Para 26 viteve, më 7 korrik 1998, gjatë një aksioni që kishim ndërmarrë jashtë zonës së lirë të UÇK-së, së bashku me Lumni Berishën-Hanci dhe Besmir Shalën, biem në pritë të forcave serbe që udhëhiqeshin nga komandanti i policisë serbe në Prizren, Shekiq!
Në kohën sa zhvilloheshin luftimet, derisa unë isha me pak ushtarë në vijën e parë të frontit, në krahun e djathtë të vijës së frontit (Përpanikë) kishte arritur Agim Shala me luftëtarë nga Jeshkova, derisa në prapavijën time kishte ardhur Xhevat Berisha, Bislim Zyrapi me shokë nga shtabi lokal i UÇK-së në Jeshkovë.
Pas disa orë luftimesh me forcat serbe që u zhvilluan te vendi i quajtur “Laku i Billushës”, forcat okupatore serbe me humbje të mëdha dhe të turpëruar u detyruan të zbrapsen nga kishin ardhur.
Luftimet e 7 korrikut mobilizuan shumë djem e vajza të Komunës së Prizrenit në radhët e UÇK-së, të cilët morën pjesë në shumë beteja tjera, ku do t’i përballojnë me sukses luftimet që u zhvilluan në Rajonin e Vërrinit si në Tusuz, Lez, Jeshkovë, Hoqe e Qytetit, Billushë, Arbëri, Poslishtë, Malësi e Vërrinit, Kushëndill, aksione luftarake që nuk u ndalën kundër okupatorit serb në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999.
Forcat serbe edhe pas 7 korrikut, organizuan njësitet elite të tyre që me çdo kusht të më likuidonin, duke ngritur kurthe dhe prita të ndryshme, të cilat u treguan të pasuksesshme.
Lufta për lirinë e Kosovës vazhdoi me shumë beteja në Prizren e kudo në Kosovë deri në çlirimin e plotë të vendit më 12 qershor 1999, ku përfundimisht iu dha fund sundimit shekullor serbo-sllav në tokat tona.
Me respekt i kujtoj gjithë ata luftëtarë trima që morën pjesë në këtë betejë, disa prej të cilëve sot janë heronj të Kosovës!
P.S: Në përfundim e sipër të luftimeve, dua me respekt ta kujtoj ardhjen e tre gazetarëve Qazim Thaqi, Agron Shporta dhe Asllan Bekteshi si dhe aktivistin tashmë të ndjerë nga KMDLNj Masar Shala me bashkëpunëtorë, të cilët i dhanë jehonën e merituar triumfit të parë të UÇK-së kundër forcave të okupatorit serb në Prizren./Zafir Berisha
“Edi Alumin” në Prizren shpall konkurs për mjeshtër të dyerve dhe dritareve të plastikës
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit