18.8 C
Prizren
E mërkurë, 3 Korrik, 2024

10 poezi të pavdekshme nga Ismail Kadare

Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në QSUT, si pasojë e një ataku në zemër.

I lindur në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936, Ismail Kadare është një prej intelektualëve dhe shkrimtarëve më të rëndësishëm gjatë dhe post-diktaturës.

Dritare.net sjell 10 poezi nga Ismail Kadare, ndër më të bukurat!

Mall

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylber në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq:
“Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç”.

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi vallë?
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

 

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske.

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske.

 

Dhe kur kujtesa

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Unë ty s’do të harroj,

Do të kujtoj…

Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgje e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë natë

Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tua
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…

 

Të huaj jemi

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për tu thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri – tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por, natën kur i lodhur truri
Porta i mbyll me qetësi
Ti gjen një shteg të futesh brenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shëtit mes cirkonvolucionesh
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë afrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturzai del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë.

 

Pa ty

Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjësh tani tundet
I arti medalion i hënës.
Lejlekët ikën.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ka ca mullarë yë gjysmuar
Duken që larg si Don Kishote.
Ç’të bëj, po them me vehten time
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime
Të lashta sa Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në gryke e di që do të më ngelet
I ftohti medalion i hënës.

 

Kristal

Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej
Si të harroj un’ dalngadal,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj unë posht’e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr,
Asnjë mermer a morg-kristal,
Mos duhet vall’ prap’ të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë ?

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

 

Rënia e dëborës

Ty ndoshta nuk të shkoi ndërmend
Se qielli rastësisht s’u mbyll
Se kjo dëborë që shtroi kudo
Në të vërtetë ra për ty.
U projektua çdo kristal
I saj në qiell të madh diku
Dhe nuk pushoi së rënia ajo
Gjersa i gjeti flokët e tu
Që ti ta shkundje me një gjest
Shkujdesshëm krejt e gjithë gëzim
Një natë të tërë qielli punoi
Me ernat në bashkëpunim
Dhe në mëngjes i zbehtë ai,
I ftohtë hapej madhërisht,
Ndërsa shëtisnim ne të dy
Nën altruizmin e tij të hirtë

 

Në parkun që mbuluan fletët

Në parkun që mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park që e kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap,
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindëshat
Që te kjo botë të vije ti.

 

Ti dhe hëna

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-këtu.

Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi.

 

Një Vajzë

Duke të puthur, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz shkoi

Krenar që ty “të shtiu në dorë”
Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata.

Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.

Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pataj me bërryl i bien shokut
“E sheh filanen? E ka pas…”

Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T’arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standard:
“Ah, njëlloj janë të tërë djemtë”

Të dyja t’ulura pranë radios
Do ndizni heshtur një cigare
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t’ marrë

Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M’ë gjerë, m’ë bukur dhe më e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga këmbët s’do të të venë re.

Atje ku t’ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me bërryl do t’i bjerë shokut:
“E sheh filanen? Ishim miq…”

Marketing

“Bashkimi Reisen” organizon udhëtime turistike çdo natë: Prizren – Ulqin dhe Ulqin – Prizren

Lëshohet me qira lokali për biznesin tuaj në Prizren

“Edi Alumin” në Prizren shpall konkurs për mjeshtër të dyerve dhe dritareve të plastikës

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

Më Shumë

Gjermania kualifikohet në çerekfinale

Gjermania është bërë kombëtarja e dytë, pas Zvicrës, që është kualifikuar në çerekfinale të Euro 2024. Kjo pasi Gjermania triumfoi ndaj Danimarkës me rezultat prej...

Vërshimet në Dragash/ Xheladini bën thirrje të drejtoheni te këta persona për ndihmë

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini ka kërkuar ndihmë për familjet e prekura nga vërshimet. Xheladini, përmes një shkrimi në Facebook, tha se vërshimet...

Lajmet e Fundit