Refki Reshitaj
Në vitet 1978–1980, Shoqëria Kulturo-Artistike “Jehona” e Suharekës, ku unë isha udhëheqës artistik, u radhit ndër ansamblet më të mira në Kosovë. Krahas grupit të shkëlqyer të valltarëve, nën koreografinë e mjeshtrit Enver Futko, në përbërje të trupës artistike ishin edhe solistë që tashmë kishin bërë emër: Shpresa Berisha, Shyhrete Behluli, Hajrie Kryeziu, Nazmi Telaku, Enver Kuçi, shpeshherë edhe Shkurte Fejza, unë – Refki Reshitaj – dhe shumë të tjerë.
Koncertet tona stërmbushnin jo vetëm sallat e shtëpive të kulturës, por edhe qendrat sportive të qyteteve të mëdha. Në atë kohë realizuam turne të shpeshta në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, si dhe në shumë qendra evropiane: Gjermani, Itali, Austri, Zvicër, Francë, Belgjikë, Suedi e gjetkë.
Duke pasur parasysh traditën, potencialin dhe namin që Gjakova e kishte për muzikën popullore dhe këngën qytetare, ndonëse kishim ftesa të shumta, për një kohë hezituam të dilnim para publikut gjakovar. Megjithatë, vendosëm ta thyejmë këtë dilemë dhe të organizojmë një koncert.
Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”, me rreth 700 ulëse dhe ndër më të mirët e asaj kohe në Kosovë, ishte i mbushur përplot. Publiku gjakovar – zonja e zotërinj me shije të hollë artistike, kulturë dhe edukatë të lartë – na priti me respekt, duartrokitje të vazhdueshme dhe kërkesa për repriza gjatë gjithë koncertit.
Kjo ndodhi veçanërisht gjatë interpretimit tim, pasi kisha përzgjedhur një repertor me këngë të shkruara dhe kompozuara nga vetë unë, si: “Ka muzg”, “N’Krujë u kthye Gjergj Kastrioti”, “T’kam dashtë ty vashë” e të tjera. Si një kantautor i ri, vështrimin shpesh e mbaja te këngëtari me zë dhe idoli im, Ismet Peja, i cili ishte ulur në rreshtin e parë dhe e përcillte programin me një vëmendje të veçantë.

Befasia ndodhi në fund të koncertit. Baca Ismet, siç e quanin me dashuri gjakovarët, u ngjit në skenë, na u bashkua mes duartrokitjesh dhe përmes mikrofonit tha:
“Shumë të dashur goca dhe çuna suharekas, ju përshëndes në emër të artdashësve gjakovarë dhe ju falënderoj për këtë koncert të mrekullueshëm dhe për këtë trupë artistike të shkëlqyeshme, të cilën prej kohësh kemi pritur ta shohim edhe në Gjakovë. Ndërsa për ty, këngëtari i ri Refki Reshitaj, kam një porosi të veçantë: sot dhe një provim të madh, sepse publiku i Gjakovës të priti dhe të pranoi. Vetëm vazhdo dhe mos iu ndaj këngës e muzikës, sepse sot Gjakova ta hapi Portën e Sazanit.”
Në atë moment, të them të drejtën, nuk e kuptova plotësisht domethënien e “Portës së Sazanit”. Duke dalë nga salla, e pyeta Bacën Ismet për sqarim. Ai ma shpjegoi thjesht e qartë:
“Që nga sot, hapësira jote për sukses është aq e gjerë sa deti i Vlorës, deri te ishulli – Porta e Sazanit.”
Edhe sot, kur ai nuk është më mes nesh, e falënderoj nga zemra. Ismet Peja jeton në respektin, kujtimin dhe dashurinë e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin, ta adhurojnë dhe ta duan këtë legjendë të papërsëritshme të këngës shqipe.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
