Në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren ka nisur turneu ndërkombëtar i futbollit për veteranë “Kupa Botërore e Paqes” (World Peace Cup), i organizuar nga KFV Kalaja Masters, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Prizrenit.
Ky aktivitet sportiv ka sjellë në qytet ekipe, sportistë, delegacione dhe mysafirë nga vende të ndryshme, duke e kthyer Prizrenin në një qendër të rëndësishme të sportit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në turne po marrin pjesë 10 ekipe të veteranëve të futbollit nga Turqia, Bosnje dhe Hercegovina dhe Kosova. Në ceremoninë e hapjes, përveç pjesëmarrësve, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore.

Në emër të organizatorit KFV “Kalaja Masters”, Erdin Gjashtgishti uroi mirëseardhje për të gjitha delegacionet, duke theksuar se misioni kryesor i turneut është bashkimi i popujve përmes sportit, promovimi i paqes, miqësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe prezantimi i vlerave historike, kulturore dhe turistike të Prizrenit.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Prizren, Ajlin Shishko-Hajdari, theksoi se ky turne promovon paqen, respektin dhe bashkimin përmes futbollit, duke dëshmuar se sporti mbetet një nga urat më të forta që lidh popujt dhe kulturat.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilia Rexhepi, zëvendëskryeministri në detyrë Fikrim Damka, si dhe konsulli i Turqisë në Prizren, Fatih Topçu. Ndërkohë, pjesëmarrjen e një ekipi nga Bosnja dhe Hercegovina e vlerësoi edhe ministri i tregtisë së kantonit të Zenicës dhe Dobojit, Samir Shibonjiq, i cili tha se për të 12 qershori ka një domethënie të veçantë, pasi përkon edhe me ditëlindjen e tij.
Ndeshjet kanë nisur sot dhe do të vazhdojnë edhe nesër, ndërsa më 12 qershor ekipet ndërkombëtare do të kenë mundësi të vizitojnë qendrat historike të Prizrenit. Më 13 qershor zhvillohen gjysmëfinalet, ndërsa finalja e madhe e turneut luhet më 14 qershor./TV Prizreni/
Marketing
Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
