3.1 C
Prizren
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Rrëfimi i Kadaresë: Nga humbja e statusit të BE e tritoli, tek Tit Gjepali

IsmailKadare6-30Historia, rishkrimi i saj, poli tika, përplasjet serbo-shqiptare, vendi ynë dhe Europa, letërsia, drejtësia, korrupsioni janë çështjet e nxehta për të cilat flet shkrimtari në këtë intervistë dhënë gazetës “Illyria” në New York.
Ka disa vite që daljet tuaja në shtyp janë rralluar në mënyrë të dukshme. Keni ndonjë shpjegim për këtë?
Është e vërtetë se qysh pas rënies së komunizmit, me gazetën tuaj kam patur një lidhje me mi-rëkuptim të vazhdueshëm, për të cilën ju falenderoj. Lidhur me rrallimin e daljes në shtyp në për-gjithësi, nuk besoj se kam ndonjë shpjegim të veçantë. Është e kuptueshme që shkrimtarit, më shumë se për çdo gjë i pëlqen të flasë për letërsinë. Këtu nis problemi. Letërsia është një sferë e vështirë dhe krejt e papërshtatshme për t’u trajtuar në shtypin e gjerë. Ndërkaq, vetë shtypi i gjerë, me të drejtë, i shmanget pyetjeve profesionale. Shkrimtarit, pasi i kërkohet të japë mendimin për gjysmën e problemeve të globit, i bëhet më në fund pyetja: Dhe tani zoti X., për t’iu kthyer letërsisë, a mund të na thoni se a keni ndonjë vepër në duar?
Do t’i shtoja kësaj atmosferën e acaruar që sundon në Shqipëri: Nervozizmi, fyerjet, urrejtja. Të gjitha këto ta heqin dëshirën për të folur.
Mendoni se shkrimtarët shqiptarë të kohës së tanishme shqetësohen nga një atmosferë e tillë? A është kjo atmosferë një pengesë? Keni thënë disa herë se letërsia dhe jeta shoqërore zhvillohen sipas proceseve të ndryshme.
Natyrisht. Dihet se si një botë paralele letërsia ka kanonet e saj. Një prej tyre është vlerësimi sipas majave. Në historikun e saj, nivelet e mesme dhe të ulëta nuk merren parasysh. Në shoqëri, për shembull, ndodh ndryshe: niveli i mesëm, në një këndvështrim politik dhe ekonomik sidomos, është vendimtar. Ky kriter i veçantë i letërsisë dhe i arteve shpesh herë krijon probleme dhe keqkuptim.
Çoroditja e kritereve herët a vonë i dëmton brezat e shkrimtarëve. Në Shqipërinë e sotme, për shembull, ka shkrimtarë të talentuar, por mungon vënia në pah e tyre. Vënia në pah, dallimi, “fama”, në jetën shoqërore shihen si diçka jo e lakmueshme, kurse në botën e letërsisë janë pjesë e natyrshme e saj. Modestia që iu kërkohej shkrimtarëve në komunizëm ishte në të vërtetë kërkesë për të ulur kryet. Dihet urrejtja e Leninit për shkrimtarët e shquar. Mao Ce Duni, ndonëse shkruante vetë, e çoi më tej.
Një autor i njohur, Frederic Ferney, ka shkruar se “Kadare ka mishëruar, dhe kjo nganjëherë kundër dëshirës së tij, ndjenjën e fajit të Shqipërisë, skllave dhe zonjë në të njëjtën kohë”. Si e komentoni këtë?
Mendoj se fjala “faj”, e aq më tepër paradigma e tij, nuk ka pse të na trembi. Shqipëria s’ka asnjë arsye të druhet nga fajet e saj. As t’i fshehë ato. As të thotë se, ndryshe nga të tjerët, nuk ka bërë faje etj. Kohët e fundit është gjetur një farë ujdie (kompromisi): fajet Shqipëria ia ka bërë vetes, por jo të tjerëve. Është fjala për rendin komunist, shtypjen e brendshme. Kurse jashtë kufijve nuk i paska rënë në qafë askujt.
Kjo s’është e saktë. E para sepse faji i brendshëm është vështirë të mos kapërcejë kufijtë. E dyta, sepse historia shqiptare nuk mund të lajë duart për marshimet dhe mizoritë e feudalëve të saj, të cilët, në aleancë me perandorinë osmane, i kanë rënë kryq e tërthor gadishullit. E treta, në gjysmë shekullin e saj komunist vendi ynë ka qenë armiku më i egër i Perëndimit, thënë ndryshe, i Europës.
Ju kritikojnë nganjëherë për nacionalizëm, gjë që vjen në kundërshtim me mendimet që shprehët më lart. Si e shpjegoni këtë?
Kombi dhe kombëtarizmi janë motivet më të parapëlqyera sot për spekulantët e çdo ngjyre, për ngrehalucët provincialë, që kërkojnë të hiqen modernë, së fundi, për budallenjtë. Mjegullimi i kufijve midis patriotizmit të vetvetishëm, të shëndetshëm, që njihet qysh në kohërat antike, me nacionalizmin vulgar, madje racizmin, është bërë diçka që përsëritet, sidomos shekullin e fundit. Me dhjetëra mendje të ndritura janë përpjekur të shpjegojnë se dashuria për vendin tënd, për njerëzit e tu, nuk ka në vetvete asgjë të keqe, përkundrazi është një përkryerje e njeriut, e aftësisë së tij që ta dojë të mirën edhe përtej vetes, drejt popujve të tjerë.
Ka qenë e bezdis-shme për ju kritika për nacionalizëm? A është dëmtuese për një shkrimtar një kritikë e tillë, sidomos në opinionin ndërkombëtar? Është lidhur kjo me angazhimin tuaj në çështjen e Kosovës?
Akuza për nacionalizëm është, ndoshta, më e rënda që mund t’i bëhet një shkrimtari. Ajo ngjan e besueshme në sferën e letërsisë ngaqë letërsia lidhet natyrshëm me gjuhën, me njohjen e kombit, me ato që quhen “letra të fisnikërisë” së një populli. Kam qenë pothuajse i sigurtë se çështja e Kosovës, sidomos bombardimi i Serbisë, do ta dëmtonte emrin tim si shkrimtar. Opinionit europian nuk mund t’i dukej normale që një shkrimtar i njohur ta quante të nevojshëm një bombardim. Aq më tepër që konflikti shqiptaro-serb për Kosovën krijoi një ndarje midis shkrimtarëve të shquar. Për të dhënë vetëm një shembull, Vaclav Haveli ishte pro Kosovës, kurse Solzhenicini kundra. Në rastin tim, ma morën pak për keq, por, të them të vërtetën, jo aq sa ç’e prisja. Ishte një nga çastet historike, kur qytetërimi europian, me vendimin për të ndëshkuar Serbinë, tregoi shkallën e lartë të emancipimit të tij.
Si e pritët shtyrjen e vendimit për statusin e Shqipërisë në BE? Shqipëria mbeti përsëri në trenin e fundit. A prisnit diçka tjetër?
Së pari desha të them se është diçka e mirë, diçka normale që në Shqipëri të gjithë e kanë mendjen tek ky problem. Nuk është një ngulmim (obsesion) i modës.
Është vështirë të gjendet ndonjë pjesë e globit që nuk ka një raport, një histori me Europën. Ajo që po ndodh këto ditë në Ukrainë, ka nevojë për një interpretim të thellë tek ne në Shqipëri. Ka gjasë që krahët e politikës të kërkojnë të nxjerrin përfitime, secili në favor të vet. Do të ishte më i këshillueshëm një lexim i ngjarjeve nisur nga një vizion i gjerë i interesit kombëtar.
Ndërkaq ne ndodhemi në epilogun e një keqkuptimi 600-vjeçar me Europën. Ndaj dhe me të drejtë jemi kaq të shqetësuar. Në këtë rast gjëja më e lehtë, por më e keqe për ne është të ngrihesh e të mallkosh Europën që s’na pranoi. Ose veten tonë që s’e merituam. Gjëja më e mirë është të përpiqesh të kuptosh arsyet përse keqkuptimi vazhdon. Dhe mbi të gjitha të kuptosh se orientimi i një vendi, i një populli, i një historie nuk mund të ndryshojë sipas trilleve të çastit.
Është një opinion i përhapur se Europa Atlantike, pasi e ka ndëshkuar Serbinë, ka një farë pendimi për këtë. Nga ana tjetër, një zhgënjim që punët në Kosovë e në Shqipëri nuk shkojnë mirë.
Ka një debat sot në Shqipëri e në Kosovë për rishikimin e historisë, sidomos gjatë pushtimit osman. Në librin tuaj “Mosmarrëveshja” e keni prekur këtë çështje. A mund të dimë diçka më tepër?
Kjo është një temë tepër e gjerë që vetvetiu përkitet me letërsinë, megjithatë në radhë të parë mbetet çështje historianësh. Mendoj se në parim termi “rishkrim i historisë”, pa qenë i gabuar, ngjan i pasaktë. Historia është përherë në gjendje plotësimi, vërtetimi, qartësimi, shkurt, në gjendje “rishkrimi”. Gjë që nuk ndodh, për shembull, me letërsinë. Vlerat e saj ose bien gjatë kohës ose rrotull kohës që krijohen, ose qëndrojnë përgjithmonë. Më lejoni të përsëris se nga kjo pikëpamje letërsia është më e qëndrueshme se qytetërimi që e krijoi, se populli që i përket, madje edhe se vetë gjuha që e lindi. (Kujtoni greqishten e vjetër dhe latinishten, shuarja e të cilave nuk e preku Homerin apo Virgjilin).
Për t’u kthyer tek pyetja juaj, dihet se kur një diktaturë bie, e para që gjykohet pas krimeve, është historia që ajo i ka shkruar vetes. Debati për rishkrimin e historisë në Shqipëri filloi krejtësisht mbrapsht: jo me historinë e gabuar të rendit që sapo ra, por me Kastriotin, pushtimin turk dhe Rilindjen. E sikur të mos mjaftonte kjo, në debat u hodhën ide monstruoze se ishte komunizmi shqiptar që na paska hymnizuar Skënderbeun dhe Rilindjen! Me një fjalë, gjithçka u trajtua kokëposhtë, duke përfunduar në një lavdërim djallëzor të tiranisë së përmbysur!
S’po zgjatem me ndërhyrjen për ta quajtur robërinë osmane liri, që ka qenë poshtërimi publik më i madh ndaj kombit. Përpara kemi 70 vjetorin e çlirimit dhe me ç’po duket, kjo do të jetë një tjetër vjegë për përçarje dhe grindje të lodhshme. Shkrimi, ose më saktë, rishkrimi i historisë së shekullit XX, është një proces në zhvillim për shumicën e vendeve të Europës. Ndarja në “fitimtarë dhe të mundur” është më e ndërlikuar se ç’paraqitet. Pas ballinës së jashtme nuk mund të mbulohen krimet e mëvonshme, as tiranë të llojit të Stalinit, që u shpall ca kohë si njeriu që mposhti Hitlerin. Le të shpresojmë që të ketë një shqyrtim gjakftohtë, përtej interesave të krahëve të sotme të politikës, si për ngjarjet kryesore, si për tragjeditë, qoftë asaj të 4 shkurtit, qoftë asaj të Tivarit (Këtij Katyni të Shqipërisë) e kështu me radhë.
Do të më lejoni të përsëris një shembull, për të cilin e di se ka mospajtim të theksuar. Është fjala për treshen e njohur Noli, Konica, Zogu. Vështirë se mund të përfytyrohet diçka më e pabashkueshme se kjo treshe. Një peshkop gjeni, një polemist brilant, një mbret si çdo mbret. Të tre kundër secilit në gjithçka. E megjithatë e pabesueshmja ka ndodhur: peshkopi gjeni, princi i letrave dhe mbreti e lanë këtë jetë të pajtuar.
Në një letërkëmbim me autorin e kësaj interviste keni shkruar se në Shqipëri sot po ndihet një frymë antieuropiane e tërthortë, një përpjekje për diskreditimin e vlerave perëndimore. Pse ndodh kjo dhe a ka faktorë që i nxitin?
Vazhdoj ta kem një mendim të tillë. Është problem i përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës. Ai lidhet me problemin numër një të kombit shqiptar: Të drejtën e ekzistencës së tij. Ndryshe nga përfytyrimet poetike, populli i pavdekshëm, atdheu i përjetshëm, etj, kombi, që është njëherësh edhe atdhe, edhe popull, edhe parim shpirtëror dhe vullnet kushtetues, është tepër i brishtë… Anarkia e mendimit sjell pas vetes anarkinë e mirëfilltë.
Ka probleme që janë gjitheuropiane, si korrupsioni. Por ka të tjera që janë veçanërisht shqiptare: si hapja e arkivave të fshehta, e famshmja çështja e spiunëve. Zgjidhja e njërës nuk ka pse të përjashtojë tjetrën. Përkundrazi, e ndihmon.
Korrupsioni, për shembull, është i pandarë nga shthurja e drejtësisë. S’them ndonjë gjë të re po të përsëris se kjo e fundit po bëhet një nga turpet tona. Për t’u nisur nga shembuj të thjeshtë: një drejtësi që tregohet kaq zemërgjerë me një kriminel, që pasi ka vrarë pesë njerëz brenda ditës dhe thotë “boll vramë sot”, jo vetëm merr dënimin minimal, por i jepet leje e shpeshtë shpërblyese për vizitë në shtëpi. Ndërkaq është e njëjta drejtësi që tregohet krejt zemërgur me vajzat adoleshente ose gratë që bien në faj, duke treguar kështu një mendësi talibanësh.
Me gjithë kritikat ndaj klasës politike ose shoqërisë shqiptare, në librin e fundit “Mosmarrëveshja” vihet re se ju theksoni besimin tuaj për të ardhmen shqiptare në Ballkan dhe në Europë. A mund të na thoni diçka më tepër?
Jam kundër ligështimit moral. Për fat të keq, ai shfaqet përherë e më shpesh. Kjo ndodh me popujt që porsa dalin nga tiranitë, ku optimizmi dhe entuziazmi bënin pjesë në ritualet e diktaturës. Megjithatë ligështimi moral, qoftë edhe i veshur me kostum antikomunist, mendoj se është dëmtues.
Përmendëm dy nga lëngatat më të rënda të kohës: korrupsionin dhe shthurjen e drejtësisë. Kam bindjen se një dramë e tretë, ajo e mjedisit, do të mbetej në hije në qoftë se nuk do të kishte fituar një peshë botërore. Një mënyrë të menduari tipike e kohës, nga ato që mund të quhen “krahasuese-përjashtuese”, ne kemi halle të tjera, na vriten njerëzit me tritol, e ju na flisni për mbrojtjen e pemëve, kishte rrezik ta mbyste dosjen e mjedisit. Ndërkaq shkatërrimi i pyjeve në Shqipëri, prishja e bregdeteve, e ekoklimës s’është më pak dramatik se një sulm barbar, me të vetmin ndryshim se s’vjen nga barbarët, por nga vetë ne.
E kështu mund të vazhdohet, ta zëmë, me një problem të kulturës. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka një ndërtesë teatri kombëtar. A duhet të them se qytetërimi europian ka nisur në shkallët e teatrit? Ka gjasë që të kem përgjigjen: ne s’kemi strehë ku të futim kokën, ky flet për teatër. E kështu me radhë, për të përfunduar te shprehja: “ky vend s’bëhet!”
Unë mendoj të kundërtën. Ky vend do të bëhet. “Marrë nga gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria”, New York”

Më Shumë

Certifikohen mësimdhënësit e trajnuar nga “Lions Quest” në Malishevë

Sot, në Komunën e Malishevës, u mbajt ceremonia e certifikimit të mësimdhënësve që përfunduan me sukses trajnimin "Lions Quest". Ky trajnim synon zhvillimin e...

Projekti i teleferikut të Kalasë së Prizrenit pritet të nisë në vitin tjetër

Projekti i teleferikut të kalasë në Prizren pritet të nisë vitin tjetër. Projekti që ka marrë mbështetjen e qeverisë së vendit, po hartohet nga...

Me zemër

Lajmet e Fundit