Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni dhe Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, organizuan Akademinë përkujtimore me rastin e 80 vjetorit të atentatit ndaj Hasan Prishtinës dhe 101 vjetorit të Kuvendit të Shkupit, si dhe promovuan librin në gjuhën shqipe dhe maqedonase: “Hasan Prishtina”, nga autori Branko Sinadinovski.
Fillimisht, në emër të SHHSHM-së, një referat historik e paraqiti Sevdail Demiri, i cili theksoi se këtë vit, shënohet 80 vjetori i vrasjes së njërit nga burrat më të ndritur të kombit shqiptar, Hasan Prishtinës. Atentati ndaj tij u krye në Selanik, më 13 gusht të vitit 1933, nga dora e shqipfolësit Ibrahim Çelo, i cili sikurse kishte deklaruar para organeve të hetuesisë greke, vrasjen e kishte bërë për motive politike.
“Ndërsa, sot më 14 tetor, bëhen plotë 101 vjet nga organizimi i Kuvendit të Shkupit, nga ana e Komitetit ‘Shpëtimi’, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, ku ishte marrë vendimi që shqiptarët të kalonin nga kërkesa e deriatëhershme për autonomi brenda Perandorisë Osmane, në kërkesën për shkëputje të plotë prej saj dhe për pavarësi”, theksoi Demiri, transmeton Portalb.
Ndërsa, zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferri, u shpreh se fati dhe fatkeqësia ka qenë që Hasan Prishtina në mënyrë tragjike e përfundoi jetën.
“Ka pasur një jetë të vështirë pasi edhe bashkëpunëtorët e tij paraprakisht ndiqen dhe ekzekutohen, por për të gjitha gjeneratat figura e Hasan Prishtinës mbetet një frymëzim. Ai është figura më e kompletuar edhe nga aspekti i shkollimit, vizionit politik, i sakrificës, i mosluhatjes ndaj konjukturave të asaj kohe”, tha Xhaferri.
Më tej, Mehmet Prishtina, nipi i Hasan Prishtinës, ka falënderuar shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politik që po i zyrtarizojnë datat historike dhe nuk po e lënë në harresë figurën kombëtare të Hasan Prishtinës dhe atdhetarëve tjerë shqiptarë, që sakrifikuan aq shumë për kombin tonë.
Deputeti Behixhudin Shehapi, theksoi se po bëhen përpjekje maksimale që në Kuvendi i Maqedonisë, të miratohen për manifestim data të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, siç është edhe rasti me 80 vjetorin e atentatit ndaj Hasan Prishtinës dhe 101 vjetorin e Kuvendit të Shkupit.
Më pas u promovua libri në gjuhën maqedonase “Hasan Prishtina”, nga autori Branisllav Sinadinovski, i përkthyer në shqip nga Shkëlzen Halimi.