Ceremonia e 38-të e Çmimeve të Filmit Evropian (European Film Awards – EFA) u mbajt mbrëmjen e së shtunës në Berlin, ku përveç shpalljes së fituesve më të mirë të vitit në kinematografinë evropiane, u përkujtua edhe aktori dhe regjisori i njohur kosovar, Enver Petrovci, i cili u nda nga jeta.
Akademia e Filmit Evropian vlerësoi kontributin e tij shumëvjeçar në teatër dhe film, duke e përfshirë në segmentin përkujtimor të ceremonisë, krah figurave të shquara të industrisë evropiane të kinemasë. Ky moment simbolik dëshmoi respektin dhe vlerësimin ndërkombëtar për veprën dhe ndikimin artistik të Petrovcit, transmeton KultPlus.
Mbrëmja gala, gjatë së cilës u shpallën fituesit e edicionit të sivjetmë, u transmetua drejtpërdrejt në Radiotelevizionin e Kosovës, duke i sjellë publikut vendor një nga ngjarjet më të rëndësishme të filmit evropian.

“Sentimental Value” triumfon në EFA 2026
Filmi norvegjez “Sentimental Value”, me regji të Joachim Trier, ishte fituesi absolut i mbrëmjes, duke rrëmbyer gjithsej gjashtë çmime kryesore:
Filmi më i mirë evropian
Regjisori më i mirë – Joachim Trier
Skenari më i mirë – Eskil Vogt & Joachim Trier
Aktorja më e mirë – Renate Reinsve
Aktori më i mirë – Stellan Skarsgård (fitorja e parë pas 26 vitesh)
Kompozitorja më e mirë – Hania Rani
Ndërkohë, filmi “Sirât”, me regji të Oliver Laxe, u dallua në kategoritë teknike, duke fituar pesë çmime, përfshirë:
Kastingu më i mirë
Dizajni i produksionit – Laia Ateca
Montazhi – Cristóbal Fernández
Kinematografia – Mauro Herce
Dizajni i zërit
Çmime të tjera të rëndësishme
Akademia e Filmit Evropian ndau çmime edhe në kategori të tjera:
Filmi më i mirë i animuar: “Arco” (Francë)
Filmi dokumentar i vitit: “Fiume O Morte!”
Çmimi për Arritje Jetësore: Liv Ullmann, legjendë e kinemasë evropiane
Ceremonia e sivjetme e EFA-s u shënua jo vetëm nga konkurrenca artistike, por edhe nga momentet përkujtimore që nderuan figurat që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e filmit evropian, ndër ta edhe Enver Petrovci, një emër i rëndësishëm i artit shqiptar.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
