7.8 C
Prizren
E premte, 22 Nëntor, 2024

Njeriu që i hëngri dy kohë

Shkruan: Hajdar Mallaku

Kur e mora lajmin se do ta merrja shpërblimin e Republikës, si profesor i dalluar, aq sa u befasova, po aq u gëzova. U befasova se më në fund i paskësh rënë ndërmend dikuj se isha tërë jetën punëtor i mirë, tejet modest, që nuk i imponohesha askujt për asgjë, i përgatitur seriozisht me dije për profesionin që e bëja, që shkëlqeja në punë larg syve të eprorëve. E dija se krah meje ishin nxënësit, prindërit dhe gjithësesi kolegët e punës. Unë Luan M. isha vetëm një i mirë në mesin e shumë të mirëve. Më në fund, thashë, po e merrja një mirënjohje në fund të karrierës sime dyzet e një vjeçare, pak vite para se të pensionohesha. Dhe ky do të ishte një kurorëzim i sakrificës sime, një sublimim i kapitalit moral, i krijuar dhe i udhëhequr nga parimi se dija është vetë liria e njeriut dhe e atdheut tonë të robëruar.

Lajmin për këtë ma dha drejtori i shkollës. Më tha: ”Do të shkosh më 7 Mars, në Ditën e Mësuesit, bashkë me drejtorin e Drejtoratit për Arsim në Prishtinë, në manifestimin qendror, për të marrë një mirënjohje nga Ministria e Arsimit, si punëtor më i dalluar në Prizren. Urime!” Dhe aq… Të tjerat i la që të zbuloheshin më vonë. I përgatitur si munda më mirë, udhëtova në ditën e caktuar dhe me kohë u vendosëm në sallën solemne. Ishte afër Presidenti i Republikës, këshillëtarë, ministra, pushtetarë të lartë, misionarë të akredituar, profesorë universiteti, përfaqësues komunash. Dhe kaçiku im i vogël afër tyre. Drejtori i Drejtoratit më uli në rrjeshtin e dytë që të mos i trazoja të tjerët kur do të dilja për ta marrë shpërblimin.

Kuptova në bazë të bisedave që drejtori bënte me ministrin se shpërbleheshin vetëm dhjetë kandidatë nga e gjithë Republika. Kur erdhi radha e Komunës së Prizrenit, gjakftohtë po e pritja thirrjen e emrit tim. Kur ç’të dëgjoj… U thirr emri i një njeriu që kurrë deri atëherë nuk kish punuar në arsim e mirënjohjet po jepeshin për arsimtarë. Ishte bir i një funksionari që para luftës së fundit kishte jetuar dhe punuar në Beograd dhe si gazetar i thurte himne okupatorit serb. Nuk e ndjeva vetën mirë. Po rrija si në prush. Prej nga kjo lojë!? Ishte një keqkuptim apo një skenar i keq!?

– Të kërkoj falje… tha drejtori i Drejtoratit. Unë emrin tënd e kam dhënë saktë dhe e kam marrë miratimin. Se pse u bë kjo dhe kush e bëri nuk e di…

– S’ka gjë, i thashë. Ndoshta nuk ka qenë në dorën tuaj.

-Unë po ndihem keq, – më tha.

-Unë po ndihem dhe më keq se ju, po ç’të bëjmë. Ja si ia përzieni dorezat njëri-tjetrit ju. Thuase njerëzit i keni objekte pa shpirt dhe dinjitet. Ju lumtë!

Nuk paragjykova asgjë, po edhe ky ishte bir i një udbashi që e quanin „homo dajakus“.

U ktheva në shtëpi gati pa folur fare.

II

Agim Sojliun, atë që e mori mirënjohjen, e njihja qëmoti. Ishte i mbëltuar në kopshtin e armikut. Vlonte nga zelli i lojalitetit. Kishte ambicje të ngritej në kreun e kupolës dhe atje të bënte karrierë si prindërit e tij. Shkas që ta njihja ishte ky. E kisha dhëndër Enver Koziun. Dhëndër për shpati si thuhet andej nga ne. Pati ai një sëmundje të rëndë, u operua dhe mezi shpëtoi.

Më shumë me insistimin e shoqes shkuam ta vizitonim, sepse ajo si të gjitha gratë donte të rrezatojë në publik për hir të opinionit dhe unë, pa marrë parasysh ftohtësinë që e kishim me të, më erdhi mirë që shpëtoi. Kur ja, ai aty, Agim Sojliu bashkë me të shoqen. E dija se ata ishin njohur gjatë angazhimeve të tyre politike se edhe ky ishte kryetar i rinisë së qytetit dhe çdo qullë politik e kishin kërkuar bashkë. Dhe jo vetëm kaq, por dhe karakteret e tyre ishin pajtuar si kapaku me vegshin. Të dy ishin kokulur nën ekuador dhe poshtë ndaj eprorëve dhe kokëlartë në defiletë para shqiptarëve. Dhe çka thoni ju, që të dy e çmonin veten komunistë me klasë, një rang mbi të tjerët, sa thoshte njeriu se vinin që të dy fill pas Titos. Për shpoti shpesh të rinjtë i thoshin „ Agim Tita“.

Pas bisedës së parë që e bëmë, bisedë protokolare, ashtu si e donte rregulli, ata bisedën e kaluan në binarë politikë. Dhe aq më keq filluan të flisnin në gjuhën serbe duke e pohuar për njëri tjetrin se unë i kuptoja. U ndjeva si në zjarr të rrija dhe më. Ia bëra me shenjë shoqes që të largoheshim, por gratë si gratë. Me shuplakën e dorës që rrah si kopan kuptova se thoshte që të rrinim edhe pak. Agimi e vërejti reagimin tim dhe m’u dretua:

-Më fal, profesor, po flas në gjuhën serbe, se kjo gjuhë më duket më e ëmbël, më e pasur. Ka plot shprehje që nuk po kanë përkthim adekuat në shqipe.

-Është çështje e juaj,- i thashë, këtë herë më butë, por i përmbajtur me zor.

-Më beso, kur isha në studime në Beograd, më tha, kur mbrëmjeve shetitnim me shoqen time, kënaqeshim duke folur në gjuhën serbe (nuk e thoshte gjuhën serbo-kroate si quhej zyrtarisht atëherë).
Shoqja në fillim pati pak vështërsi, por pastaj, kur e zotëroi mirë gjuhën serbe, printe vetë. Dhe ç’ka të keqe kur një shqiptare flet në gjuhën serbe? Pasi je professor i gjuhës shqipe, mund t’i përkthesh në gjuhën shqipe këto shprehje… dhe i tha, më duket, vetëm nja dy.

Më trazoi në shpirt me timbrin brejtës që e bënte me qëllim që unë t’ia pohoja të gjitha ato që ai i thoshte.

-Agim! Nuk i thashë këtë herë zoti Agim. Unë kam ardhur ta kryej një obligim familjar dhe po besoj human. Ne të dy jemi shqiptarë, në mos gabofsha për ty, dhe gjuhën shqipe e kemi gjuhë amtare, në mos gabofsha prapë për ty. Këtu ka një fatkeqësi të dyfishtë. Ti je shqiptar dhe nuk e njeh gjuhën shqipe. Kjo është një fatkeqësi tragjike. Unë poashtu jam shqiptar dhe nuk e njoh gjuhën serbokroate. Kjo është për mua fatkeqësi e dashur. Jo që e urrej gjuhën që e flisni. Pra le ta kuptosh mirë. Jam mysafir dhe s’dua ta acaroj mikpritjen e mikut as ta zhvlerësoj ardhjen time qëllimmirë. Por kumti i fjalës sime është se unë nuk kam ardhur këtu si përkthyes, por si mik. Unë dhe ime shoqe largohemi dhe ju vazhdoni të flisni në gjuhën „e ëmbël“. Po shoh se karriera politike ju ka tjetërsuar.

Unë dhe ime shoqe u larguam si ajo vetura që aktivizohet dhe ikën shpejt nga pika zero duke lënë një grrithje rrotash në asfalt dhe një shtëllungë tymi që kundërmon.

III

U takova në dy kohë me zotin Agim, por të dyja herët takova një Agim krejtësisht tjetër. Herën e parë u takova me “Agim Titon“ që atëherë më la një përshtypje tronditëse si një i ri që notonte në ëndrën karrieriste, i mbytur në vullnetin për shërbime ndaj armikut dhe kur s’kërkohej nga ai, sa mohonte dhe qenësinë shqiptare dhe vetë gjuhën shqipe.

Thënë drejt ishte krijuar një sëmuarje e kahmotshme ndër ne shqiptarët qoftë nga mikëpritja e plotë që do t’i bënim mikut dhe armikut, qoftë nga krijimi i një inferioriteti ndaj serbëve që na pushtuan jo më pak se njëqind vjet. Ku ishte një serb, nëntëdhjetë e nëntë shqiptarë flisnin serbokroatisht. Edhe kur nuk dinin mirë, belbëzonin vetëm e vetëm për ta treguar vullnetin. Ndërsa serbi, edhe po ta dinte gjuhën shqipe, fliste në gjuhën e tij e jo shqip. Po këtë herë nuk ishte asnjë serb!

Herën e dytë e takova Agim Sojliun, pas luftës së fundit, atë ditë kur e mori shpërblimin, i konvertuar nga komunist ekstrem në patriot të pashoq, një demokrat që të imponohet. Ishte shembulli më i mirë si përshtaten kameleonët dhe ne ua harrojmë të kaluarën e tyre duke i lejuar që prapë të ngriten mbi ne në majen e lavdisë. Lejojmë të na shitet slogani „Kur nuk mundesh të bësh keq, bëj mirë se ta ka hëngër gomari bukën“. Shfletova biografinë publike të tij dhe nuk pashë asgjë nga jeta dhe veprat para luftës së UÇK- së. I kish fshehur. Nuk dija si ta quaja këtë herë, prandaj i kërkoj falje publike lexuesit që po e përlyej emrin e presidentit të ndjerë, po e quaj „Agim Rugova“.

Nuk u përmbys bota pse unë nuk e mora mirënjohjen e Republikës, se nuk punova unë as shokët e mi për mirënjohje, por për ta mbajtur gjallë arsimin ndër vite e veçmas në vitet e paraluftës së fundit. Këso mirënjohje meritonin të gjithë kolegët e mi. Po kush ishte ai i ngarkuar me nostalgjinë e së kaluarës, ministri që e mbante emrin e mullaehos, apo soji dhe sorollopi i tij që po i rehabilitonte këta njerëz dhe po i lansonte në heshtje në prapavijë të çarqeve tona jovigjilente. Ai vërtet bëri një shkrim për një proces politik që edhe vetë e me shokë mund ta ketë vënë në skenë, po kush mund të hynte në arkivat serbe pos tij. Kjo do të jetë kështu se ai sot është profesor universiteti dhe pos tjerash ligjëron lëndën Teoria dhe praktika e përkthimit. Tash di ta përkthejë çdo shprehje nga gjuha serbe në gjuhën shqipe dhe shqipja i tingëllon ëmbël.

Më Shumë

Kosova në Rumani synon fitoren

Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte në Bukuresht do të përballet me Rumaninë, në kuadër të Ligës se Kombeve. Rumunët dhe Dardanët do të ballafaqohen...

Vidhet një veturë e tipit Audi A3 në Prizren

Një burrë ka njoftuar se i është vjedhur një veturë e tipit Audi A3 në Prizren. Ende nuk ka të dyshuar për këtë rast. “VJEDHJE E...

Lajmet e Fundit