14.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Thaçi: Unë kryeministër

Thaci14-17aKryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi ka bërë me dije se do të jetë mandatari i ardhshëm për formimin e qeverisë se re.

Në këtë intervistë për “Radio Evropën e Lirë”, ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve do t’i nisë konsultat me partitë politike për krijimin e qeverisë. Ai e ka përjashtuar mundësinë që qeveria e ardhshme të formohet dhe drejtohet nga opozita.

Z. Thaçi, partia e juaj ka dalë fituese në zgjedhjet e 8 qershorit, ndërkohë që 3 parti të tjera me marrëveshje pretendojnë formimin e qeverisë. Cili është dhe do të jetë pozicioni i juaj karshi këtij pretendimi?

Thaçi: Me zgjedhjet e 8 qershorit shteti i Kosovës ka fituar shumë. Ka fituar Misioni i Ri, ka fituar qytetari i Kosovës. Me këto zgjedhje të përgjithshme që organizuam dëshmuam edhe njëherë që demokracia është në zhvillim. Zhvilluam zgjedhje fer, të lira, demokratike, me standarde të larta ndërkombëtare dhe prej më të mirave në rajon. Menaxhuam shkëlqyeshëm procesin paraelektoral, ditën e votimit dhe me një pjesëmarrje normale të vendeve në rajon. Prandaj është edhe një vlerësim i lartë ndërkombëtar për organizimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Fitorja e PDK-së e Misionit të Ri, e koalicionit, ishte një fitore spektakolare, e thellë, bindëse, e pritur dhe unë do të vazhdoj ta respektoj vullnetin e sovranit.

Keni gjetur ende parti partnere për formimin e qeverisë, marrë parasysh rezultatin i cili nuk i garanton PDK-së formimin e qeverisë si e vetme?

Thaçi: Fitorja e misionit të ri është vullneti i qytetarëve të Kosovës. Mbi këtë vullnet nuk mund të shkelë askush. Unë do ta menaxhoj gjithë procesin si i mandatuar nga presidentja në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne e kemi një sistem të tillë elektoral, proporcional që lë për të dëshiruar në kuptimin e fitoreve që përcaktojnë që në përfundim të procesit edhe fituesin e qartë në kuptimin e numrave në Parlament. Por, një gjë është e qartë, fituese e zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës, është misioni i ri dhe natyrisht që unë jam në komunikim me partnerët e mundshëm të koalicionit dhe në momentin që do të përmbyllet certifikimi i rezultatit zgjedhor do të marrë iniciativë për t’u ulur me partitë politike për të biseduar dhe formuar qeverinë.

Sa lë hapësirë Kushtetuta e Kosovës që qeveria të formohet nga opozita, në këtë rast marrë parasysh marrëveshjen LDK, AAK dhe Nisma për formimin e qeverisë?

Thaçi: Unë nuk dëshiroj të hyj në interpretime kushtetuese e ligjore, sepse nuk mund të bëj një interpretim të tillë. Por, fituese e zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës dhe se partia ose koalicioni fitues i zgjedhjeve do ta ketë kandidatin për kryeministër dhe kjo parti fituese që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend do ta formoj qeverinë.

Do të jeni ju mandatar i kësaj qeverie?

Thaçi: Unë kam udhëhequr tërë fushatën e misionit të ri me ekipin tim. Jam shumë i vendosur për të vazhduar me agjendën e zhvillimit ekonomik, për krijimin e 200 mijë vendeve të reja të punës, për krijimin e fondit të punësimit prej 1.5 miliard euro dhe për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës. Ndërsa për oponentët politik, unë i kuptoj, është një reagim emocional, një situatë dëshpëruese për shkak të rezultatit të padëshiruar dhe mosbesimit të qytetar. Prandaj unë pres që sido që të jetë të gjithë të punojmë bashkërisht për të mirën e vendit, të mirën e shtetit, për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë.

Nëse jo do të udhëhiqni me qeverinë, kushtimisht ta quajmë “Thaçi 3”, cila do të ishte oferta për partitë partnere. Çka ju ofroni atyre?

Thaçi: Unë ndihem tepër mirë dhe krenar që në këto 7 vitet e fundit si kryeministër i vendit kam fituar 6 palë zgjedhje. Ndihem tepër mirë dhe shumë i përgjegjshëm për besimin qytetar që edhe pas shtatë vitesh përsëri jam lideri më i votuar. Partia që e udhëheq unë është partia më e votuar. Besimi qytetar është në Misionin e Ri. Natyrisht që do të punoj që të jem sa më gjeneroz në kuptimin e një përfshirje sa më të gjerë në koalicionin e ardhshëm që të kemi stabilitet politik, institucional dhe qeverisje të mirë

Në çdo rast, zoti Thaçi, ju po e përjashtoni çdo mundësi që partia e juaj të kaloj në opozitë?
Thaçi: Realisht se kush ku e ka vendin në skenën politike e ka përcaktuar sovrani dhe jo vullnetet e nxitueshme dhe emocionale të asnjë lideri politik.

Në këtë fazë kur pritet edhe konstituimi i institucioneve të reja, a parashihni se mund të ndodh një ngërç politik dhe eventualisht vendi të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme?

Thaçi: Nuk mendoj që ka ndonjë arsye të kemi ngërç apo bllokadë politike. Ne të gjithë duhet të mendojmë dhe reflektojmë në kuptimin pozitiv, mirëkuptues, tolerant, integrues, që të gjejmë zgjidhjen që hapë rrugë dhe perspektivë vendit tonë. Duhet askënd të mos e lejojmë të prish imazhin e Kosovës pas këtyre zgjedhjeve shumë të mira, shumë mirë të organizuara, të standardit më të lartë perëndimor. Dhe, natyrisht që nuk është në interesin e askujt që të ndodh bllokadë institucionale apo shkuarje në zgjedhje tjera. Por, mbi të gjitha, të gjithë ne duhet ta respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, realitetin politik dhe vullnetin e sovranit.

Në rast se opozita, megjithatë, formon një qeveri, do ta konsideroni të ligjshme dhe në harmoni me Kushtetutën?

Thaçi: Parti fituese është Partia Demokratike, askush nuk mund ta shkel dhe ta ndrydh vullnetin e popullit nga dëshirat emocionale apo momentet dëshpëruese.

Nga këto subjekte politike, kushtimisht t’i quajmë opozitare, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit, cilën do të preferonit ju që të keni partnere, marrë parasysh se AKR-ja, siç thuhet, tashmë ka mbetur pa kaluar pragun.

Thaçi: Unë nuk dëshiroj të komentoj rezultatet e asnjë partie politike, ka folur sovrani, dhe derisa flet sovrani, ka shprehur vullnetin e vetë, atëherë gjithçka është e qartë. Në momentin që bëhet certifikimi i rezultatit zgjedhor, unë do të marr veprimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, në përgjithësi në përputhshmëri të plotë më vullnetin e popullit, me besimin qytetar, si parti dhe lider fitues i këtyre zgjedhjeve.

Më Shumë

Ramush Haradinaj shkon në Sallagrazhdë për ta nderuar veprën e Fadil Vatës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkuar në Sallagrazhdë të Suharekës, për të nderuar vepren e heroit të kombit, Fadil Vata. Përmes një postimi në...

Paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë, Nagavci kërkon maturi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga SBAShK-u të jenë të matur në deklarimet e tyre për protestë...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit