2.2 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Të gjithë vrasësit e Arben Idrizit dhe Fatos Lubonjës !

bexhet Shala KMDLNJBehxhet Sh.SHALA
Kuaj të fuqishëm apo mushka të lodhura : Kur dikush portretizohet si i fuqishëm, me ndikim , që nxisin vëmendjen e të tjerëve, qoftë nga mëria , lakmia apo dëshira e sinqertë për të qenë si ai apo si ata atëherë thuhet , në mënyrë figurative se :” pas kalit të fortë ngrihet pluhuri i madh “. Ndërsa , për ata që lodhen e që dikur kanë qenë të fortë , përkatësisht kuajt e dikurshëm thuhet se janë bërë mushka të lodhura fare! Konkurrencë brenda llojit do të thoja aq më parë që kali dhe mushka e kanë një vijë gjenetike.

Këto krahasime janë aktuale gjithmonë duke i përdorur apo keqpërdorur! Varësisht nga interesi! Po Fatosi e Arbeni a mund të llogariten si mushka të lodhura ? Nuk e besoj sepse për t’u konsideruar si të tillë duhej ta kishin një histori të “ kuajve të forte”! Nuk e kishin dhe as që do ta kenë! Në fakt , lehtë mund t’i llogarisim si mushk-onja të vogla që ngrejnë pak pluhur me disa pordha të zhurmshme mediatike dhe thumbime që për pasojë kanë malarien ( prishjen ) e gjakut në planin njerëzor dhe kombëtar! Stërkeqës të gjakut dhe ndotës të karakterit. Ende nuk e kam krejt të qartë pse e bëjnë këtë ?!

Për Tosin universal: Fatos Lubonjën nuk e njoh por e di sa ka qenë politikisht i përndjekur gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Duket se për pasojë i ka mbetur një urrejtje ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë i cili nuk është thjesht mosbesim por është urrejtje që shpesh e riciklon në shkrimet dha analizat e tij. Qëndrimet e tij janë larg të drejtave të njeriut. Janë e kundërta e tyre ! Mos të flas për qëndrimet që i ka për shqiptarët e Kosovës ndaj të cilëve përjashtuar disa raste , si shumica e intelektualëve nga Shqipëria kanë qëndrim racist. Shqiptarët e Kosovës i konsiderojnë intelektualisht të hendikepuar dhe për ta flasin me një nënçmim skajshmërisht përjashtues. Mirëpo, ashtu nuk mendojnë për ata “ intelektualë” shqiptarë e sidomos kosovarë për të cilët shkruajnë apo janë pjesë e e-misioneve të tyre dhe paguhen mirë!

Është me interes të theksohet se këta që e paguajnë Tosin kurrë nuk kanë bërë gjë të hajrit, as për Shqipërinë e as për Kosovën. Madje, kanë bërë kryesisht dëm! Kjo mbase është litari logjik që lidhë Tosin me Kosovën e që përfundon kryesisht me interes material. Fatos Lubonja në një intervistë për një medium gjerman deklaron se Ramush Haradinaj qenka vrasës ndonëse Tribunali i Hagës e ka shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Madje, këtë e ka bërë edhe në procesin e përsëritur! Tosi e citon Karla del Ponten , ish kryeprokuroren e Tribunalit e cila pati deklaruar se për shkak të vrasjes së dëshmitarëve nuk ka qenë e mundur të dëshmohet fajësia e Ramush Haradinajt. Madje, jo që e citon del Ponten por plotësisht i beson! Sikur edhe një autori tjetër që shkruan zi e terr për luftën e UÇK-së dhe Ramush Haradinajn. Fatos Lubonjës nuk i intereson as karakteri çlirimtar i luftës, as vuajtjet e shumta si dhe sakrifica por me një vetëdije të plotë dhe qëllimisht përpiqet ta kriminalizojë luftën dhe bartësit e saj! Çka ka të bëjë këtu me të drejtat e njeriut? Ai mund të ketë dyshime dhe shprehet që ka në vendimet e gjyqësorit në Shqipëri apo Kosovë por , si “mbrojtës” i të drejtave të njeriut si mund të dyshojë në vendimin e Gjyqit të Hagës që është autoritet suprem ndërkombëtar për krime lufte e në fakt që i mbron të drejtat e njeriut ? Ky edhe është misioni i Tribunalit të Hagës për Krime Lufte .

Po flirti i Lubonjës me një profitere të luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë siç ishte zonja del Ponte ka filluar më herët! Që nga koha e artë e karaxhozëve që merreshin , “ hulumtonin “ , shkruanin e çka jo tjetër trafikimin e organeve në “sallat e operacioneve” të UÇK-së në klinikat supermoderne të një stalle bagëtishë në Shtëpinë e Verdhë në një fshat afër Burrelit në Shqipëri. Në kohërat e rrenave të mëdha lindin dhe forcohen koalicionet e fuqishme! Pikërisht në këtë kohë isha i ftuar në televizionin B92 për të biseduar për këtë temë që ishte shumë atraktive sepse ishte mënyra më e mirë dhe më efikase për t’i eliminuar nga skena individë të caktuar apo për të mbajtur nën presion shumë individë të fuqishëm politik në Kosovë përmes hetimeve që ende po zgjasin sipas aktakuzës së mashtruesve Dik Marti dhe supermashtrueses del Ponte. Kjo ishte aktivizuar edhe për një arsye tjetër; të bëhej presion mbi Tribunalin e Hagës për ta dënuar Ramush Haradinajn. Në atë emision kam hedhur poshtë mundësinë që në atë stallë të shkretë bagëtishë në Burrel të jenë kryer operacione aq të sifistikuara siç ishte heqja e organeve dhe trafikimi me to! Pastaj foli një ekip gazetarësh nga Serbia sikur të ishin pjesë e prokurorisë së zonjë del Ponte. Dhe për fund përmes një linjeje telefonike u dëgjua zëri i “ nasheg gosta iz Tirane “ siç e prezantuan në B92 , ai i Fatos Lubonjës i cili ishte edhe më akuzues se i Karla del Pontes dhe medieve të Serbisë . Aq për Lubonjën.

Mbrojtës i Fatosit dhe shkelës i etosit : Arben Idrizi shkruan rregullisht si kolumnist në gazetën Ekspress, të shuar fizikisht por të forcuar virtualisht dhe bënë përpjekje ta imitojë një gjeni shkrimtar rus siç ishte Dostojevski të cilit edhe fizikisht i ngjanë! Nuk mund t’i kontestohet zgjuarësia dhe shkathtësia gjatë shkrimit dhe trajtimit të temave që llogariten si të nxehta dhe të rrezikshme. Në fakt, është vetëm bllof sepse sot nuk është rrezik të shkruash për luftën e UÇK-së dhe komandantëve të saj ! Madje është shumë përfituese të shkruash sa më keq për luftën dhe bartësit e saj apo t’i përqeshësh viktimat e shumta të kësaj lufte! Është rrezik të shkruash kundër Kosovës multietnike, kundër EULESH-it apo kundër ndonjë ambasadori apo diplomati që vranë e kthjell në Kosovë! Sot karriera ndërtohet nëse e shani Adem Demaçin i cili na prishi me Serbinë dhe Jugosllavinë , me “miqtë” ndërkombëtarë dhe duke na servuar Ballkaninë! Në fakt këtë e bëjnë ata që i shërbyen qençe Jugosllavisë dhe Serbisë të cilët në kohën e Titos kishin një rrogë ndërsa në kohën e Hashim Thaçit i marrin nga 4-5 rroga dhe kanë status të merituar. Po të mos ishte Adem Demaçi UÇK –ë do të konsiderohej terroriste si Hesbollahu sot. Dhe nëse e analizoni politikisht dhe strategjikisht Ballkania ka qenë më e avancuar se Kosova e Rambujesë! Në shumë pika edhe më e avancuar se Kosova e bosnjëzuar e sotit.

Arben Idrizi në mbrojtje të një analisti delikuent dhe problematik siç është Fatos Lubonja i kriminalizon thuaja të gjithë bartësit e luftës dhe krijuesit e UÇK-së duke i quajtur vrasës dhe duke i shpallur fajtorë pa iu bërë fare gjyq. Lista e vrasësve të Arben Idrizit është bukur e gjatë : Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Kadri Veseli , Ilmi Reçica, Latif Gashi , Azem Syla, Rrustem Mustafa – Remi, Xhabiir Zharku, Xhavit Haliti, Bekim Haxhiu – Kamishi, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Rexhep Selimi, Florin Krasniqi, Daut Haradinaj , Ukë Rugova dhe të gjithë pjesëtarët e Sigurimit të Atdheut dhe SHIK-ut. Pjesëtarët e UDB-së nuk përfshihen në listat e Lubonjës dhe Idrizit. Ata, Tosi dhe Beni mund të tregojnë pse nuk janë në lista! Kjo listë mjafton që me ta të përurohet dhe mbushet Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdofcë të Besianës. Dhe një pavijon në Burgun për Dëshmitarë të Mbrojtur në Dubravë. Ata që kanë krye deri në pesë vrasje mund të jenë edhe në Dubravë përkatësisht edhe në arrest shtëpiak nëse keni kryer një vrasje siç është rasti i Nazim Bllacës . Njëmend, pse në këtë list nuk është edhe emri i Nazimit ?! Nazim Bllaca sot, pas disa diplomatëve është njeriu më i fuqishëm në Kosovë. Nga ai varet karriera politike dhe e ardhmja e shumë politikanëve në Kosovë! Është më i fuqishëm se 100 zona zgjedhore. Arben Idrizi nuk ka fare mëdyshje nëse të listuarit e tij janë vrasës. Ai i quan vrasës. Prandaj as unë nuk i futa në thonjëza . Po e citoj Arbenin. Dhe këtu pikërisht qëndron problemi apo krijohet problemi. Këtu kemi të bëjmë me shkelje drastike të të drejtave të njeriut. Në emër të cilave kanë shkruar edhe Tosi me Benin. Kemi të bëjmë me etosin.

Me moralin gazetaresk , njerëzor dhe kombëtar. Me tejkalim dhe keqpërdorim të këtij morali. Profesional dhe njerëzor. Sepse, është e papranueshme që në të njëjtën kohë të jeni gazetar, analist, hetues, prokuror , polic dhe gjyqtar. Të dënoni njerëz pa gjyq. Pa një gjykim fer dhe të paanshëm. Kështu, së paku parashohin të drejtat e njeriut. Nuk e di çka po bëjnë Ismet Kabashi dhe Enver Peci, Fejzullah Hasani dhe Hamdi Ibrahimi , Mauricio Salustro dhe Shpend Maxhuni ?! Apo EULESH-i i famshëm i cili kryesisht po merret me arrestimin dhe gjykimin e shqiptarëve. Kjo listë e “ vrasësve “ e Arben Idrizit do të duhej të ishte desert për EULESH-in sepse të gjithë janë shqiptarë dhe hiç njërin që është trashigimtar i “rezistencës paqësore historike “ të tjerët janë komandantë apo nga majat e UÇK-së! Ata, pas këtij artikulli është dashur të veprojnë sipas detyrës zyrtare dhe të merren, ose më ata që janë në listen e Arben Idrizit ose me vet Arben Idrizin si përpilues të listës nëse vërtetë ky e ka bërë listen! Në të kundërtën duhet të mbyllen prokuroritë, gjykatat dhe burgjet! Të mbetet vetëm EULESH , me Salustron, Fatos Lubonjën dhe Arben Idrizin! Sipas Arben Idrizit po del se kryevrasësi po del të jet pikërisht Komandanti Legjendar i UÇK-së , i Pavdekshmi Adem Jashari. Jo sepse paska vrarë policë, paramilitarë , ushtarë serbë dhe spiujë por se paska vrarë fëmijët dhe pleqtë e familjes Jashari. Familjes së tij! Me një fjalë Adem Jashari paska vrarë babën Shaban dhe nënën Zahide si dhe fëmijët e tij, të vëllaut Hamzës dhe të Rifatit!!!!! Ndihmo Zot ! Nuk është Arbeni që i pari e thotë këtë! Këtë e kanë thenë më herët të gjithë ata që nuk kanë dhënë as kontributin më të vogël për lirinë e Kosovës duke përqeshur luftën dhe duke u tallur me viktimat. Ata, në fakt sot po jetojnë shumë mirë dhe numri i tyre po rritet në përputhje me horllëqet që po i bëjnë një pjesë e komandantëve të luftës dhe atyre që thirren në këtë emër duke u zhytur në hajni , jetë imorale , nepotizëm dhe kapjes së shtetit pa pushtet! Horrat që kanë dalë nga lufta po bëjnë penallti të panevojshme në zonën e ndaluar duke u dhënë rast horrave të pavdekshëm antikombëtarë të shënojnë gola sa të duan dhe kur të duan! Baca Adem ka thënë se :” nuk do të mbetet kush pa u korit “! Dhe ashtu po del.

Ka mundësi që shumë kriminelë , të gjitha llojeve, t’i shpëtojnë drejtësisë tokësore por nuk ka mundësi t’i shpëtojnë drejtësisë hyjnore . Në këtë kontekst po e marrë dënimin që janë duke e pësuar disa nga lista e Arben Idrizit të cilët, në përpjekje për të mbrojtur prapanicën e tyre po u nënshtrohen faktit se mbi ta mund të pështyjë dhe lehë kush të dojë . Dënimi moral është shumë më i rëndë se dënimi penal! Së paku kështu duhet të jetë. Burgu harrohet por pafytyrësia nuk harrohet! Por Kosova është rast sui generis. Rast ku përballen por edhe bashkëjetojnë një pjesë e horrave të luftës të shndërruar në horra të paqes me ata horrat me mendësi sllave që po shumohen dita –ditës. Si rriqërat e Malishevës!

Ndërkaq sa i përket “ kryevrasësit “ Adem Jashari nuk ka dyshim se ai e krijoi historinë e shqiptarëve dhe u bë shembull i historisë së njerëzimit se si luftohet dhe jetohet për liri duke fituar pavdekësinë e përjetshme! Deri më sot nuk ka rast të tillë në historinë botërore dhe vështirë se do të ketë! Për aq kohë sa do të ketë jetë dhe njerëz në këtë botë, Adem Jashari do të përmendet . Ai mund të harrohet dhe injorohet nga ne, të mjerët që nuk bëmë asgjë për lirinë tonë dhe shtetin, të cilëve nuk na mbeti asgjë vetëm të kundërmojmë për së gjalli dhe qelbemi për së vdekuri! Për ne që jemi kalimtarë të rastit në këtë botë apo kufoma të gjalla sa për të përmushur një numër! Ne, qyqarët kemi nevojë të kompensohemi duke ua hequr lavdinë atyre që e merituan dhe duke u veshur me lavdinë e tyre ne që jemi qyqarë në shpirt, mendje dhe veprim!

Më Shumë

Lajmet e Fundit