Tradita e “Darkës së Bereqetit”, e njohur edhe si “Darka e Lamës”, do të organizohet për të tretin vit me radhë këtë të enjte, më 13 nëntor, në qendrën e kulturës “Reshat Çoçaj” në fshatin Gjonaj të Hasit, duke nisur nga ora 14:00.
Aktiviteti, i cili ka marrë formën e një feste të përvitshme, organizohet nga Shoqëria Kulturore Artistike “Malësori” dhe ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore e kulinare të trevës së Hasit.
Ky aktivitet u organizua për herë të parë në vitin 2022, duke shënuar një kthesë në ringjalljen e zakoneve të vjetra hasjane. Në edicionin e dytë, të mbajtur në nëntor 2023, u shtua edhe hapja e një muzeu etnografik dhe një program artistik i pasur, duke e bërë ngjarjen më gjithëpërfshirëse.
Organizatori Haziz Hodaj ka konfirmuar se përgatitjet teknike kanë përfunduar dhe se këtë vit sofra do të jetë më e begatshme, me një përzgjedhje të gjerë ushqimesh tradicionale. Si çdo vit, flija gjigande mbetet atraksioni kryesor, duke u përgatitur në mënyrë ceremoniale dhe duke simbolizuar bujarinë e tokës.
“Këtë vit sofra hasjane do të jetë edhe më e begatshme, me një përzgjedhje të gjerë ushqimesh tradicionale që përfaqësojnë trashëgiminë kulinare të trevës së Hasit”, tha Hodaj.
Ngjarja do të shoqërohet me një program artistik të pasur, ku do të performojnë anëtarët e SHKA “Malësori” me këngë e valle tradicionale.
“Darka e Bereqetit” përfaqëson mirënjohjen ndaj tokës dhe punës së bujkut, duke bashkuar banorët e zonës dhe miqtë e Hasit në një atmosferë të ngrohtë mikpritjeje.
Ajo është një festë që shënon përfundimin e sezonit të korrjes dhe fillimin e dimrit me shpresë e falënderim.
Ky edicion i tretë pritet të jetë më i pasur në përmbajtje dhe më i gjerë në pjesëmarrje, duke e kthyer “Darkën e Bereqetit” në një pikë referimi për identitetin kulturor të Hasit./PrizrenPress.com/
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
