22.8 C
Prizren
E diel, 23 Qershor, 2024

Clark: Serbia s’do paqe, Kosova s’dëshiron pavarësi të nënshtruar

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, i cili ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-së kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, ka deklaruar se “Serbia s’do paqe, ndërsa Kosova s’dëshiron pavarësi të nënshtruar”.

Deklarata e Clarkut, ka qenë pasi është pyetur për paqen mes Kosovës dhe Serbisë në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Meqë mes dy vendeve aktualisht s’ka konflikt, Clarku situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë e ka quajtur si “paqe të ftohtë”.

Sipas tij, “Serbia duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj është me Perëndimin. Kur serbët ta kuptojnë këtë, nuk do të ketë probleme me Kosovën”.

Ndërkaq, i pyetur për një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, ai u shpreh se rreziku për dhunë vazhdon të ekzistojë.

“Mendoj se ka rrezik për dhunë. Vite më parë, kemi parë përpjekje për grushtshtet në Mal të Zi. Së voni, kemi parë sherr në kufi mes Serbisë dhe Kosovës, në të cilin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka mohuar se ka marrë pjesë. Por, dikush në Serbi ka marrë pjesë, sepse lëvizja e forcave ushtarake ka qenë e organizuar dhe e urdhëruar”.

Teksa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, gjenerali amerikan theksoi se është çështje e brendshme politike dhe s’mund të komentoj.

“Unë kurrë nuk përfshihem në politikën e brendshme të vendeve… sepse kur nuk je qytetar, nuk jeton atje, nuk duhet të japësh komente. Ajo që dimë historikisht, është se komunitetet serbe kanë qenë të lidhura me Kishën Ortodokse, e kanë përdorur atë kishë si bastion dhe si pikë qendrore për rebelim, shtypje ose agresion”.

Si zgjidhje më të duhur të kësaj situate sesa Asociacionin, ai e sheh normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Unë mendoj se është më mirë për të gjithë në rajon nëse nuk e shtyjmë përpara Asociacionin, por në vend të tij punojmë që këto dy qeveri të Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet diplomatike”.

Edhe për çështjen e dinarit, ai deklaroi se Kosova duhet të bëjë atë që është në interes të tyre.

“Kosova është një vend shumë i vogël dhe i brishtë. Mendoj se të vazhdohet t’i hapet rrugë ekstraterritorialitetit të Serbisë në veri të Ibrit, është jashtëzakonisht e dëmshme për të ardhmen e popullit në Kosovë. Andaj, udhëheqësit kosovarë kanë qenë të vendosur dhe e kanë kuptuar këtë”.

Ai ka thënë se për të dalur nga kjo situatë si rrugëdalje është që Rusia ta tërheqë mbështetjen për Serbinë.

“Rrugëdalje është mposhtja e Rusisë në Ukrainë. Rusia ta tërheqë mbështetjen për Serbinë”.

Clark, thotë se pozita e Serbisë aktualisht në rajon është si “agjente infektuese në rajon”.

“Serbia është si një magnet që i tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë. Sot, ajo shërben si agjente infektuese në rajon – në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe gjetkë”.

Më 12 qershor të vitit 1999, ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark, kishte mbajtur një fjalim kushtuar Kosovës dhe çlirimit të saj.

Clark kishte thënë se 12 qershori ishte dita më e rëndësishme në të gjithë operacionin në kuadër të të cilit ishin të angazhuar për javë dhe muaj të tërë.

Ai i kishte falënderuar forcat e NATO-s për guximin dhe përkushtimin që treguan, duke cekur se edhe familjet e tyre ishin dhe do të mbeten krenar me ata.

Marketing

“Edi Alumin” në Prizren shpall konkurs për mjeshtër të dyerve dhe dritareve të plastikës

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

 

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

 

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

 

 

 

Më Shumë

Prizreni organizon festivalin më të madh të çiklizmit në Kosovë

Bike Fest Prizren, festivali më i madh i çiklizmit në Kosovë, do të mbahet këtë fundjavë nga data 21 deri më 23 qershor në...

Policia shqipton mbi 600 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 648 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar...

Lajmet e Fundit