2.2 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

“Ec Ma Ndryshe” publikon raportin “Planifikim urban për qytetarët”

EcMaNdryshe-Fjolla“Ec Ma Ndryshe” sot ka publikuar analizën “Planifikim urban për qytetarët”, që është produkt i anketimit me qytetarë të Prizrenit me mostër të gjerë dhe i shpalos rezultatet mbi problemet dhe sugjerimet e tyre për planifikimin urban. Ndër problemet më të mëdha të qytetarëve ishin bllokimi i trotuareve me makina, mungesa e mirëmbajtjes së trotuareve gjatë dimrit, ndërtimet pa leje, mungesa e hapësirave të gjelbëruara, qarkullimi i vështirësuar për persona me aftësi të kufizuar, problemet me ujësjellës dhe ndërtimet e larta.

“Problemi më akut nga përgjigjet e të gjitha grupeve të interesit ndërlidhet me të qenit këmbësor dhe me lëvizjen e lirë në qytet. Pengesa në lëvizje nëpër trotoare nga makinat e parkuara dhe në kushte të vështira atmosferike, nga bora e papastruar. Në grupin e problemeve të lëvizjes nëpër qytet hyjnë edhe problemet e mungesës së infrastrukturës së nevojshme për njerëzit me aftësi të kufizuara; problemet e sigurisë në rrugë, e cila edhe pse e pa specifikuar në pyetësor, mund të jetë siguria e lëvizjes e cënuar nga automjetet; siguria nga krimi; siguria e lëvizjes së femrës pa ngacmime e provokime të natyrës seksuale, etj.

Të gjitha këto probleme konfirmojnë se planifikimi dhe manaxhimi urban në komunën e Prizrenit është ndër sektorët më të pazhvilluar. Për më tepër, anketimi me qytetarë konfirmon edhe mungesën e madhe të konsultimit dhe përfshirjes së tyre në procesin e hartimit të planeve urbane të komunës. Komuna duhet të insistojë në ndërmarrjen e fushatave vetëdijesuese dhe informuese përmes shpërndarjes së materialeve dhe organizimit të takimeve informuese me fokus grupe në nivel të njësive më të vogla administrative (psh. këshillat e lagjeve, këshillat e banesave, etj.)”, thuhet në raport.

Sipas hulumtimit del se femrat janë më pak të informuarat në lidhje me planet urbane dhe çështjet që ndërlidhen me qytetin në përgjithësi. Shqetësimi kryesor te planifikimi gjithpërfshirës urban është e drejta e shfrytëzimit të barabartë të qytetit nga femra, pa pengesa, vështirësi dhe frikë. Sipas “Ec Ma Ndryshe”, komuna duhet të fuqizojë rolin e femrës në proceset që ndërlidhen me planifikimin urban dhe të adresojë të gjitha aspektet që ndërlidhen me shfrytëzimin e papenguar të qytetit.

“Nga mostra e hulumtumit gjithashtu del se pjesëtarët e bashkësisë boshnjake, rome, ashkali, egjiptiane dhe turke janë në disavantazh ndaj shumicës shqiptare në këtë aspekt. Shkalla e mosinformimit te këto bashkësi është jashtëzakonisht e lartë dhe mjaft shqetësuese. Nga këto të dhëna del se komuna duhet të angazhohet më shumë në sektorin e informimit në gjuhët e këtyre bashkësive, t’i takojë në fokus grupe të përziera dhe të veçanta si dhe duhet të punojë më shumë në integrimin e tyre dhe adresimin e shqetësimeve dhe çështjeve të interesit të tyre në lidhje me qytetin”, thuhet në raport.

Shqetësimi tjetër që dominon ndër qytetarë të Prizrenit, bazuar në këtë hulumtim, është hapësira dhe objektet publike. Grupi i interesit të pensionistëve prej problemeve kyçe në qytet, cilëson mungesën e vendtakimit të tyre si dhe mungesën e parqeve. Ndërsa të rinjtë në vend të parë kanë mungesën e hapësirave dhe objekteve për aktivitete kulturore. Komuna e Prizrenit, krahas promovimit të lëvizjes në qytet në këmbë dhe me biçikletë, dhe zgjerimit të rrjetit të rrugëve dhe shtigjeve këmbësorike, do të duhej të kujdesej për krijimin e pikëtakimeve, hapësirave publike të madhësive të ndryshme, parqeve e zonave të gjelbëruara dhe hapësirave për kulturë e rekreacion./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Vëllaznimi fiton ndaj skuadrës së Golden Eagle Ylli

Me ndeshjen Ylli – Vëllaznimi është mbyllur xhiroja e 13-të e Superligës së Kosovës në basketboll, përballje kjo që u zhvillua në palestrën “13...

Mbi 1 mijë e 700 tiketa trafiku shqiptoi policia gjatë një dite

Policia e Kosovës ka shqiptuar 1 mijë e 746 tiketa trafiku gjatë 24 orëve të fundit. Gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndodhur 36 aksidente me...

Lajmet e Fundit