Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho publikoi të hënën listën provizore me 27 lojtarë të ftuar për fazën përgatitore para Euro 2024 të kësaj vere.
Në listën e brazilianit, të natyralizuar së fundmi në shqiptar, binte në sy mungesa e Sokol Cikalleshit dhe Myrto Uzunit, sigurisht edhe ajo e Keidi Bares dhe Arbnor Mujës. Por, dy të parët kishin lënë më shumë gjurmë te kuqezinjtë gjatë kualifikueseve për Euro 2024.
Dhe, janë pikërisht emrat e Uzunit dhe Cikalleshit që kanë përçarë opinionin sportiv në vend dhe më gjerë nëse ishte e drejtë apo jo mungesa e ftesës për të dy.
Në konferencën për shtyp, Sylvinho u shpreh se mungesat apo risitë në listën e tij janë sepse “nuk kemi shumë kohë për eksperimente”.
“Dera e Kombëtares është gjithmonë e hapur në çdo moment për çdo lojtar. Mund të jesh edhe 27 vjeç dhe je në formë dhe të vjen një ftesë nga Kombëtarja”, u shpreh braziliani.
“Nuk kemi shumë kohë për të bërë eksperimente sepse finalet e Evropianit janë krejt tjetër, ndryshe nga kualifikueset. Jam i bindur që grupi i Evropianit është 100% i qetë dhe në atmosferën e duhur dhe është i gatshëm për të shkuar përpara në këtë rrugëtim”.
“Zgjedhja ime është e e vështirë. Dua t’i falënderoj të gjithë lojtarët, por e kam të pamundur të marr 35 lojtarë apo më shumë sepse në fund, sipas rregullit të UEFA-s, ne do të shkojmë në Evropian me 26 lojtarë”, theksoi Sylvinho, duke mos u futur në detaje për mungesat e Uzunit dhe Cikalleshit.
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
Cikalleshi ka udhëhequr sulmin e Shqipërisë përgjatë gjithë fushatës kualifikuese për Euro 2024. Ai e mbylli fushatën me një gol dhe një asistim, duke pasur një vlerësim të përgjithshëm me notën 6.8 nga “Sofascore”.
Sulmuesi kavajas shënoi në fitoren 3-0 ndaj Çekisë në Tiranë dhe asistoi në barazimin 1-1 ndaj Moldavisë në transfertë.
33-vjeçari ka qenë më pjellor me skuadrën e tij, Konyaspor, në Superligën e Turqisë, teksa ka realizuar 33 ndeshje, 12 gola dhe 5 asistime.
Pra, një lojtar i cili përveçëse la gjurmë në kualifikuese, ka pasur vijueshmëri edhe me klubin e tij, ndryshe nga një pjesë dërrmuese e kuqezinjëve të cilët janë përballur me mungesë minutazhi në klubet respektive.
Mungesa e tij në listën kuqezi, solli habi te shumë njerëz, por sipas ekspertëve të futbollit kjo i referohet moshës së tij, që sigurisht ndikon edhe te rendimenti në fushë.
Sylvinho ka zgjedhur t’i besojë më shumë Mirlind Dakut, Armando Brojës dhe Rey Manajt për rolin e “9”-shit.
Daku, 26 vjeç, 1.92 metër i gjatë, ka realizuar 10 gola dhe 4 asistime në 28 paraqitje në ligën e lartë të Rusisë me skuadrën e Rubin Kazan-it.
Në ndryshim nga Cikalleshi, Daku realizoi një gol dhe një asistim në pesë paraqitje në kualifikuese, prej të cilave vetëm një e nisi si titullar (shtatë ndeshje si titullar për Cikalleshin).
Broja dhe Manaj nuk ishin të pranishëm gjatë fushatës kualifikuese. Por, në rastin e të parit, aftesitë e tij janë të dukshme dhe shpërthimet e tij mund të jenë jetike për Shqipërinë gjatë Euro 2024.
Përsa i përketë Manajt, ish-lojtari i Barcelona-s dhe Inter-it, pati një sezon jashtëzakonisht frytdhënës në Superligën e Turqisë. Ai përfundoi me 18 gola dhe tre asistime në 33 ndeshje. Vetëm Mauro Icardi dhe Edin Dzeko bënë më mirë se lushnjari.
Befasia tjetër e madhe në listën e Sylvinho-s ishte mungesa e Myrto Uzunit. Lojtari i Granada-s pati një fund sezoni të hidhur teksa ra nga La Liga, në atë që ishte një vit i mirë në aspektin personal.
Sulmuesi nga Berati u paraqit në 34 ndeshje në La Liga, duke nisur si titullar 28 prej tyre. Ai realizoi 11 gola dhe një asistim në këtë proces.
Megjithatë, këto statistika nuk mjaftuan që ai të ishte pjesë e listës për Euro 2024.
Në fakt, mungesa e Uzunit ishte disi e paralajmëruar, duke parë edhe luhatjet e performancës se tij me kuqezinjtë.
Ish-sulmuesi i Laçit në Superiore e nisi si titullar fushën kualifikuese, prakitikisht në takimin e parë ndaj Polonisë dhe atë pasues ndaj Moldavisë. Në të dyja ato ndeshje, ai nuk mundi të linte gjurmë duke qenë dhe ndër lojtarët më të dobët në fushë (nota 6.5 dhe 6.6 sipas “Sofascore”).
Në ndeshjen e tretë, ndaj Ishujve Faroe, Sylvinho zgjodhi t’i besonte Taulant Seferit, i cili e shpërbleu besimin.
Edhe pse ndeshja ndaj Faroeve u fitua 1-3 nga kuqezinjtë dhe Uzuni dhuroi një asistim, duke marrë edhe vlerësimin më të lartë personal (7.2) gjatë gjithë fushatës, kjo nuk mjaftoi për të bindur Sylvinho-n. Me këtë të fundit, siç u përmend më sipër, që dukej më i bindur nga aftësia sulmuese dhe sidomos ajo mbrojtëse e Seferit.
Pasi ishte përfshirë në lojë nga stoli edhe në ndeshjen ndaj Çekisë (1-1), Uzuni u vendos titullar për takimin e kthimit ndaj Polonisë. Por, edhe këtë herë, ai nuk mundi të linte gjurmë. Vlerësimi ishte me notën 6.5, më i dobëti nga 11-shja fillestare.
Më pas pasuan dy qëndrime në stol, përkatësisht në fitoren 3-0 ndaj Çekisë dhe barazimit 1-1 në Moldavi.
Uzuni u rikthye titullar në ndeshjen e fundit të kualifikuese, në barazimin 0-0 ndaj Ishujve Faroe në Tiranë. Edhe këtë herë, beratasi u vlerësua me një notë relaitivisht të ulët, 6.6. Më keq se ai bëri vetëm Daku, 6.4.
Pra, në total, Uzuni luajti gjashtë takime, nga të cilat katër si titullar, duke pasur mesatarisht 56 minuta për ndeshje.
Sipas të përditshmes sportive shqiptare, “Panorama Sport”, Uzuni ka pasur disa pakënaqësi për përshtatjen e tij me grupin e lojtarëve kuqezi nën drejtimin e Sylvinho-s. Pakënaqësi këto që nuk u shprehen asnjëherë publikisht, por që ishin aty. Dhe, kjo mund të reflektojë mënjanimin e tij nga lista.
Në vendin e Uzunit, Sylvinho ka preferuar lojtarë si Seferi, Ernest Muçi dhe Arbër Hoxha. Me këtë të fundit që është një thirrje e re në kombëtare, i aktivizuar vetëm në dy miqësoret e fundit ndaj Kilit dhe Suedisë.
Hoxha, edhe pse një emër i ri në listë, përfaqëson një talent të spikatur me gjigandët e Dinamo Zagrebit. Këtë sezon ai ka shtatë gola dhe katër asisitme në 42 ndeshje në të gjitha garat me kroatët.
Shkathtësia dhe cilësitë teknike të tij bënë që Sylvinho të vepronte para Federatës së Futbollit të Kosovës për ta afruar te kuqezinjtë. Ndaj emri i tij në listë duket i justifikuar duke qenë se vetë trajneri ka bërë një hap të rëndësishëm në bindjen e tij për të veshur fanellën kuqezi.
Megjithatë, mungesat e Cikalleshit apo Uzunit nuk janë “fundi i botës”. Zgjedhjet e një trajneri, sidomos në kushtet e kufizimit të numrit të lojtarëve, janë gjithnjë të vështira.
Mos të harrojmë se Belgjika la jashtë listës për Euro 2024 një emër si Thibaut Courtois, një nga portierët më të mirë në botë, në mos më i miri.
Italia, kundërshtare e Shqipërisë në Euro 2024, la jashtë listës së saj mesfushorin e Juventus-it, Manuel Locatelli, kampionin në fuqi të Kampionatit Evropian.
Po ashtu edhe lista e Spanjës, një tjetër kundërshtarë i kuqezinjëve në Euro 2024, ngjalli debate të ashpëra. Por, ky është futbollit, zgjedhjet janë të vështira, por nuk bëhen pa shkak. Albanian Post