Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” në Dragash ka njoftuar se ka përmbyllur me sukses një aksion katërditor për largimin e dy arinjve që ishin shfaqur në fshatin Bellobrad të komunës së Dragashit, duke shkaktuar shqetësim për banorët.

Aksioni është udhëhequr nga kryetari i shoqatës, së bashku me stafin profesional dhe anëtarët që morën pjesë në operacion.

Sipas shoqatës, arinjtë janë larguar në një zonë të sigurt, larg vendbanimeve, gjithmonë duke u kujdesur për mirëqenien dhe shëndetin e tyre.

Shoqata ka falënderuar Komunën e Dragashit dhe Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe asistencën gjatë gjithë kohës, duke siguruar mbrojtje për qytetarët dhe mbarëvajtjen e operacionit.