gjykimi i grupit udhëheqës posaçërisht kundër Bedrush Çollakut.

Gjykimi i këtij grupi, i kryesuar nga Bedrush Çollaku, ishte mbajtur më 10 e 11. IX. 1964, ku ishin shqiptuar këto dënime: 1. Bedrush Çollaku, 9 vjet burg të rëndë, 2. Haxhi Zyba, 7 vjet,Fadil Cukaj, 6 vjet e 4 muaj, 4. Shefki Muqaj, 4 vjet dhe 5. Hysen Bukoshi, 4 vjet.
Bedrush Çollaku kudo që e gjente njeriun dhe njerëzoren, fjalës bashkim i jepte shpirt, prandaj ka qenë halë në sytë e pushtetit të atëhershëm. Si veprimtar i pjekur e kokëfortë në marrëdhënie me atë që e besonte – besnik dhe i ashpër ndaj kundërshtarit…, fliste me zemër në dorë… Bedrush Çollaku tërë kohën e privimit nga liria e ka vuajtur në Nish dhe nga po ky nga burg u amnistua (27. 09. 1968).

Prandaj, Bedrush Çollaku rron dhe do të rrojë përgjithmonë tek tre djemtë e tij pasardhës – rron te Drita, rron tek Artani, rron te Kliti, rron tek Enkli. .., por edhe tek shumë shokë të idealit dhe tek çështja kombëtare, e cila me vdekjen e tij, është varfëruar…
Vdiq në Prizren më 4. 07. 2002.

(Marrë nga libri “Në kujtesën e qytetit,” me autor Salajdin Krasniqi)

Më Shumë

Radhë kamionësh në doganën e Vërmicës

Radhë kilometrike e kamionëve të tonazhit të rëndë raportohet se u krijuan mbrëmë në rrugën Morinë-Vërmicë, në drejtim nga Shqipëria drejt Kosovës. Siç raporton A2CNN,...

Bashkimi triumfon në njërën nga ndeshjet më emocionuese këtë edicion

Në një super ndeshje, dhe njërën nga sfidat më interesante në këtë edicion, Bashkimi fitoi ndaj GO+ Pejës pas dy vazhdimeve, me shifrat 118:119...

Lajmet e Fundit