Sipas tyre, ngastra në lagjen “Bazhdarhane” që ka shërbyer dikur si park për fëmijë, po tjetërsohet pa konsulta të mirëfillta më banorët. Por zyrtarët komunalë kanë theksuar se pretendimet e tilla nuk qëndrojnë meqë në këtë rast synimi është përmbushja e interesit të përgjithshëm publik në kuadër të kompetencave të komunës, për ofrimin e shërbimeve të kuzhinës popullore.
Kuvendari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Gashi ka vlerësuar se në këtë vendimmarrje ka kontradikta pasi Komuna para se ta destinonte këtë ngastër për kuzhinë popullore kishte vendosur që të investonte për ndërtimin e parkut të fëmijëve, raporton Telegrafi.
“Komuna e Prizrenit së pari ndau 110 mijë euro për ndërtimin e parkut për fëmijë në ‘Bazhdarhane’ e më pas parcelën e njëjtë vendosi t’ia jep një shoqate humanitare për ndërtimin e kuzhinës popullore. Ky është absurd i llojit të vet!”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se në tetor të vitit 2023, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratën me një operator ekonomik për ndërtimin e katër parqeve në Prizren, me vlerë 297 mijë euro.
Sipas tij në këtë kontratë është përfshirë edhe ndërtimi i parkut përball qendrës sportive apo pranë tregut të mobileve në ‘Bazhdarhane’ në vlerë prej 110 mijë eurove, ku parashihej rregullimi i parkut dhe instalimi i shumë lojërave për fëmijë.
“Qasja improvizuese, pa plan, pa konsultim publik, punët “shkel e shko” e “sa për sy e faqe” kanë shoqëruar qeverisjen Totaj që nga fillimi i mandatit të saj. Pa marrë në konsideratë fare mendimin e komunitetit, kryetari Totaj ka vendosur që parkun e fëmijëve në ‘Bazhdarhane’, për interesa të përkohshme politike, t’ia jep një shoqate humanitare. Edhe ato pak hapësira për fëmijë që i kemi kryetari Totaj ka vendosur t’i betonoj përjetësisht”, ka deklaruar Gashi, duke konsideruar se ky park duhet ti kthehet fëmijëve.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj ka konfirmuar për Telegrafin zhvillimin e aktivitetit të prokurimit për ndërtimin e katër parqeve gjatë vitit të shkuar.
“Ne si DShP kemi filluar me implementimin e kontratës, por në ndërkohë në këtë lokacion Komuna e Prizrenit ka parë se është një interes më i madh publik për qytetin dhe qytetarët e Prizrenit respektivisht ndërtimi i një kuzhine popullore për nevojtarët, në këtë lokacion. Prandaj, ne do ti realizojmë 3 parqet tjera të parapara me kontrat?, kurse ky lokacion i votuar nga Kuvendi i Komunës do ti dedikohet përmes një ankandi që do të shpallet një OJQ-je që do ta bëjë këtë investim”, ka thënë Lamaj.
Në seancën e mbajtur në muajin e shkuar, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit me shumicë votash, përkundër vërejtjeve të opozitës, patën miratuar vendimin paraprak mbi dhënien e pronës komunale në shfrytëzim një OJQ-je, me qëllim të përmbushjes së interesit të përgjithshëm publik në kuadër të kompetencave të komunës, për ndërtimin e objektit për zhvillimin e aktiviteteve, shërbimin dhe ofrimin e kuzhinës popullore për familjet sociale dhe ato në nevojë, raporton Telegrafi.
Kërkesa për miratimin e këtij vendimi pat ardhur nga drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Rasim Demiri, i cili pat pohuar se kjo drejtori nga kryetari Shaqir Totaj ka kërkuar ndarjen e ngastrës për ndërtimin e Qendrës për Zhvillim Social, që do të ofrojë përkrahje për qytetarët e kësaj komune.
Demiri pat sqaruar se kjo qendër do të ofrojë shërbime që i përmbushin nevojat sociale të qytetarëve me aktivitete si kuzhina popullore, këshillimore, salla për aktivitete e rekreacion dhe çështje administrative, dhe i pat ftuar OJQ-të e interesuara që të përfshihen në realizimin e këtij projekti.
Marketing
“Bashkimi Reisen” organizon udhëtime turistike çdo natë: Prizren – Ulqin dhe Ulqin – Prizren
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit