Dy zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, duke shprehur pakënaqësi me mënyrën e vendimmarrjes në degën e partisë.
Anëtari i Kryesisë së degës së LDK-së në Prizren, Haziz Hodaj, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, duke kritikuar ashpër drejtimin e degës dhe mënyrën se si po merren vendimet.
“Kur fjala e dhënë shkelet, kur parimet përjashtohen dhe heshtja zë vendin e komunikimit, dorëheqja nga kryesia mbetet e vetmja rrugë e ndershme. Ky është një akt dinjiteti, jo dorëzim”, ka shkruar Hodaj.
Ai ka theksuar se largimi i tij vjen si pasojë e, siç ka thënë, vendimeve arbitrare të marra pa konsultim dhe jashtë vendimeve të Kryesisë. Sipas tij, këto veprime kanë cenuar parimet dhe besimin brenda strukturave të partisë.
Hodaj ka përmendur gjithashtu se emrat e propozuar për drejtorë nga radhët e LDK-së janë dërguar pa pëlqimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal nga kjo parti.
Ndërkohë, dorëheqje nga të gjitha funksionet në LDK ka dhënë edhe Fejzë Kabashi. Ai ka bërë të ditur se vendimi i tij vjen pas një njoftimi me SMS nga kryetari i degës, përmes të cilit, sipas tij, janë caktuar përfaqësuesit e LDK-së në ekzekutivin lokal pa asnjë diskutim paraprak në Kryesi.
“U hodh poshtë fjala e dhënë se përfaqësuesit për ekzekutivin lokal do të diskutoheshin dhe vendoseshin së bashku në Kryesi. Kjo, së bashku me mosvlerësimin tim dhe të rajonit të Hasit, më detyroi të jap dorëheqje nga të gjitha funksionet”, ka shkruar Kabashi.
Ai ka bërë të ditur se ka hequr dorë nga pozitat e kryetarit të nëndegës së LDK-së në Kabash të Hasit, anëtarit të Kryesisë së degës, kryetarit të Komisionit për Shërbime Sociale dhe nga të gjitha angazhimet e tjera partiake. Kabashi ka kërkuar falje ndaj votuesve dhe strukturave lokale të LDK-së, duke thënë se çdo angazhim i tij ka qenë në funksion të interesit të përgjithshëm.
Dorëheqjet e Hodajt dhe Kabashit vijnë në një periudhë të tensioneve të brendshme në degën e LDK-së në Prizren, lidhur me mënyrën e përfaqësimit të partisë në qeverisjen lokale.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
