Lulëzim ETEMAJ
Dëshmorët dhe heronjtë, me sakrificën e tyre sublime, kanë dhënë gjithçka për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e saj. Çdo tentim për t’u mveshur merita dhe grada joreale, duke iu dedikuar vepra dhe veprimtari të paqena, nuk i nderon ata. Përkundrazi.
Asnjëherë nuk do të duhej harruar për asnjë motiv të mundshëm, që zakonisht rezulton të jetë personal, se po këta dëshmorë dhe heronj nuk ishin të vetëm, kishin edhe bashkëluftëtarë dhe drejtues, ushtarak dhe politikë, një pjesë e të cilëve mund të jenë ende gjallë, dhe se u bën të tillë edhe në saje të pikërisht këtyre bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve.
Çlirimi dhe liria e popullit shqiptar ishte më tepër se ëndërr. Ishte më shumë se sa një ëndërr personale. Dhe u bën realitet kur tejkaluan përmasën personale, kur u bën gjakim i shumicës. Nuk nderohen dëshmorët dhe heronjtë duke ua dedikuar ekskluzivisht atyre këtë gjakim. E njëjta gjë vlen edhe për synimin dhe përpjekjet për bashkimin kombëtar, përmes bashkimit me shtetin amë- Shqipërinë.
Është fyerje bizare për luftëtarët e gjallë, një pjesë e madhe e të cilëve kanë pas vetës pa fije dyshimi një mori veprash heroike të bëra për çlirimin, lirinë dhe bashkimin e Atdheut, çdo tentim që Ideali i bashkimit të subjektivizohet duke e stërkequr në përmasën personale të ëndrrës së individit, qoftë ai edhe dëshmor a hero i rënë në luftën çlirimtare, siç po ndodhë edhe këto ditë kur po shënohet përvjetori i thyerjes së kufirit shqiptaro- shqiptar në Koshare, përmes një operacioni të përgatitur në detaj dhe të drejtuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
Lërini dëshmorët dhe heronjtë e rënë në luftë në përmasat e tyre njerëzore. Dhe mos ta keni mendimin që duke mos ua mveshur përmasat që s’i kishin asnjëherë, po i nderoni më pak. Përkundrazi, duke i lënë të tillë çfarë ishin, tokësorë, me sjelljet dhe veprat e mira, më pak të mira apo dhe të këqija, i bëni më njerëzorë, më real dhe më të kuptueshëm, qoftë nga gjeneratat e tanishme, qoftë nga ata që do të vinë.
A s’e shihni sa librat keni bërë për ta që nuk i lexon askush?! Nuk i lexojnë madje as dhe familjet tuaja. Sa dokumentarët, shpesh të parapaguar, që pakkush i shikon deri në fund.
Dëshmorët dhe heronjtë e rënë në luftë ishin njerëz. Njerëz të përkushtuar për Kombin dhe Atdheun deri në sakrificën sublime. Siç janë edhe shumë heronj të tjerë; bashkëluftëtarë të tyre të gjallë.