10.3 C
Prizren
E martë, 21 Prill, 2026

Opozita mes Kuvendit dhe rrugës

Shqyrtimi i peticionit të rreth 35 mijë qytetarëve kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike nga ana e Kuvendit të Kosovës, pritet të kthejë opozitën në seancat e rregullta plenare.

Ndërkohë që, kërkesat tjera të opozitarëve mbeten ende në fuqi.

Kombinimi i aktiviteteve politike brenda institucioneve dhe protestave në rrugë, janë potencuar nga deputetët opozitarë si një domosdoshmëri për të rritur presionin mbi qeverinë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda ka thënë për Radion Evropa e Lirë se braktisja e seancës së fundit kur nuk ishte vënë në rend dite peticioni kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike, ishte refleksion i opozitës për shkak se po injoroheshin kërkesat e 35 mijë qytetarëve.

Por, ai thotë se Vetëvendosje do të vazhdojë me punën në institucione, duke mos e lënë anash as protestën si një mjet demokratik.

“Ne marrim pjesë edhe në punimet e Kuvendit të Kosovës, por edhe në kohën kur ka arrogancë nga ana e pushtetit, kur nuk dëgjohen kërkesat legjitime qoftë të opozitës apo të qytetarëve të Kosovës ne e përdorim protestën si mjet demokratik për avancim të kërkesave të qytetarëve”, ka deklaruar Deda.

Shqyrtimi i peticionit për çmimin e energjisë elektrike, nuk përmbushë edhe kërkesat e opozitës në lidhje me gjendjen në këtë fushë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e AAK-së dhe opozitës i referohen Zyrës së Rregullatorit të Energjisë me synimin që të ulet çmimi, por edhe të shkarkohet bordi i kësaj Zyre.

“Konsiderojmë që tarifat e energjisë janë jashtëzakonisht të larta kur dihet që Kosova posedon skajshëm mjaftueshëm burime të energjisë elektrike. Do të thotë kërkesa jonë është që të shkarkohet bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe të ulen çmimet. Të gjitha format ligjore që lejohen një shteti normal do të përdoren derisa kjo të ndodhë”, ka theksuar Haradinaj.

Në protestën e fundit, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma, kanë adresuar kërkesa edhe në lidhje me transmetuesin publik, pastaj kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, kanë kundërshtuar krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe e kërkesa tjera.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj thotë se kërkesat mbeten në fuqi dhe do të përdoren të gjitha mjetet demokratike e ligjore për t’i përmbushur.

“Në rast se mbetet rruga opsioni i vetëm, atëherë jemi të detyruar që në rrugë, në forma të protestave paqësore, t’u japim mesazh institucioneve të Kosovës se nuk mund të vazhdohet më tutje kështu”, ka deklaruar Haradinaj.

Formimi i koalicionit qeverisës nga dy partitë më të mëdha politike në Kosovë, të mbështetura edhe nga shumica e deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë, vlerësohet se i ka lënë fare pak hapësirë opozitës që të ketë një zë më të fuqishëm në Kuvend.

Kështu që kjo gjendje besohet se e ka shtyrë atë në kombinimin e aktiviteteve në institucione dhe në rrugë.

Kuvendi i Kosovës pritet që të vazhdojë seancat e rregullta nga e 6 maji, kur pritet të shihet nëse shumica në Kuvend do t’i përfillë kërkesat e opozitës, fillimisht në lidhje me çmimin e energjisë elektrike dhe bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike. /REL/

Më Shumë

Suhareka Boys fitues në Alley Oop-in e radhës

Gara e radhës në Alley Oop është mbajtur të dielën në Suharekë. Në këtë garë shumë interesante kanë marrë pjesë shtatë ekipe, duke dhuruar spektakël...

Përkujtohet heroi Ismajl Kryeziu në Prizren

Me homazhe u përkujtua 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorit Ismajl Kryeziu - Komandant Shpendi, ku u kujtua jeta dhe veprimtaria e tij gjatë...

Lajmet e Fundit