Gianluigi Donnarumma është portieri titullar i PSG-së dhe ai bën pjesë në planet e parisienëve edhe për të ardhmen.
Megjithatë kampioni në fuqi i Francës po kërkon një portier të ri për të qenë në bankë dhe ta zëvendësojë Donnarumman kryesisht në ndeshjet e Kupës së Francës.
Kryeqytetasit francezë kanë në listë dy emra, ku njëri nga ta do të transferohet në Parc de Princes në afatin kalimtar veror.
Transfermarkt ka raprotuar se portieri kosovar Diant Ramaj si dhe gjermani Noah Atubolu janë në listën e PSG-së, ku njëri nga ta do të jetë portieri i dytë për sezonin e ri.
“Paris Saint-Germaini po shikon për portier të ri të dytë, pas Gianluigi Donnarummas dhe ka dy prej portierëve të rinj më të vlerësuar në Gjermani në listë. Diant Ramaj, që vetëm verën e kaluar u transferua nga Eintracht Frankfurti tek Ajaxi i Amsterdamit dhe Noah Atubolu i Freiburgut raportohet se janë përcjellë nga klubi parisien”, shkruan sajti i specializuar për transferimin e lojtarëve ‘Transfermarkt.de’.
22-vjeçari Ramaj ka qenë fantastik këtë edicion me Ajaxin dhe vlera e tij ka shkuar në 10 milionë euro nga Transfermarkt.
Mbetet të shihet nëse dy portierët e rinj Ramaj dhe Atubolu do të largohen nga klubet e tyre dhe të transferohen për të qenë vetëm rezervë te PSG.
Kujtojmë që Ramaj këtë edicion ka zhvilluar 33 ndeshje me fanellën e Ajaxit, derisa në gjashtë prej tyre e ka mbajtur portën e paprekur.
Ramaj është kërkuar që një kohë të gjatë nga Përfaqësuesja e Kosovës, por ai ende nuk ka dhënë përgjigje pozitive. /Telegrafi
Marketing
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit