Në edicionin e XII të Festivalit të teatrove shqiptare në Dibër, që dita ditës dhe nga viti në vit po rritet dhe përforcohet në të gjitha aspektet, për kënaqësinë e artdashësve dibran dhe artistëve nga të gjitha trojet shqiptare, u shfaqën 7 shfaqe të trupave të Teatrove-përfshirë edhe një monodramë.
Në natën e fundit të këtij edicioni të XII, pos Teatrit “Petro Marko” nga Vlora me shfaqen “Të gjithë me huqe…” një komedi e Laurent Baffi në të Eliona Thomaraj dhe monodrama e punuar nga Universiteti i Arteve dhe Teatri Kombëtar të Tiranës “Joan Padan dhe Amerikanët” në regji të Milto Kutalit, -monodramë që ishte jashtë konkurrencës, u interpretua për një orë e gjysmë për mrekulli me plot dinamike, dhe ngarkesë mbase edhe të tepruar- nga aktori Arben Derhemi, transmeton INA.
Kjo monodramë u shfaq, në “pritje” të vlerësimeve të Jurisë profesionale të Festivalit për ndarjen e çmimeve të e Festivalit, që kësaj here, për kënaqësinë e organizatorit, publikut dhe të gjithë shqiptarëve, këto çmimi i kishte siguruar operatori i katërt i telefonisë celulare në Maqedoni “Albafon”, me praninë e vetë drejtorit ekzekutiv të kësaj kompanie, Ardian Hoxha.
Juria profesionale e Festivalit në përbërje: prof.Dr. Selajdin Salihu, prof. dr. Agim Selimi dhe prof. Milto Kutali, kanë dhënë vlerësimin e tyre, vlerësime që do ti prezantojë drejtori i Festivalit Ylber Nuredini.
Vlerësimi i Jurisë është si vijon:
Çmimi special i Festivalit, për kontribut jashtë konkurrencës iu nda aktorit shqiptar nga SHBA, Pajazit Murtishit, i cili faleminderoi me vargjet e poetit Ali Asllani dhe aktorit nga Tirana Arben Derhemi.
Çmimet për role dytësore-joprotagoniste për aktore dhe aktor iu ndanë: për aktore: Eriona Thomarai dhe Besarta Fejza, ndërsa për aktor u shpall Albano Prodani për rolin e tij në komedinë “Borgjezi fisnik” nga Teatri i Korçës.
Aktore më e mirë u shpall Zarije Jonuzi-Xaka, nga Teatri Shqiptar nga Shkupi, për rolin e sajë “Xhen Perkins” në shfaqen “Paraja”.
Aktor më i mirë u shpall Çun Lajçi, për rolin e tij në shfaqen e Ekrem Kryeziut, “Përplasjet”.
Regjisor më i mirë i festivalit u shpall Erson Zymberi nga Teatri i Gjilanit për shfaqen “Pacienti i Dr. Frojdit”.
Shfaqe më e mirë e Festivalit të XII të teatrove në Dibër sipas vlerësimit të Jurisë profesionale, u shpall shfaqja “Paraja”, komedi e Rej Kunit, realizuar nga Teatri Shqiptar në Shkup, nga regjisori Ilir Bokshi, me aktorët: Luran Ahmeti, Zarije Jonuzi, Xhevdet Jashari, Amernis Jovanovska Nokshiqi, Blerim Dardhishta, Fisnik Zeqiri dhe Visar Etemi.
Çmimin në emër të Teatrit Shqiptar nga Shkupi, e pranoi nga dora e drejtorit ekzekutiv të kompanisë celulare “Albafon”, Ardian Hoxha, drejtori i Teatrit Shqiptar nga Shkupi, Adem Karaga, i cili edhe me pak emocione faleminderoi publikun e shkëlqyer artëdashës dibran, uroi festivalit ecuri të mbarë, duke faleminderuar dhe uruar punë të mbarë dhe suksese jo vetëm Festivalit, por edhe kompanisë “Albafon”.
Me një fjalë rasti, drejtori i Festivalit, Ylber Nuredini, po ashtu uroi “Albafon” dhe e shpalli të mbyllur siparin e edicionit të XII të Festivalit me fjalët “Mirë u pafshim në edicionin e XIII –trembëdhjetë”.