16.8 C
Prizren
E premte, 12 Prill, 2024

Koalicioni LVV – AAK, valë – valë, veç sa s’ka dalë

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Bisedimet e koalicionit Zajebnicë për Asociacion: Albin Kurtit nuk po ia do ta nënshkruaj Marrëveshjen për Normalizim të marëdhënieve me Serbinë e Aleksandar Vuçiqit, jo se nuk po ka laps dhe se po i dhemb dora e djathtë por se Vuçiqit i ka humbur lapsi dhe ka artrozë të dorës së djathtë. Madje, Albini ka filluar të bëhet nervoz pse nuk po i mundësohet ta nënshkruaj këtë marrëveshje i cili nënshkrim i është bërë obsesion. Nuk i dhezi dy herat e para, mbase e treta do të jetë e vërteta pasi t’i ketë kryer disa punë në ndërkohë. Themelimi i Zajebnicës, tash me një emër tjetër, vetmenaxhim. Këtë formulë e kishte përdorur edhe Klauzeviqi me thënien e tij të famshme se: “tash lufta vazhdon me mjete tjera, me mjete politike…”.

Zajebnicë po, por jo me këtë emër. Prej të gjithë akterëve politikë, aktivë, gjysmë aktivë dhe me potencë politike të rrënuar, i vetmi që, pa asnjë dyshim dhe në çdo çast e përkrahu Kurtin për Zajebnicën ishte dhe mbeti Ramush Haradinaj, frontmani i AAK-së. Më i bindur për Zajebnicën është Ramushi se vet Albini. Edhe në takimet që i pati në Amerikë e mbrojti këtë parim në kundërshtim me interesin vital të Kosovës, formimin e Zajebnicës. U betua para Chollet, Blinken dhe Eskobar për besnikëri dhe këtë ia konfirmoi edhe luftëtarit më të vendosur dikur, sot dhe besoj edhe në të ardhmën për autonomi substanciale të Kosovës përmes federatës apo konfederatës asimetrike me Serbinë, ambasadorit Hill i cili nuk po lë gur pa lëvizë për t’i rikthyer autonominë Kosovës.

Po lexoj komente përqeshëse për Ramushin si politikan dhe po habitem me komentuesit që aspak nuk e njohin Ramushin. Ramush Haradinaj është njëri prej politikanëve më inteligjentë në Kosovë, e ka një inteligjencë të trashëguar dhe të natyrshme sikur që e ka jashtëzakonisht të zhvilluar shqisën e të nuhaturit të mundësisë që i ofrohet dhe që e bënë lojtar të pazëvendësushëm në situata të caktuara. Prandaj edhe po e luan lojën që po e luan; për asgjë nuk pajtohet me Kurtin, e quan zot shtëpie të një shtëpie me budallë, njeri të dyshimtë të sigurimit të Serbisë, se ka kimi (ADN) pak serbe dhe cilësime të tjera, aspak afirmative për një kryeministër siç është tani Albin Kurti. Në të njëjtën kohë bënë biseda të fshehta për një koalicion të AAK-së me LVV-në, në përpjekje për ta nxjerrë nga loja Vjosa Osmanin, presidente aktuale.

Duke e ditur se Vjosa Osmani në asnjë mënyrë nuk jep dorëheqje nga “Sellma” dhe “Valdrini” dhe se nuk ka asnjë mënyrë të rregullt gjyqësore për ta shkarkuar nga posti, janë futur në lojë mundësitë e jashtëzakonshme përmes Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Duan të bëjnë “Trininë e Shenjtë” të shkelësve të Kushtetutes, Behgjet Pacolli, Fatmir Sejdiu dhe, tash, Vjosa Osmani. Për ta respektuar barazinë gjinore dhe për të respektuar kuotat e përfaqësimit gjinor.

Po pse pikërisht tani ky koalicion: Kosova është në situatë shumë të rëndë politike dhe ekonomike. Çdo gjë, madje edhe ceremonia e synetisë po kushtëzohet me normalizim të marëdhënieve me Serbinë. Marrëveshja e Ohrit ia shtrëngon edhe më shumë lakun në fyt Kosovës ndërsa Sebia nuk ka fare lak. Nëse e lexoni aneksin e marrëveshjes, lehtësisht do ta kuptoni se alfa dhe omega e kësaj marrëveshje është themelimi i Asociacionit apo Zajebnicës. Pas themelimit të Zajebnicës, Kosova do ta humbë çdo interesim ndërkombëtar duke e thjeshtësuar çështjen e saj në probleme të brendshme që do të pjellin nga Zajebnica. Fort u gëzuam kur Kurrti u përqafua me kryeminstrin grek në Prishtinë dhe aso skena intimiteti apo afërsie më ka rënë të shoh vetëm në Lagjen Soho në Londër, pas orës 24:00. Menjëherë filluam të bëjmë plane për Greqinë dhe, sipas llogarive tona ishin vetëm çështje ditësh kur gjyshi grek i Albinit do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Në ndërkohë presidentja e Greqisë na i ftohi morrat me një deklaratë se Greqia nuk ka ndryshuar qëndrim për statusin e Kosovës që, përkthyer në gjuhën e baushtellës do të thotë: “Mallo morgen njohja e pavarësisë së Kosovës…” Greqia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës vetëm pasi Kosova ta përmbush detyrimin ndaj Marrëveshjes së Ohrit, me Zajebnicën në qendër të qendrës. Të gjithë po flasin vetëm për Zajebnicën, ndërkombëtarë dhe kombëtarë, të parët me emër të viteve 2013 dhe 2015 kurse të dytët duke e kamufluar të njëjtën përmbajtje me një emër tjetër. Albin Kurti po e sjell vazhdimisht një pllakë gramofoni që nuk po e ndërron asnjëherë se kjo Marrëveshje paraqet njohje formale të Kosovës nga Serbia kurse, vartësi i tij permanent, ndryshe i njohur si stërnip i Aristotelit, Platonit dhe Hegelit, jo vetëm sa i përket trashëgimisë së gjakut por edhe trashëgimisë së veprave filozofike e që te ne njihet si “drvena fillozofija – filozofia e drurit apo Pinokio filozofia” e forcoi kryeministrin e lodhur fare duke thënë se në këtë Marrëveshje keni një njohje të fuqishme faktike të Kosovës nga Serbia. Nga aspekti juridik dhe politik është në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të njohjes, nga aspekti logjik është marrëzi kurse nga aspekti filozofik edhe mund të shitet, sidomos kur je i rrethuar me intelektualë analfabetë jofunksionalë.

Vjosa Osmani kishte hezitime për t’i prerë gjërat duke ia deleguar përgjegjësitë për deklarim një analfabeteje në fushën e diplomacisë që, për fat të keq të saj por edhe tonin, thuaja qe dy vite mendon se është ministre për punë të jashtme, pa diasporë.

Albin Kurti ka guxim të nënshkruaj çdo marrëveshje, pa asnjë hezitim. Madje është shumë këmbëngulës ta bëjë këtë. Mirëpo, qartazi Albinit i mungojnë resurset anatomike dhe fiziologjike t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara e që thjeshtësohen në dy: themelimin e Zajebnicës dhe formalizimin e Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë. Për këtë i duhet një njerë me k..e, një njeri me muskuj apo ana e fortë (e dhunshme) e anës së butë (të qullët). I forti është Ramush Haradinaj, i qullëti është Albin Kurti. Këtë e kanë të qartë edhe ndërkombëtarët. Atyre, në këto çaste nuk iu duhet një politikan me parime dhe kombëtar por iu duhet një njeri me k..e të mëdha që ua shtynë para zbatimin e Marrëveshjes.

Aktualisht në Kosovë, këtë punë të krahut (zbatimin e aneksit të marrëveshjes) mund ta bënë vetëm Ramushi. Prandaj po bëhet lojtar i fortë sepse njeri i lig nuk mund të përdoret për situata të forta. Albini ka rënë nga fiku vendimmarrës, ka mbetur vetëm si përfaqësues institucional dhe arsyetues i një dështimi dhe mashtrimi të madh. Ramush Haradinaj, në këtë moment është alter ego i stupcit që do të vendosë për zbatim të aneksit të marrëveshjes. Prandaj edhe është i pranuar nga ndërkombëtarët kurse LVV e merr si zgjedhje të zorit, si ogiç pas të cilit do të shkojnë dhe ndjehen të sigurt deri sa t’i përfundojnë këto punët që nuk kryhen pa pasur koç… të mëdha. Edhe për të keq. Kryesisht për të keq! Opozitarizmi i PDK-së dhe LDK-së është sikur loja e Kosovës ndaj Andorrës. Për të ardhur keq, në kuptimin më të butë. Në rethanat e krijuara, Vjosa Osmani, thuaja pa parti dhe pa asnjë ndikim politik, po bëhet e tepërt dhe e panevojshme. Kapaciteti i saj për implementim të aneks marrëveshje së Ohrit është i barabartë me zero kontribut. Paraqet pengesë prandaj e ka humbur krejtësisht peshën specifike politike.

E hasmuar thuaja me të gjithë, selektive ndaj luftëtarëve të UÇK-së, deri vonë hije totale e Albin Kurtit, nuk i duhet më askujt. Unë nuk pajtohem me mënyrën si duan ta eliminojnë por…, por edhe kjo ka vepruar në të njëjtën mënyrë ndaj të gjithëve që nuk janë pajtuar me te. Në mënyrë sadiste është sjellur me pengjet në Gjykatën Speciale në Hagë, meritorët kryesorë që u ul në karriken e presidentes. I ka shërbyer, deri në nënshtrim LVV-së dhe Albin Kurtit prandaj do ta paguaj një çmim. Është paradoksale por e vetmja dritë në fund të tunelit ku është katandisur Vjosa Osmani dhe Lista Guxo, ka qenë dhe mbetet një Pec. Haxhi Qamilit nuk po i gjindet adresa askund!

Çka fiton Kosova nga ky koalicion i mundshëm: Kosova definitivisht fiton në planin e përgjithshëm: “të trashët e Surles”. Individualisht Albin Kurti e mban pushtetin pa shtet, Ramushi mund të bëhet president, nëse bëhet. Ndërkombëtarët fitojnë sepse e kanë një politikan (Albini) që pranon çdo gjë që kërkohet nga ai (nënshkrimet) dhe një president muskuloz, karizmatik dhe që nuk ia ndien se çka ndodhë në Banglladesh, Ramush Haradinajn. Albin Kurti e siguron një rrufepritës nga rrufetë që do t’i vijnë nga partia e vet dhe eventualisht nga opozita e vijagrizuar. Albini ka rënë në kurthin që e ka ngritë vet për të tjerët prandaj një telefonatë nga Chollet, siç ishte ajo në Kuvendin e Kosovës ia zgjatë qëndrimin në pushtet dhe këtu edhe qëndron mjerimi i një Albini, dikur idealist, tash i zënë në bakllavanë e pushtetit. Një lugë, qoftë edhe helm nga Chollet, Blinken, Eskobar, Rrahman Morina i Katalonjës Joseph Borrell dhe rrenci bredhës, Mirosllav Lajçak paraqet eliksir për Albin Kurtin dhe kabinetin e tij jo – qeveritar kur gara bëhet se cili ministër është ma katastrofal se tjetri dhe asgjë tjetër. Nga “trojka” e politikanëve që iu kam besuar më së shumti, Baca Adem Demaçi sigurisht është në Parajsë i larguar nga Ferri i quajtur Kosovë, Kadri Veseli po mbahet peng në Gjykatën Raciste Speciale të Hagës kurse Albin Kurti, i veshur me pallton e Grofit Minhauzen, ky hyrë në Rrugën e Golgotës, për ta kryqëzuar në fund, o nga të tijët, o nga të huajt! Ramush Haradinajn e ka xhoker për Zajebnicën kurse proserbin Dritan Abazoviq e ka xhoker për formalizimin e Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë. Këtë test poshtërsie Abazoviqi me shumë sukses e ka kryer në Mal të Zi duke e rikthyer Kishën ortodokse serbe në pushte. I ka mbetur edhe një punë e pistë për ta bërë; ta pamundësojë rizgjedhjen e Millo Gjukanoviqit si president i një Mali të Zi të pavarur dhe ta mundësojë zgjedhjen e kandidatit të Listës Serbe për Malin e Zi , president i Malit të Zi, si protektorat i Serbisë.

Të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës pas së cilës do ta kuptojmë nëse Lumi Vjosa do pëlcet nga fuqia apo do të shndërrohet në një llucë që do të përfundojë në lumin Ibër. Afër vendit të lindjes! Kthimi në bazë!

Për mua mbetet edhe një shpresë, ardhja e Çlirimtarëve sikur që erdhën në zgjedhjet e fundit. Unë besoja se kanë ardhur ta çlirojnë veriun e Kosovës, ata kishin ardhur ta çlirojnë Kosovën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëhësit e saj e që e kuptoj si një kontribut i Çlirimtarëve për Gjykatën Raciste Speciale në Hagë. Tash janë konsoliduar besoj me Zonë Operative në Shtime dhe me Komandantin e Përgjithshëm të Çlirimtarëve, me seli në Shtime. Për qëllimin që e kanë pasur vend më të mirë se Shtimja nuk mund ta gjejnë, si në aspektin e logjistikës politike ashtu edhe në planin ushtarak, Shtimja i aryseton për çdo gjë!

Më Shumë

Lajmet e Fundit