Partia Demokratike e Kosovës tashmë është në përgatitje të skenarit për ditën e enjte, kur pritet edhe të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Burime të Gazetës Blic brenda PDK-së kanë thënë se juristët e PDK-së, në krye me Arsim Bajramin janë në përgatitje të skenarit se si duhet të shkoj seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Sipas këtij burimi, ky grup i juristëve është duke e përgatitur Flora Brovinën se si duhet të sillet ditën e enjte. “Flora Brovina sipas këtij skenari do të duhet që PDK-në ta ftoj që të propozoj emrin e kandidatit për kryetar Kuvendi. Grupi i juristëve të PDK-së do të thirren në atë se ata janë grupi më i madh parlamentar, që kanë dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit”, ka thënë ky burim.
Si bazë tjetër juridike, ku po thirren juristët e PDK-së është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili sipas tyre nuk i njeh koalicionet parazgjedhore. “Poashtu do të thirren edhe në një dokument, që ka të bëjë me interpretimin juridik të procedurave dhe rregullave gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, i cili dokument Grupit Parlamentar i referohet grupit më të madh që ka dalë nga zgjedhjet”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.
Gazeta Blic ka raportuar edhe të shtunën për tendencat e PDK-së që të thirren në këtë dokument, i cili sic mësohet është hartuar nga njerëz të administratës së UNMIK-ut.
Sipas këtij burimi, Flora Brovina do të tentoj që t’i ikë agjendës se si e ka përcaktuar kryesia e vjetër e Kuvendit ditën e shtunë, kur kryeministri në largim, Hashim Thaçi e braktisi seancën.
Në seancën e Kryesisë së vjetër të Kuvendit është marrë vendim që Grupi Parlamentar LDK- AAK- Nisma është më i madh me 47 deputetë, i pasur nga PDK me 37 deputetë. Poashtu në këtë seancë është vendosur që kryesuesja e seancës konstituive, që është deputetja më e vjetër, pra Flora Brovina të mos e ketë të drejtën që t’i ikë agjendës së përcaktuar nga kryesia.
Flora Brovina, para disa ditësh kishte thënë për mediet se PDK-së do t’ia jap të drejtën që të propozoj kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini dje në një intervistë që e ka dhënë për mediet ka thënë se në rast se Flora Brovina nuk i përmbahet agjendës së Kryesisë së vjetër të Kuvendit ajo rrezikon që ta humb mandatin e deputetes.
Sidoqoftë, analistët politik parashohin mundësinë e përplasjeve në këtë seancë, kur pritet të zgjedhet edhe kryeparalmentari. Madje, nuk është përjashtuar edhe mundësia e përplasje fizike ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe atyre të bllokut LDK- AAK- Nisma.