Largimi i Kylian Mbappe nga PSG duket se ka hapur një faqe të re të kësaj sage pasi sipas mediave franceze klubi ka detyrime të pashlyera ndaj sulmuesit.
25-vjeçari më në fund konfirmoi në fillim të këtij muaji se do të largohet nga PSG këtë verë, dhe ai pritet t’i bashkohet Real Madrid-it në një transferim të lirë kur t’i skadojë kontrata në qershor.
Mbappe fitoi Kupën e Francës në ndeshjen e tij të fundit të shtunën, por duket se nuk është gjithçka mirë në prapaskenë mes Mbappe dhe PSG.
Sipas “L’Equipe”, Mbappe-s nuk iu pagua paga për muajin prill dhe ai ende nuk ka marrë një bonus që daton nga shkurti.
Raporti i “L’Equipe” thotë se PSG që nuk i bën këto pagesa për Mbappe-n ka kursyer rreth 80 milionë euro.
PSG thuhet se ka pohuar se ata thjesht “harruan” të paguajnë Mbappe-n.
Avokatët e PSG-së dhe Mbappe-s tani po përpiqen të negociojnë largimin e lojtarit nga klubi pas 12 muajve të fundit të vështirë për sulmuesin.
Mbappe u la jashtë turneut para-sezonal të PSG-së në Azi verën e kaluar mes pasigurisë për të ardhmen e tij, dhe më pas u vu në listën e tyre të “të padëshiruarve” dhe u detyrua të stërvitet larg skuadrës së parë për refuzimin për të nënshkruar një zgjatje të kontratës.
Më pas ai ra dakord të qëndronte për një vit tjetër dhe u riintegrua në skuadër nga trajneri Luis Enrique.
Mbappe i la spekulimet rreth të ardhmes së tij në njërën anë, pasi ai shënoi 44 gola në 48 ndeshje në sezonin 2023-24, duke e çuar PSG-në drejt titullit të Ligue 1, Kupës së Francës dhe gjysmëfinaleve të Champions League.
Mbappe duket se do të largohet nga PSG me bekimin e bashkëlojtarëve të tij pasi organizoi një festë lamtumire për 250 të ftuar javën e kaluar në Paris, por marrëdhënia e tij me klubin duket më e tensionuar se kurrë.
Ai tashmë po përgatitet për jetën në Madrid, pasi thuhet se ka blerë një mega-rezidencë 15 milionë paundëshe në kryeqytetin spanjoll.
Lëvizja e tij te gjigantët spanjollë mund të njoftohet para Euro 2024, me Mbappe të vendosur të udhëheqë Francën në turneun në Gjermani 18 muaj pas humbjes së tyre në finalen e Kupës së Botës nga Argjentina. Albanian Post