14.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Fondi zhvillimor, ide e AKR-së nga vitin 2007

Ibrahim Makolli2Ministri në detyrë i Diasporës dhe bartësi i listës së AKR-së për zgjedhjet e 8 qershorit, Ibrahim Makolli, ka thënë se subjekti që i takon në këto zgjedhjet do ta kthejë fuqinë politike që e kishte në vitin 2007. Gjatë një interviste për gazetën Tribuna, Makolli është shprehur i bindur se AKR nuk ka qenë kurrë me e bashkuar, ndërsa fuqia e saj, sipas tij, do të shihet më 9 qershor.

“AKR do të jetë në Kuvendin e Kosovës, madje do të jetë fuqishëm. Synimi ynë është që ta rikthejmë fuqinë politike që e kemi pasur që e kishim në vitin 2007, me tendenca që kjo fuqi të rritet. Ne i respektojmë sondazhet që zhvillohen pasi është veprim që bëhet në gjitha shtetet e zhvilluara në kohën e zgjedhjeve, por praktikat kanë treguar që këto sondazhe shumë pakë herë janë treguar të sakta në praktikë dhe kjo dëshmohet në zgjedhjet e fundit lokale”, ka thënë Makolli.

Ai në këtë intervistë ka akuzuar partitë për vjedhje të ideve, ndërsa njëra nga to, sipas tij, ka qenë themelimi i Fondit Zhvillimor. “Ju mund ta shikoni programin zgjedhor të vitit 2007 dhe do ta gjeni në të pikërisht formën se si në atë kohë ne e kishim planifikuar themelimin e një Fondi Zhvillimor për Kosovën dhe fondi për gjeneratat e reja i cili do të ishte garant pastaj për një zhvillim”, ka thënë më tej Makolli. Ministri në detyrë e pranon se pavarësisht që kryeson me listën e AKR-së, nuk pret të jetë njeriu më i votuar. “Unë nuk e kam menduar asnjëherë, dhe nuk është shumë më rëndësi se cili nga kandidatët do të jetë më i votuari në listë. Unë besoj që Z. Pacolli do të jetë më i votuari brenda listës së AKR-së, por sidoqoftë angazhimin ynë si subjekt është që të kemi përqindje që garanton vend për zbatimin e programit tonë në tërësi”, ka deklaruar ai.

Tribuna: Si po shkon fushata për AKR-në në këto tri ditët e para të fillimit të saj?
Makolli: Në bazë të asaj që tashmë po shohim gjatë këtyre tre ditëve të fushatës, mund të them që është duke u zhvilluar sipas planifikimeve tona dhe natyrisht duke pas parasysh angazhimet jo vetëm tonat por të gjitha subjekteve politike, që në mënyrën sa më të suksesshme ta ofrojmë ofertën tonë programore para qytetarëve të Kosovës. Nuk është shënuar asnjë problem i kurrfarë natyre që të bën të besosh që kjo fushatë zgjedhore në përgjithësi do të zhvillohet në pajtim me standardet ndërkombëtare, por po ashtu edhe nevojën që kemi ne si vend.

Tribuna: Nga vizita që po i bëni nëpër komuna, po gjeni përkrahje nga elektorati?
Makolli: Nga ajo që vërej është që ka një interesim të qytetarëve jo vetëm të anëtarëve dhe simpatizantëve të AKR-së, por të qytetarëve të moshave e shtresave të ndryshme që dëgjojnë programin e AKR-së dhe në këtë kuadër e them se çdo ditë numri i atyre të cilët po bëhen pjesë e këtij vizioni është më i madh.

Tribuna: Z. Makolli çka jeni duke i ofruar ju elektoratit për katër vitet e ardhshme?
Makolli: Ne jemi fokusuar në disa shtylla të cilat konsiderojmë se duhet të kemi prioritet ose të jenë në top-prioritet të qeverisjes katërvjeçare. Në radhë të parë zhvillimi ekonomik i vendit që nënkupton ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe hapjen e vendeve të punës. Së dyti shteti ligjor aty ku ne si vend kemi nevojë për ta vendosur shtetin e së drejtës ku secili qytetar është i barabartë para ligjit, një luftë të pakompromis ndaj korrupsioni dhe dukurive negative, një sistem shëndetësor të qasshëm për të gjithë, arsim cilësor në pajtim me nevojat e vendit, dhe në fushat e tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Tribuna: Në këtë fillim fushatë kemi parë deklarata nga zyrtarë të subjektit tuaj që akuzojnë partitë tjera për kopjim të programit ekonomik. Kush çka ju ka kopjuar?
Makolli: Po e them me përgjegjësi të plotë, duke u nisur nga programi për sektorin e bujqësisë të cilin tashmë e kanë përqafuar pothuajse të gjitha partitë politike e të cilat para shtat vjetëve konkretisht në zgjedhjet e vitit 2007, kur ne kemi theksuar se zhvillimi i sektorit të agrikulturës do të jetë një mbështetje e madhe për zhvillimin ekonomik të vendit dhe në atë kohë patën deklaruar dhe ofruar projekte përmes të cilave garantohej punësimi i rreth 70 mijë njerëzve në këtë sektor. Atëherë u patëm akuzuar nga partitë politike se AKR dhe Pacolli po duan ta shndërrojnë ose t’i bëjnë gjithë të rinjtë e Kosovës bujq. Por tash pas shtatë vjetëve shumica e partive politike zhvillimin e sektorit e agrikulturës e kanë gati prioritet dhe po ashtu të njëjta premtojnë tashmë vende punë të cilat do të sigurohesh me zhvillimin e këtij sektori. Pavarësisht se subjektet tjera kanë mund të marrin të dhëna nga programi ynë, nuk e besoj se do të mund ta zbatojnë një gjë të tillë në praktikë duke pasur parasysh kompleksitetin që ka dhe përvojën që e kërkon. Ne po ashtu në atë kohë pra në vitin 2007, e patëm theksuar nevojën e krijimit të një Fondi Zhvillimor, sikurse edhe fondin për gjeneratat e reja i cili po ashtu u pat përqeshur nga partitë tjera që iu dukej si diçka e parealizueshme, ndërsa shumica sot e premtojnë një gjë të tillë.

Tribuna: Z. Makolli po thoni që Fondi Zhvillimor ka qenë ide e juaja?
Makolli: Ju mund ta shikoni programin zgjedhor të vitit 2007 dhe do ta gjeni në të pikërisht formën se si në atë kohë ne e kishim planifikuar themelimin e një Fondi Zhvillimor për Kosovën dhe fondi për gjeneratat e reja i cili do të ishte garant pastaj për një zhvillim.

Tribuna: Do të flasim tash edhe për gjendjen në partinë tuaj, shumë sondazhe të publikuara nuk ju nxjerrin mirë me rezultat. Disa ju shohin si pjesë të Parlamentit të ardhshëm, ndërsa ju shohin jashtë. Do të jetë AKR pjesë e legjislaturës së pestë?
Makolli: AKR do të jetë në Kuvendin e Kosovës, madje do të jetë fuqishëm. Synimi ynë është që të rikthejmë fuqinë politike që e kemi pasur që e kishim në vitin 2007, me tendenca që kjo fuqi të rritet. Ne i respektojmë sondazhet që zhvillohen, pasi është veprim që bëhet në të gjitha shtetet e zhvilluara në kohën e zgjedhjeve, por praktikat kanë treguar që këto sondazhe shumë pakë herë janë të treguar të sakta në praktik dhe kjo dëshmohet në zgjedhjet e fundit lokale.

Tribuna: Do të thotë pretendoni t’i fitoni 15 mandate?
Makolli: Unë jam i bindur shumë që AKR është rikthyer në fuqinë politike të vitit 2007 dhe besojmë që ditëve të ardhshme kjo fuqi politike do të shënojë rritje. Megjithatë, ne presim datën 8 qershor për ta parë se cila është forca dhe se si e kanë vlerësuar qytetarët e Kosovës secilin subjektet veç e veç.

Tribuna: Kemi parë në të kaluarën z. Makolli se figurat që kanë aderuar në AKR, largoheshin pas disa kohësh nga subjekti i juaj. Edhe këtë radhë ju keni sjellë disa personalitete në parti, keni frikë se mund të përsëriten skenarë të njëjtë?
Makolli: Anëtarësimi në një subjekt politik dhe largimi prej saj është e drejtë demokratike e secilit. Ne si subjekt politik kemi pësuar drejtpërdrejt nga këto veprime. Por kjo nuk ka ndodhur vetëm me ne pasi nëse e shikoni betimin e deputetëve dhe në fund kanë lëvizur. Është e vërtetë që në AKR ka pasur ardhje muajve të fundit, një pjesë mjaft e madhe e tyre janë edhe në lista zgjedhore. Dua të besoj se e secili prej tyre do të vazhdojë jo vetëm ta mbajë fanellën e AKR-së në Kuvend, por tashmë janë pjesë përbërëse e AKR-së dhe do të vazhdojnë të jenë në të ardhmen. Për këtë jam i bindur sepse i njoh këto personalitete.

Tribuna: Ju jen bartësi i listës për zgjedhjet e 8 qershorit. Pretendoni të dilni njeriu më i votuar në parti?
Makolli: Në këto zgjedhje pak vlen bartësi i listës sepse secili deputet e kandidat duhet të votohet për të fituar mandat në Kuvend. Unë nuk e kam menduar asnjëherë, dhe nuk është shumë më rëndësi secili nga kandidatët do të jetë më i votuari në listë. Unë besoj që z. Pacolli do të jetë më i votuari brenda listës së AKR-së, por sidoqoftë angazhimin ynë si subjekt është që të kemi përqindje që garanton vend për zbatimin e programit tonë në tërësi.

Më Shumë

Lajmet e Fundit