Kujtim S. Gërmizaj
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Prizren, që do të mbahet më 9 nëntor 2025, nuk do të përcaktojë vetëm kryetarin e ri të qytetit, por edhe drejtimin që do ta marrë Prizreni për katër vitet e ardhshme.
Qytetari, jo partia, do ta përcaktojë fituesin.
Në Prizren, votuesi ka treguar se nuk është peng i asnjë strukture politike. Gjithnjë e më shumë qytetarë të pavarur, të rinj dhe profesionistë po shndërrohen në faktorë të heshtur, por vendimtarë në përcaktimin e rezultatit.
Edhe pse jashtë garës së balotazhit, LDK mbetet faktor kyç. Elektorati i saj, i shpërndarë në qytet dhe në fshatra, tradicionalisht ka qenë racional dhe kërkon stabilitet. Por këtë herë, vota e tij mund të jetë vendimtare dhe e paparashikueshme.
Bashkë me mijëra qytetarë që abstenuan në raundin e parë, këta votues do të përcaktojnë se kush do ta udhëheqë Prizrenin në katër vitet e ardhshme. Në këtë kontekst, asnjë marrëveshje e fshehtë politike nuk ka peshë pa legjitimitetin e qytetarit. Vota e lirë, e menduar dhe e përgjegjshme, do të jetë faktori që do të bëjë diferencën.
Dy javët e fundit të fushatës do të jenë thelbësore për ndërtimin e besimit dhe qartësisë. Qytetarët duan të dëgjojnë përgjigje të drejtpërdrejta për çështje konkrete: zhvillimin e ekonomisë lokale, menaxhimin e trafikut dhe planifikimin urban, promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore, si dhe transparencën në përdorimin e parasë publike.
Nëse kandidatët flasin për njerëzit, jo për partitë, fitues do të jetë Prizreni.
Kushdo që do të fitojë më 9 nëntor, duhet ta kuptojë se mandati nuk është shpërblim, por përgjegjësi. Qytetari kërkon një kryetar që nuk flet vetëm për 30 ditë, por punon për 1 400 ditë. Një njeri që ecën me njerëzit, jo mbi ta.
Prizreni ka qenë gjithmonë barometër i ndryshimeve politike në Kosovë. Tani ka rastin të dëshmojë se është edhe shembull i pjekurisë qytetare – se ndëshkon arrogancën dhe shpërblen sinqeritetin.
23 tetor 2025
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren