Keisuke Yamanaka, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, të enjten ka bërë dorëzimin e pajisjeve të fizioterapisë për Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren. Pranimi është bërë nga drejtoresha ekzekutive e spitalit, Narqize Arënliu Hoxhaj, ndërsa e pranishme ishte edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, përcjell PrizrenPress.
Keisuke Yamanaka e vlerësoi këtë dorëzim si të rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve për pacientët dhe forcimin e bashkëpunimit dhe miqësisë mes Japonisë dhe Kosovës: “Kam kënaqësinë të jem me ju për dorëzimin e pajisjeve për fizioterapi. Kam dëgjuar se në këtë spital brenda vitit shërbime të fizioterapisë kërkohen deri nga 3 mijë pacientë, por për shkak të pajisjeve të vjetra është dashur të presin për marrjen e këtyre shërbimeve. Me këto pajisje të reja, pacientët nuk kanë nevojë të bëjnë termine dhe të udhëtojnë në Prishtinë për shërbimet e fizioterapisë. Kujdesi shëndetësor është nga fushat kryesore të ndihmës zhvillimore që Japonia ofron për Kosovën, duke iu përgjigjur nevojave themelore të njerëzve në jetën e tyre të përditshme. Dëshira ime është që bashkëpunimi përmes këtij projekti dhe projekteve të tjera të vazhdojë për të forcuar marrëdhëniet e ngushta të miqësisë midis Kosovës dhe Japonisë,” tha Yamanaka.
Dafina Gexha Bunjaku, zëvendësministrja e Shëndetësisë, ka falënderuar Ambasadën e Japonisë për donacionin e pajisjeve për fizioterapi, të cilat do të lehtësojnë punën e stafit dhe do të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve të fizioterapisë: “Falënderojmë Ambasadën e Japonisë për donacionin e pajisjeve për fizioterapi. Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit po bëhet gjithnjë e më shumë model për spitalet e tjera, duke kombinuar investimet nga Qeveria e Kosovës dhe donatorët, si Ambasada e Japonisë dhe Qeveria e Luksemburgut, e cila gjithashtu ka bërë investime në Spitalin e Prizrenit,” tha Gexha Bunjaku, duke shtuar se me këto pajisje të reja është rritur cilësia e shërbimeve, dhe pacientët nuk kanë më nevojë të udhëtojnë në Prishtinë apo spitalet e tjera për marrjen e shërbimeve të fizioterapisë.
Drejtoresha e Spitalit, Narqize Arënliu Hoxhaj, ka falënderuar Ambasadën e Japonisë për donacionin e pajisjeve mjekësore, të cilat janë shumë të nevojshme për ofrimin e shërbimeve të fizioterapisë për pacientët: “Në emrin tim, të menaxhmentit dhe të punonjësve të spitalit, veçanërisht të personelit të fizioterapisë, e falënderoj Ambasadën e Japonisë për donacionin e pajisjeve moderne për fizioterapi, që kanë lehtësuar punën e stafit dhe kanë përmirësuar shërbimet për pacientët,” tha Arënliu Hoxhaj, duke shtuar se këto pajisje ishin shumë të nevojshme për ofrimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve të fizioterapisë.
Pas dorëzimit të pajisjeve për fizioterapi, janë kryer edhe disa vizita në repartet e spitalit./PrizrenPress.com/
Marketing
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit