12.5 C
Prizren
E mërkurë, 26 Mars, 2025

Dilema zgjedhjesh

Blerim RrecajShkruan: Blerim Rrecaj

Dalngadalë a dalngashpejtë po na vije edhe një datë zgjedhjesh. Të cilat po i quajnë të jashtëzakonshme. Pse kur në fakt ato ishin të zakonshme a e shpjegon kush dot? More mos janë të parapaskohshme se? Gjë s’po marr vesh. Fushata është në vlugun më të madh ndonëse ajo zyrtarja, me letra ende nuk është hapur.

Sidoqëtëjetë po shkojmë drejt përurimit të saj, e më pas nëse jemi shëndosh e rehat drejt ditës e diel kur do o s’do t’u drejtohemi kutive të votimit. Listat e partive po qarkullojnë medieve dhe mediet si gjithnjë pothuajse pa përjashtim po nguten t’i publikojnë ato e pasaktësitë ndonjëherë edhe po përmirësohen a korrigjohen.

Për njërën prej partive disa media thonë se ka konkurruar me 21 deputetë e disa të tjera me 114. Dallim jo aq i madh nqaqë jemi mësuar tashmë më me raportimet e këtilla tash e iha sa vjet, së paku punë dekadash të përjetuara është kjo.

Edhe një palë ethe zgjedhore kanë kapluar vendin tonë të dashur. Riethe.Pyetja e përsëritur bëhet pothuajse e pashmangshme: Zgjedhje me a pa zgjidhje janë këto?! (S’)mbaruan pikëpyetjet e pikeçuditëset e mjera…Vështirë të japim ndonjë përgjigje pasi që ndoshta shumica prej nesh as që kemi ndonjë ide se ç’të mira a ç’të këqija do të kemi prej tyre, e pas tyre. Këtë pak kush e thotë, e mundet ta shpjegoj ndonëse kanë nisur të shfaqen mendime për e kundër tyre. Mediat janë të zëna me debate ku po shpalosen programe e më pas dhe po analizohen trashësisht a hollësisht.

Zyrat dhe kafenetë, odat e sallonet po na mbledhin për të diskutuar rreth strategjive e taktikave për grumbullim votash. Po ai avaz i vjetër, po ato emocione, po ato ëndrra (me sy hapur a mbyllur), po ato vizione, po ato iluzione të cilat (s’)kemi e (s’)kanë ku të na çojnë, ne përballë tyre e ato përballë nesh, ose ne me to përballë të tjerëve dhe të tjerët me to përballë nesh. Lëmsh e lesh. Lesh e lëmsh.

Lëmsh leshi. Lesh lëmshi.Është bërë shumë vështirë të thuash diçka siç është bërë shumë vështirë edhe të heshtësh. Sidoqoftë edhe një palë zgjedhje po parakalojnë duke iu bashkuar karvanit të gjatë zgjedhor. Të tjerat s’kanë (dhe aq) rëndësi…

Më Shumë

Si po trajtohet rasti i grisjes së Kuranit në Prizren?

Pas më shumë se dy javë që nga grisja e Kuranit në Prizren, personi i dyshuar vazhdon të jetë në paraburgim. E avokati i...

Presidentja bën nesër homazhe në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël

Presidentja Vjosa Osmani do të bëjë nesër homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël. Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani do të bëjë...

Derbi në kryeqytet

Lajmet e Fundit