10.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Kejsi Tola: Pjesëmarrja në Festivalin e RTSH, në pikëpyetje

KejsiTola-eurosongKejsi Tola një nga zërat e rinj, por të vlerësuar në skenën e këngës, vijon të ketë një aktivitet të pasur artistik. Me interpretimin live ajo në çdo fundjavë nuk mungon para publikut. Këngëtarja që ka sjellë hite në skenat e festivaleve të këngës, në një intervistë për gazetën Sot vjen me një rrëfim mbi jetën e saj artistike. Ajo tregon se zoni i vjeshtës ka sjellë jo pak angazhime në fushën e muzikës, dhe kjo gjë sipas saj kërkon jo pak punë. E njohur në fushën e muzikës së lehtë, këngëtarja Kejsi Tola ndjek studimet në fushën e kantos. Sipas saj, muzika klasike ka qenë një zgjedhje shumë e mirë në karrierën e saj, që e ka ndihmuar shumë në formimin muzikor. Si një nga emrat profesioniste të këngës shqiptare, Kejsi Tola pohon se rrymat e reja i pëlqen në muzikë, por asgjë nuk duhet të jetë një kopje identike, sepse sipas saj kjo gjë kthehet më pas në qesharake. Kulmi i karrierës së saj deri tani është dhe pjesëmarrja në “Eurovizion” me këngën “Më merr në ëndërr”. Me hiteve të saj përmendin dhe këngë të tilla si: “Qiellin do ta prekë me ty”, “Më jeto”, “Atje”, etj.

-Ky sezon për ju duket se ka sjellë jo pak angazhime në jetën artistike. Si kalojnë ditët me aktivitete?
Vjeshta është për mua dhe një stinë e bukur, dhe ajo që në fillim të saj nisi bukur dhe mbarë për mua. Ka qenë shumë e ngarkuar, sepse përveçse ka nisur si një sezon i ri me shumë angazhime, tashmë janë dhe angazhimet e shkollës, janë provat e shumta për këngën. Unë këndoj live në çdo fundjavë dhe duhet të bëj prova për të rinovuar gjithçka. Publiku ka nevojë për gjëra të reja dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Vera është një stinë, që njerëzit kërkojnë këngët ritmike, por gjithsesi njerëzit kanë nevojë për gjëra të reja dhe prandaj dhe duke qenë se ka ardhur vjeshta sigurisht që dhe për krijimtarinë muzikore ka ndryshime, ka këngë të reja, këngë ndryshe nga ato që ne i interpretojmë më shumë gjatë verës. Në live-t që unë këndoj së bashku me mikeshat e mia, mjafton që të rinovohet repertori me muzikë të ndryshme, qoftë në verë, vjeshtë, dhe të stinët e tjera, duan muzikë të mirë.

-Ju çdo fundjavë interpretoni live, por jo pak këngëtarë interpretojnë dhe në playback. Si ndikon kjo tek një artist?
Muzika e gjallë, ajo që bëhet live është muzika e vërtetë, aty tregohen këngëtarët. Ndërsa playback e sjell këngën tek publiku pa zhurma, të pastër, por ama ajo pjesë e gjallë, ku luhet muzikë live dhe jo vetëm këndohet live, janë gjëra më të ndjera. Këngëtari është vetvetja, me live është pjesa e vërtetë e muzikës.

-Ju vijoni studimet në fushën e kantos. Sa e shikoni veten në muzikën klasike?
Muzika e lehtë dhe ajo klasike ndryshojnë nga njëra-tjetra, por kanë dhe kanë të përbashkëta. Sidomos 3 viteve të fundit unë i jam përkushtuar muzikës klasike, pasi kanë qenë dhe 3 vitet e fakultetit dhe kanë qenë fakultative për atë që unë bëj, pavarësisht se unë kam filluar të merrem rastësisht me muzikë klasike e kam dashur shumë, por ama këto 3 vite e kam kuptuar që e ndjej pranë vetes sime. Më pëlqen ajo që bëj në muzikën klasike, ku jam vlerësuar edhe pse nuk bëj shumë performanca të tilla. Unë do mundohem, që këto 2 vite të masterit të jem edhe më aktive në muzikën klasike për të provuar veten time. Muzika klasike ka tjetër dimension, quhet klasike dhe është e madhe, por dhe muzikën e lehtë e duan njerëzit. Unë nuk e kam përzgjedhur përfundimisht se ku do të jem e fokusuar më shumë, por unë do të vazhdoj të dëgjoj muzikë klasike, ashtu si dhe do të vazhdoj dhe me muzikën e lehtë. Do vijë një moment që do të merrem më shumë me njërën prej tyre, por ende nuk e di se kur mund të vijë. Por muzika klasike mua më ka ndihmuar shumë. Ka qenë zgjedhja më e mirë që kam vazhduar studimet për kanto, më ka ndihmuar shumë në karrierë, në formimin tim muzikor.

-Jeni nga zërat që vlerësoheni në muzikë, çfarë shikon sot në tregun muzikor?
Si këngëtare e ndjej që ka probleme. Nuk jam kundër rrymave të reja, risive, ritmeve moderne, ne duhet ti referohemi asaj muzike në botë. Por ajo që nuk më pëlqen është që ne nuk duhet ta kopjojmë muzikën e huaj dhe ta sjellin siç është në muzikën tonë. Referimi nuk duhet të kthehet në një kopje identike. Por problem është dhe mënyra se si e servirim. Mua më pëlqen shumë dhe muzika folklorike, popullore, por nuk duhet ta tejkalojmë masën dhe nëse kjo tejkalohet bëhet e bezdisur. Nuk duhet tepruar në muzikë, duhet ruajtur sensi i masës. Duke u tejkaluar masa bëhet e bezdisur dhe nuk është më muzikë e mirë, mund të kthehet dhe në një gjë qesharake. Janë stile të ndryshme të njerëzve që bëjnë muzikën, por unë mendoj se duhet ruajtur sensi i masës. Risitë e reja duhet ti marrim në muzikë, por të mos kthehet në kopje apo si një pjesë qesharake.

-Duke qenë se prej vitesh jeni pjesëmarrëse dhe në festivale të këngës, si janë për ju këto aktivitete dhe ku ka më shumë probleme?
Janë tre festivale që ndryshojnë nga njëri-tjetri, kanë diferenca mes tyre. Nuk dua të bëj zgjedhje të tilla, sepse unë kam qenë ajo që kam marrë pjesë tek të tre, si në “Kënga Magjike”, festivali i RTSH apo dhe “Top-Fest”. Mendoj që të tre këto festivale janë eksperienca të ndryshme për këngëtarët. Unë kam pasur eksperienca me të tre këto aktivitete, por mendoj se një festival është i mirë në momentin që ka seriozitetin e duhur, dhe mendoj se të tre këto festivale kanë seriozitetin e tyre. Në momentin që bëhet vlerësimi në fund në festival, ai duhet të jetë i vërtetë, dhe kjo e sjell festivalin shumë të mirë.

-Ke qenë disa herë dhe në skenën e Festivalit të RTSH, keni përfaqësuar Shqipërinë dhe në “Eurovizion”, a do të jeni dhe këtë vit në skenën e tij?
Unë jam nga ato artiste që e kam provuar skenën e festivalit dhe ky festival shikohet dhe si trampolinë për të shkuar në “Eurovizion”. Kam qenë disa herë në këtë festival, por këtë vit ende nuk e kam vendosur përfundimisht nëse do të jem apo jo në festival. Pavarësisht se mora pjesë një vit më parë, ndoshta do të ishte më mirë të ishte dhe një vit pauzë, por nuk e di sepse akoma nuk e kam vendosur përfundimisht.

-Keni jo pak interpretime në këngë, por ende nuk ju kemi parë me një album. Është në planet tuaja?
Kam disa këngë, por ndoshta mund të bëj një përmbledhje të këngëve deri tani. Por do të doja shumë të filloja të merresha dhe me një album për të sjellë këngë të reja, por duke qenë se këto 3 vite kanë qenë shumë të ngarkuara dhe me shkollën, i kam dhënë shumë rëndësi pjesës së shkollës se sa pjesës së karrierës. Jo se nuk jam marrë me muzikën, pasi kam qenë me live në çdo fundjavë, por ama ka qenë më e rëndësishme pjesa e shkollës dhe nuk më linte shumë kohë për gjëra të tjera. Unë dua shumë të kem një album, por ende nuk kam një gjë konkrete. Shpresoj që pas 2 apo 3 vitesh të kem një album të ri dhe me singëlla të reja.

-Rryma që ju interpretoni më shumë është pop në muzikë. Do të vijoni po me këtë rrymë?
Nuk është se mua nuk më pëlqen që të lëvroj dhe rryma të reja në muzikë, më pëlqen të eksperimentoj, por besoj se mund të eksperimentoj vetëm brenda kornizave të mia dhe të asaj që mund të bëj. Deri tani nuk kam pasur shumë këngë të tipit komerciale, por ndoshta do të provoj të bëj diçka që të jetë pak më shumë komerciale se sa ato që kam pasur. Përgjithësisht unë kam kënduar balada dhe kënga që kam marrë pjesë në “Eurovizion” është dhe më ritmikja. Do të mundohem që të jem dhe më aktive, por çdo gjë vjen me kohën. Besoj se së shpejti do të sjell diçka më ndryshe në muzikë.

-Nuk kanë munguar sukseset deri tani në karrierën tënde, por a ke ndjerë dhe zhgënjime?
Nuk më pëlqen shumë fjala zhgënjim, por unë jam munduar të kem pritshmëri të ndryshme, ka pasur dhe raste që jam ndjerë e zhgënjyer. Kjo ka ardhur nga fakti i pritshmërive që mund të kem pasur nga një eveniment ose nga persona të ndryshëm, dhe më kanë dalë situata jashtë parashikimeve ose pritshmëritë që kam pasur. Me kalimin e kohës jam mësuar, që edhe ti pres disa gjëra.

-Kejsi gjithmonë keni qenë larg në media sa i takon pjesës që është jeta juaj private. Por çfarë mund të na thoni për këtë pjesë, a jeni e dashuruar?
Nuk kam qenë shumë e përfolur, sepse ndoshta nuk kam pasur dhe gjëra që mund të ishin në vëmendje të lajmeve të tilla. Unë vazhdoj të jem singëll.

-Në karrierën tënde sa e rëndësishme ka qenë për ty familja?
Familja ime ka qenë gjithmonë më e rëndësishmja. Familja për secilin është shumë e veçantë. Mami, babi dhe motra ime janë ata që më kanë qëndruar gjithmonë pranë.

-E përkëdhelur në familje?
Nuk jam shumë e përkëdhelur, por e ndjej që kam marrë shumë vëmendje nga familja ime.

-Jeta si artiste, çfarë të ka favorizuar deri tani dhe ku të ka penguar?
Ndodh ndonjëherë që mund të të krijojë bezdi në ndonjë situatë të caktuar, por favorizuese është më shumë, gjithmonë kjo pjesë ka qenë më e madhe.

Më Shumë

Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

Sot me fillim nga ora 09:00 në sallën “1 tetori” do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Në...

Bajram Gigolli lanson projektin e radhës, i dedikohet dëshmorëve dhe martirëve të Lubizhdës së Hasit

Me një theks të fortë historik, kjo këngë përshkruan ngjarjet e njëra prej betejave më të rëndësishme të luftës së fundit në vendin tonë. Me...

Lajmet e Fundit