Në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë RESPOETICA, i cili po zhvillohet në Prizren, poeti, shkrimtari dhe gjuhëtari Martin Camaj u shpall laureat post mortem në nder të 100-vjetorit të lindjes së tij.
Sipas arsyetimit të festivalit, shpallja e Camajt si laureat asht një akt nderimi dhe mirënjohje për ndihmesën e tij të jashtëzakonshme në letërsinë shqipe dhe kulturën kombëtare, raporton PrizrenPress.
“Martin Camaj përfaqëson një nga zërat ma origjinalë e ma të veçantë të poezisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Vepra e tij poetike, e shqueme për thellësinë metaforike, kërkimin estetik dhe ndërlidhjen mes traditës dhe modernitetit, krijoi ura të reja në përjetimin e fjalës poetike. Si shkrimtar dhe studiues, ai dha ndihmesa me një vizion të gjanë e kritik, tue e ngritë gjuhën shqipe në një nivel të naltë të shprehshmërisë artistike”, thuhet në arsyetimin e festivalit.
Festivali vijon se ky nderim post mortem shpreh respektin për një figurë që, edhe pse përjetoi mërgimin dhe një jetë të vështirë për shkak të atdheut të munguem, mbeti gjithnji i lidhun shpirtnisht me gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar. CAMAJ mbetet një dëshmi e qëndrueshmënisë krijuese, e fuqisë së fjalës dhe e vlerave estetike që kapërcejnë epokat dhe kufijtë.
Duke e shpallur Martin Camajn laureat të RESPOETICA-s, festivali afirmon misionin e vet për të respektue, promovue dhe ba pjesë të kujtesës së gjallë kombëtare e ndërkombëtare ata krijues që kanë dhanë ndihmesa të pashlyeshme në artin e fjalës. Ky motivacion i kushtohet jo vetëm poetit, por edhe trashigimisë së tij letrare dhe estetike, e cila vazhdon të frymëzojë brezat e sotëm e të ardhshëm.
Ky çmim u realizua dhe u koordinua nga Vlora Ademi, organizatore e festivalit RESPOETICA.
Bordi i festivalit këtë vit përbëhet nga: Rita Petro, shkrimtare dhe botuese; Agim Baçi, shkrimtar dhe kritik letrar; dhe Vlora Konushevci, shkrimtare dhe përkthyese. Festivali mbështetet nga organizata Social Creativity për diplomaci kulturore./PrizrenPress.com
Marketing
9-shi i GUXO-s – Flora Sinani kërkon besimin e qytetarëve të Prizrenit në zgjedhjet e 12 tetorit
26-shi i LDK-së, Arben Hoxha po kërkon votën tënde që zëri yt të dëgjohet në Kuvendin e Prizrenit!
20-shi i LDK-së, Fejzë Kabashi, kandidat për Kuvendin e Prizrenit
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
https://prizrenpress.com/hapesira-me-qira-ne-objektet-e-reja-te-renelual-tahiri-ne-prizren/